FB

July 30, 2025 | 15:30

A trashëgohet vërtet trauma në ADN-në tonë? Historia shkencore është më komplekse

Ndërsa luftërat vazhdojnë të shkatërrojnë Gazën dhe Ukrainën, po rritet shqetësimi për mënyrën se si trauma që shkaktohet mund të transmetohet tek brezat e ardhshëm në ato rajone.

Në një plan më të gjerë, interesi për idenë e traumës ndërbrezore është rritur ndjeshëm kohët e fundit. Për shembull, më herët këtë vit, revista National Geographic ngriti pyetjen nëse gjenet bartin traumën e kaluar familjare.

Por megjithëse kjo është një pyetje tërheqëse, ajo është njëkohësisht edhe disi e gabuar. Sepse edhe pse trauma mund të përhapet përtej brezave, e ndikuar nga mënyra se si trupat tanë reagojnë ndaj mjedisit, efektet e saj nuk janë të koduara drejtpërdrejt në ADN.

trauma

Trupa dhe mendje të plastifikuara

Në thelb të këtij procesi qëndron ajo që quhet plasticitet fenotipik. Kjo është aftësia e organizmave për të prodhuar rezultate të ndryshme nga e njëjta strukturë gjenetike, në varësi të mjedisit. Këto rezultate, të quajtura fenotipe, mund të përfshijnë ndjeshmërinë ndaj stresit apo formën e trupit.

Një nga mënyrat përmes së cilës shfaqen fenotipe të ndryshme nga e njëjta ADN është epigjenetika: ndryshime të vogla kimike në molekulën e ADN-së që ndikojnë në aktivizimin apo heshtjen e gjeneve të caktuara. Mund t’i mendoni këto si shënime regjisoriale në një skenar, udhëzime që i tregojnë qelizës cilat pjesë të theksojë dhe cilat të zbusë, pa ndryshuar vetë tekstin. Por epigjenetika është vetëm një nga mënyrat në të cilat shfaqet ky plasticitet. Për të kuptuar se si trauma transmetohet ndër breza, duhet të shohim përtej gjeneve dhe qelizave, drejt mjediseve që i formësojnë ato.

Zhvillimi njerëzor ndikohet thellësisht nga përvoja – përfshirë kujdesin prindëror, komunitetin, ndjenjën e sigurisë dhe përkatësisë. Këta faktorë ndikojnë në mënyra afatgjata – edhe pse jo gjithmonë të pandryshueshme. Duke u përqendruar te ndërveprimi i tyre, në vend të një shkaku të vetëm, ne mund të kuptojmë më mirë pse trauma përhapet përtej një brezi. Kjo qasje gjithashtu na ndihmon të gjejmë mënyra për të ndërprerë këtë cikël.

 

Një dukuri e përhapur në natyrë

Plasticiteti fenotipik është i pranishëm gjerësisht në natyrë. Tek bletët, larvat gjenetikisht identike shndërrohen në mbretëresha apo punëtore në varësi të ushqimit që marrin gjatë zhvillimit. Tek peshqit “stickleback”, ekspozimi i hershëm ndaj grabitqarëve ndryshon ndjeshëm fiziologjinë e stresit dhe formën e trupit – duke i bërë më të vështirë për t’u kapur. Këto nuk janë ndryshime gjenetike, por efekte të mjedisit mbi zhvillimin.

Edhe tek njerëzit, kushtet e hershme të jetës ndikojnë në zhvillim. Një fëmijë që rritet në një ambient të pasigurt mund të zhvillojë ndjeshmëri të shtuar ndaj rrezikut apo stresit – karakteristika që janë të dobishme në kushte të rrezikshme, por që mund të vazhdojnë edhe kur rreziku ka kaluar, duke u shfaqur si ankth apo stres kronik. Kjo njihet si mospërputhje mjedisore. Kur i shikojmë këto efekte nëpër breza, gjërat bëhen edhe më komplekse. Në një nga kërkimet e mia, kam studiuar se si dieta e një brezi të mizave të frutave ndikon në shëndetin, riprodhimin dhe jetëgjatësinë e pasardhësve dhe nipërve të tyre.

Rezultatet ndryshonin në varësi të dietës, brezit dhe tipareve. Një tipar i dobishëm në një brez, nuk ishte i tillë në tjetrin – duke treguar sa e paparashikueshme është trashëgimia ndërbrezore për shkak të këtij plasticiteti.

 

Një shpjegim tepër i ngushtë

Epigjenetika zakonisht pasqyron ndikimet mjedisore – si stresi, trauma, ushqyerja apo kujdesi prindëror. Por këto shenja nuk janë domosdoshmërisht të përhershme. Shumë prej tyre janë dinamike dhe mund të ndryshojnë, veçanërisht gjatë viteve të para të jetës. Studimet tregojnë se modelet epigjenetike të lidhura me vështirësitë në fëmijëri ndryshojnë në varësi të mjediseve të mëvonshme – si stabiliteti familjar apo mbështetja sociale. Kjo sugjeron se ndikimi biologjik i stresit të hershëm formësohet nga ajo që ndodh më pas.

Është joshëse të mendosh se epigjenetika është çelësi për të shpjeguar traumën e trashëguar, por kjo është një qasje tepër e kufizuar. Trauma mund të ndikohet nga shumë faktorë të tjerë si hormonet, funksioni imunitar apo kushtet gjatë shtatzënisë – të gjitha ndikojnë në zhvillimin e trurit dhe ndjeshmërinë ndaj stresit. Përveç kësaj, varieteti gjenetik luan një rol të madh. Ai nuk kodon vetë traumën, por ndikon në tipare si ndjeshmëria ndaj rrezikut apo rregullimi emocional. Këto tipare nuk i zgjedhim – ato lindin nga një rrjet i ndërlikuar ndikimesh biologjike dhe sociale. Por mënyra se si ato zhvillohen – dhe nëse amplifikohen apo zbuten – varet nga sistemet që na rrethojnë.

 

Lidhja me kulturën

Lidhja me kulturën ka një rol të rëndësishëm gjithashtu. Në Aotearoa (Zelanda e Re), nismat e udhëhequra nga popullsia Māori që vendosin në qendër tokën, gjuhën dhe whakapapa (prejardhjen) kanë dhënë rezultate premtuese në rikthimin e mirëqenies pas traumave të lidhura me kolonizimin. Për të mbijetuarit e Holokaustit dhe pasardhësit e tyre, lidershipi kulturor, ritualet dhe narrativat e përbashkëta kanë ndihmuar në uljen e barrës psikologjike të traumës së trashëguar. Por jo çdo traumë është kolektive apo institucionale. Ndërhyrjet si prindërimi i ndjeshëm ndaj traumës dhe terapitë e hershme relacioneve kanë treguar përmirësime të ndjeshme tek brezi i ardhshëm. Këto mbështetje psikologjike ndikojnë edhe në biologji. Ndjenja e sigurisë në marrëdhënie, rutinat e qëndrueshme dhe ndjenja e kuptimit reduktojnë hormonet e stresit, rregullojnë funksionin imunitar dhe ulin rrezikun për sëmundje kronike. Në këtë mënyrë, kultura, kujdesi dhe lidhja janë ndërhyrje biologjike. Kur ato zbusin efektet e stresit të kaluar, mund të ndihmojnë në ndërprerjen e transmetimit të tij.

 

Rikonceptimi i vulnerabilitetit të trashëguar

Kjo ka rëndësi sepse ndryshon mënyrën si e kuptojmë vulnerabilitetin e trashëguar. Në vend që ta shohim si një plagë të përhershme të shkruar në ADN, efektet e traumës kuptohen më mirë si reagime të ndryshueshme të formësuara nga konteksti. Falë plasticitetit, biologjia jonë është gjithmonë në dialog me mjedisin – dhe kur ndryshon mjedisi, mund të ndryshojë edhe rezultati.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top