Psikofakt

May 15, 2016 | 7:49

Luhatja më e bukur në botë

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

E  kam fjalën për njërin prej kalimeve nga një gjendje shpirtërore në një tjetër të kundërt, që karakterizon vazhdimisht njeriun e sotëm, modern, madje edhe postmodern. Pikërisht për kalimin nga optimizmi në pesimizëm dhe anasjelltas. Optimistit qielli i nxirë dimrak i duket plot diell, yje e hënë njëkohësisht, kurse pesimistit qielli dritëlarë pranveror, ku e kaltra gërshetohet me rrezet e diellit, i duket i mbuluar me re stuhimbarsura. Kulmi i kësaj luhatjeje tek i njëjti individ – gjashtë muaj në vit optimizëm dhe gjashtë të tjerë pesimizëm, quhet ciklotimi – nga greqishtja e vjetër kuklos “rreth” e thumos “gjendje shpirtërore” – dhe subjekti që e përjeton atë duhet të konsultohet me një psikolog, madje, sipas rastit, edhe me një psikiatër, i cili edhe mund të arrijë në përfundimin se ka të bëjë me një formë psikoze maniakodepresive.

Megjithatë, kështu është i ndërtuar njeriu, kjo qenie shoqërore par excellence, herë optimist dhe herë pesimist, në funksion kryesisht të situatës së tij jo vetëm ekonomike, por edhe sociale, kulturore, profesionale, në funksion gjithashtu të rrjetit të tij të marrëdhënieve ndërindividuale, në funksion, së fundi, edhe të ndjeshmërisë e të qëndresës së tij nervore përballë dukurive të ndryshme, qoftë edhe natyrore. Ndonëse jo rrallëherë i lodhshëm, ky kalim nga optimizmi në pesimizëm dhe anasjelltas përbën për disa, përfshirë edhe ne, luhatjen më të bukur në botë, sepse aktivizon tek individi pak a shumë i ekuilibruar lojën emocionale, thënë ndryshe, ia gjallëron emocionet, ia bën ato të larmishme, çka e shkund, e nxjerr nga apatia apo nga monotonia e njëfarë ekzistence; ky gjallërim shpirtëror, mund të krijojë sadopak ankth, madje edhe stres për më të brishtët nga ana psikologjike, por duket se është i domosdoshëm për gjimnastikën e mendjes njerëzore. A mund të përfytyrohet dot një jetë pa optimizëm e pa pesimizëm, ku gjithçka shkon vaj, ku gjithçka parashikohet, ku e papritura nuk ekziston, një jetë pa adrenalinë, pa gëzime e pa shqetësime, pa shpresë e pa zhgënjim, pa të qeshura e pa lot, pa kureshtje e pa indiferencë, pa përkëdhelje e pa zënka, pa dhembshuri e pa zemërim, pa dashuri e pa xhelozi?

Luhatja midis optimizmit dhe pesimizmit i brendashkruhet edhe qerthullit të pashmangshëm të stinëve; me gjasë, ajo duhet të ekzistojë, sigurisht në forma rudimentare, të pavetëdijshme, edhe në botën shtazore: ashtu siç ka shumë njerëz të cilëve një qiell i vrenjtur u ngjall trishtim e njëfarë pesimizmi, ndërsa një qiell i kaltër i mbush me një ndjenjë mirëqenieje dhe me njëfarë optimizmi, ashtu ka kafshë që tulaten në dimër, por gjallërohen në pranverë, madje, kjo stinë përfshin periudhën e dashurisë, të ndërzimit e të shumimit të tyre.

Me siguri edhe paraardhësi ynë i përbashkët, njeriu i shpellave, duhet të ketë qenë i ngjashëm me kafshët e epokës së vet, optimist ose pesimist sipas stinës. Në pastë qenë kështu, atëherë përse ne, pasardhësit e tij të denjë, duhet të jemi vetëm optimistë? Mos vallë kemi harruar se ashtu si e bardha nuk mund të ekzistojë pa të zezën, dita pa natën, e bukura pa të shëmtuarën, e mira pa të keqen, edhe optimizmi nuk mund të ekzistojë pa pesimizmin?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top