Marrëdhënie

May 25, 2016 | 8:20

Adoleshentë & prindër

1Adoleshenca karakterizohet nga një marrëdhënie intensive dhe konfuze. Shpesh prindërit mundohen të drejtojnë udhëtimin e adoleshentit drejt progresit. Ata përpiqen të rritin një fëmijë, të shëndetshëm dhe suksesshëm në jetë, të dobishëm për veten dhe shoqërinë. Prindërit përmes ndërveprimit të tyre me fëmijët transmetojnë tek këta të fundit vlerat dhe rregullat bazë të shoqërisë, si dhe cila është sjellje e drejtë dhe e gabuar. Shpesh vëmendja e studiuesve të ndryshëm është përqendruar në ndryshimet që shfaqen tek adoleshenti dhe pasojat e tyre. Por çfarë ndodh me prindërit, të cilët kanë fëmijë adoleshentë?

Sindroma e folesë bosh

Kontakti i të rriturve me adoleshentët, ndërgjegjëson të parët se fëmijët e tyre po rriten dhe po bëhen më të pavarur. Prindërit gjatë gjithë kohës përpiqen që të plotësojnë të gjitha nevojat e fëmijëve të tyre. Kjo lloj gjendjeje e qëndrueshme dhe pasive për fëmijën deri diku ndryshon me ardhjen e adoleshencës. Tashmë, adoleshenti fillon të bëhet i pavarur dhe të ushtrojë kritikë mbi prindërit e tyre. Ai mundohet të vendosë ligjet e tij. Gjatë kësaj faze, prindërit ndiejnë se po e “humbasin” fëmijën e tyre. Ata ndihen të vetmuar, ndërsa vëzhgojnë arritjen graduale të pavarësisë së adoleshentit. Të gjitha këto ndjenja si zhgënjim, mërzitje, dëshpërim dhe vetmi krijojnë atë sindromë që quhet “foleja bosh”.

Kriza e moshës së mesme

Gjithashtu, prindërit në këtë stad përjetojnë atë që quhet kriza e moshës së mesme. Është mosha gjatë së cilës bëhet rishikimi i aspiratave, i ëndrrave dhe i arritjeve. Ngarkesa emocionale e kombinimit adoleshencë dhe moshë e rritur e mesme është shumë e madhe për prindërit. Shumë prindër luftojnë me egoizëm fëmijët e tyre, duke u përpjekur ose t’i limitojnë, ose t’i shtyjnë ata drejt një maturimi me ritme më të shpejta. Kjo ndodh për shkakun se adoleshenca kërcënon “rininë” e tyre. Ata përballen çdo ditë me sfida të ndryshme në fushën profesionale dhe sociale. Ndiejnë se kanë marrë vendime të rëndësishme në jetë, ndërkohë që fëmijët e tyre adoleshentë sapo kanë filluar të marrin vendime. Koha është një faktor tjetër që krijon trysni tek prindërit. Për adoleshentët koha ecën ngadalë, për prindërit me ritme të shpejta. Gjithashtu, besojnë se fëmijët e tyre adoleshentë gëzojnë privilegjin e një trajtimi më të mirë: ata kanë pasur prindër të rreptë e të ashpër dhe vite të vështira të adoleshencës. Kjo situatë shkakton tek prindërit një lloj zilie për shanset që u jepen fëmijëve në kohën e tashme. Të gjitha këto janë të dhimbshme dhe stresuese për prindërit, të cilët duhet të përshtaten me realitetin e ri dhe të gjejnë mënyra të reja për të kënaqur veten e tyre. Është një moshë kur çifti ka nevojë të rikonstruktojë jetën e tij dhe të vendosë një lloj ekuilibri mes sjelljes së tij dhe të adoleshentit.

Krijimi i një ambienti të sigurt

Adoleshentët janë gjithmonë në eksplorim të jetës dhe kanë nevojë për një bazë ku të rikthehen. Ata mund të cenohen shumë lehtësisht, sepse nuk janë të vetëdijshëm për kufijtë e tyre. Familja duhet të funksionojë si një bazë e sigurt, ku ata mund të rikthehen dhe të ndihen të mbrojtur e të pranueshëm. Gjithashtu, kanë nevojë të merren seriozisht në konsideratë nga prindërit e tyre.

Indiferentizëm, kritikë apo vëmendje?

Është e rrezikshme që prindërit të tregohen krejtësisht indiferentë ndaj adoleshentëve. Indiferentizmi përfaqëson disa herë ndjenja dorëzimi dhe braktisjeje. Ata duhet të vazhdojnë të mbeten të ndjeshëm, të preken nga sjellja e tyre dhe njëkohësisht të tregojnë interes e të munden të vendosin kufij. Shumë herë prindërit kanë një lloj qëndrimi kritik ndaj adoleshentëve, për paraqitjen, sjelljen dhe shoqërinë e tyre, duke krijuar kështu ndjenja dëshpërimi dhe inferioriteti tek ata. Adoleshentët kanë nevojë të dinë që prindërit nuk do t’i gjykojnë apo kritikojnë, por do t’i dëgjojnë me vëmendje. Ata duhet të jenë burim këshillash dhe komforti për ta.

Përfshirja e fëmijëve në bërjen e rregullave në familje

Adoleshentët do t’i respektojnë rregullat nëse kanë ndihmuar në krijimin e tyre, por edhe nëse ato janë logjike e të qarta. Nëse ata nuk dëshirojnë të përfshihen në këtë veprim, atëherë duhet të pranojnë rregullat që prindërit kanë vendosur.

Ndëshkimi apo shpërblimi?

Shumë veprime që adoleshentët bëjnë i irritojnë prindërit, por jo të gjitha mund të bëhen objekt debati. Shpesh, prindërit zgjedhin si metodë për të përmirësuar sjelljen e fëmijëve të tyre adoleshentë ushtrimin e dhunës. Mirëpo kjo metodë krijon tek ata bindjen se dhuna është një mënyrë e pranueshme dhe frytdhënëse për të zgjidhur vështirësitë. Kjo nënkupton se ata ka shumë mundësi që kur të rriten të përdorin dhunë. Zakonisht, është më mirë që të përdoren lavdërime për vendimet dhe sjelljet pozitive të adoleshentit. Gjithashtu, prindërit përdorin kërcënime: “Nuk do të dalësh këtë fundjavë”. Por nuk u përmbahen deri në fund. Kështu, adoleshenti beson se prindërit kërcënojnë, por asnjëherë nuk i përmbushin këto kërcënime dhe si rrjedhojë kërcënimet humbasin vlerën.

Bashkëpunim, sinqeritet, vlerësim dhe besim

Prindërit duhet të mos konkurrojnë njëri- tjetrin. Ata duhet të bashkëpunojnë dhe t’i ndihmojnë fëmijët në këtë periudhë të vështirë tranzicioni. Gjithashtu, ata duhet t’i vlerësojnë për arritjet e tyre dhe të theksojnë anët pozitive dhe veçantinë e tyre. Në këtë mënyrë zhvillojnë tek adoleshenti vetëvlerësimin dhe vetëbesimin. Prindërit duhet të jenë të sinqertë me adoleshentin edhe kur ata kanë gabuar ose nuk bien dakord për çështje të ndryshme.

Trajtimi i adoleshentëve si persona të maturuar

Prindërit duhet të sillen me adoleshentët ashtu siç sillen me persona të pjekur, dhe jo si me fëmijët. Ata duhet të bashkëbisedojnë me ta dhe t’u kërkojnë mendim për çështje që lidhen me familjen. Në këtë mënyrë, ata tregojnë se i vlerësojnë dhe i respektojnë njëkohësisht mendimet e tyre dhe afrohen më tepër me njëri-tjetrin. Si përfundim, marrëdhënia cilësore e adoleshentit me prindërit ndihmon në përballimin e sfidave, vështirësive dhe ndryshimeve të theksuara në adoleshencë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top