Në fokus

December 18, 2020 | 8:31

Adoleshenti, a e njeh veten? Njohuri më të thella për këtë periudhë delikate moshore

Në një vështrim sociopsikologjik të fillimeve të adoleshencës, prof.dr.Edmond Dragoti sjell një pasqyrim të qartë dhe hulumtues të ndryshimeve të kësaj moshe, në librin me titull Adoleshenti, botuar në vitin 1999. Nisur nga kërkesat e lexuesve tanë, për njohuri më të thella për këtë periudhë delikate moshore, kemi shkëputur një pjesë të këtij studimi të thelluar, Adoleshenti: A e njeh veten?

Prof. Dr. Edmond Dragoti, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimit të Opinionit Publik (ISOP) si dhe lektor pranë Universitetit të Tiranës, Fakultetit të Shkencave Sociale me përvojë 30 vjeçare në fushën e psikologjisë sociale dhe kërkimit shkencor social

Prof. Dr. Edmond Dragoti, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimit të Opinionit Publik (ISOP) si dhe lektor pranë Universitetit të Tiranës, Fakultetit të Shkencave Sociale me përvojë 30 vjeçare në fushën e psikologjisë sociale dhe kërkimit shkencor social

Në moshën e adoleshencës, femija, që e ka kuptuar me kohë se ekziston krahas të tjerëve, fillon të ndërgjegjësohet më tepër, bëhet i vetëdijshëm për rolin dhe pozitën e tij në shoqëri, tani e bind veten se është “diçka” dhe se i tillë mund të jetë vetëm në raport me “të tjerët”, me botën që e rrethon. Tani adoleshenti zhbiron më thellë, arrin të kuptojë e të vlerësojë anët e thella e intime të personalitetit, cilësitë morale dhe ato që janë të padukshme për të tjerët.
Falë cilësive intelektuale në rritje dhe zgjerimit të madh të interesave njohëse, fëmija adoleshent i jep dimensione të reja më të gjera e më të thella objektit të njohjes, aty futet edhe vetja me qartësinë dhe paqartësinë e saj, me dialektikën e unitetit dhe të kundërshtive të zhvillimit që pëson ajo. Një nivel i tillë, më i lartë i ndërgjegjësimit është pasojë e ndikimit të shumë faktorëve, qëndrimit kritik të shoqërisë, pozitës së re shoqërore që i afrohet prej saj e zhvillimeve fizikopsikike si dhe e burimeve të tjera të brendshme e të jashtme tek fëmija.

Edhe kontradiktat e brendshme të natyrës social psikologjike në zhvillimin e adoleshentit ndikojnë në tendencën e tij për të njohur veten. Një kontradiktë e tillë, karakteristike për këtë moshë, është edhe ajo midis dëshirës për pavarësi maksimale dhe pamundësisë së tij reale për ta plotësuar atë. Edhe sikur të rriturit t’i japin pavarësi maksimale, ai nuk ka mundësi ta realizojë. Si pasojë, përjetimi i kësaj kontradikte, e detyron adoleshentin që ta shikojë veten, “unin”, personalitetin e vet si objekt të kërkesave dhe pretendimeve të veta, e veçon dhe fillon të mbajë qëndrim ndaj tij, kërkon ta njohë më tepër atë.

the-princess-and-the-fuckboy-carl-gallagher-editingAdoleshenti e shkëput plotësisht veten nga të tjerët dhe kjo shoqërohet me dukuri të ndryshme, për të cilat jo vetëm fëmijët, por as të rriturit nuk janë të vetëdijshëm. Për shembull, në këtë moshë fëmija vë në diskutim autoritetin e prindit, mban qëndrim kritik ndaj tij. Po ta shikojmë në planin e formimit të vetëndërgjegjes e vetënjohjes në këtë moshë, atëherë lidhjet e kësaj dukurie me nivelin e ri të ndërgjegjësimit të vetes tek adoleshenti, janë lidhje të pasojës me shkakun.

Në fëmijëri prindi nuk shikohet nga fëmija jashtë natyrës së vet, i ndarë në mënyrë thelbësore e të plotë nga “uni” i tij. Në moshat e vogla prindi eshtë ende pjesë e botës së fëmijës dhe, kjo botë e dyfishtë është pjesë e fëmijës. Prandaj ai nuk arrin ta ndajë nga vetja dhe e quan autoritetin e prindit si të pranueshëm dhe të nevojshëm. Ndërsa në moshë më të rritur, në adoleshencë, fëmija kërkon të njohë e të vërtetojë vetveten. Ai e shkëput prindin, mësuesin e të rriturit e tjerë nga vetja dhe vetveten e shikon në raport me ta. Në këtë mënyrë autoriteti i tyre fillon të diskutohet, sepse i ka shkëputur lidhjet me autoritetin e brendshëm të fëmijës. Megjithatë duhet theksuar se vetënjohja nuk nënkupton mbylljen në vetvete të adoleshentit, kufizimin në botën e përjetimeve të brendshme, largimin e tërheqjen nga shoqëria, nuk është kuriozitet origjinal adoleshent dhe instinkt drejt njohjes së vetes, që kushtëzohet nga pjekuria seksuale apo nga përjetimet e ndjesive përkatëse që lidhen me të.

Nevoja për njohjen e vetes, që është një nga momentet në të rëndësishme të zhvillimit te personalitetit të adoleshentit, lind në procesin e natyrshëm të zhvillimit të fëmijës, nga kërkesat që shtron jeta dhe veprimtaria e tij shoqërore. Niveli i vetënjohjes të adoleshentit kushtëzohet kryesisht nga qëndrimi vlerësues i shoqërisë, nga gjykimet e opinionit shoqëror, nga shkalla e vlerësimit që i bëjnë prindërit, mësuesit, të rriturit e tjerë dhe moshatarët, cilësive të personalitetit të tij.

22-cute-high-school-outfits-for-back-to-school-inspired-beautyFëmija, kur futet në adoleshencë, më parë e më shpejt vlerëson cilësitë e njerëzve të tjerë sesa te vetes. Vlerësimin për të tjerët ai e bën më saktë e me drejt. Në këtë vlerësim ai është më objektiv, më i përmbajtur, më konkret, pa emocionet subjektive qe e shoqërojnë kur vlerëson veten.

Vetëvlerësimi i adoleshentit mund të jetë jo vetëm subjektiv, por edhe i gabuar, sepse duke u munduar të gjykojë për veprimet, mendimet e përjetimet e veta, ai niset nga dukuri të rastit, subjektivisht të kënaqshme dhe të dobishme për të dhe arrin në përfundime po të rastit, të shpejtuara e kontradiktore. Dhe shpesh lëkundet në vetëvlerësim. Në vitet më të larta të adoleshencës vlerësimi është më objektiv.

Gabimet në vetëvlerësimin adoleshent sillen në të dyja skajet nga nënvlerësimi tek mbivlerësimi i vetes. Dhe këtu, gabimi nuk është vetëm i tyre. Shkaktarë mund të jetë edhe tutela e vazhdueshme e të rriturve, toni autoritar i prindërve dhe mësuesve, kufizimi i pavarësisë së fëmijës, shtypja e personalitetit të tij, që çojnë në formimin e ndjenjës së paplotësisë, e kompleksit të inferioritetit tek ai. Dhe kjo ndjenjë paplotësie mund t’ia heqë adoleshentit besimin ndaj vetes, ai nuk i afrohet shoqërisë, ruhet mos bjerë në pozita qesharake, e nënvlerëson veten. Mbyllja në vetvete dhe pasiviteti në shoqëri mund të kompensohen me qëndrimin e kundërt në familje, me afektivitet dhe aktivitet të tepruar, qëndrime të ashpra, prepotente, negativizëm, kokëfortësi.

Ndërkohë që kompleksi i inferioritetit në një drejtim, mund ta çojë adoleshentin në mbivlerësimin vetes në drejtime të tjera. Duke ndjerë inferioritet e fizik, psikik e social, ai mundohet ta kompesoje këtë, duke shfrytëzuar mbivlerësimin e vetes dhe nënvlerësimin e të tjerëve, si mekanizëm të rëndësishëm mbrojtës në sjelljen e tij në raport qoftë me vetveten, qoftë me të tjerët.
Për ta konkretizuar procesin e rëndësishëm e të ndërlikuar të vetënjohjes e të vetëvlerësimit, me luhatjet, kontradiktat e zhvillimit të personalitetit të adoleshentit.

the-negative-effects-of-yelling-at-young-children-5-steps-to-avoid-it-live-like-you-are-rich

Tek adoleshenti, qëndrimi kritik ndaj vetes ka karakter zgjedhës, seleksionues, i cili përcaktohet nga rëndësia që ka për të veprimtaria përkatëse, mësimi, loja, puna, detyra shoqërore etj. Sa më e rëndësishme te jetë veprimtaria për adoleshentin, aq më tepër kërkesa ka ai ndaj vetes. Për shembull, kur i kërkojnë mendimin adoleshentit për ndonjë problem të rëndësishëm familjar, meqenëse kjo gjë ka shumë rëndësi për të, ai përpiqet të jetë sa më serioz, i thelluar e kompetent në mendimet e tij. Ndërsa kur i kërkojnë të kryejë një punë të rëndomtë, pa shumë përgjegjësi, ai e kryen pa kujdes dhe me indiferencë atë. Ndonjëherë edhe kundërshton. Për shembull, për të blerë cigare për të atin. Kjo ndodh sepse ai nuk e vlerëson detyrën dhe e ul kërkesën ndaj vetes. Në rastin tonë, mund të kundërshtojë të shkojë, mund të kthehet me vonesë ose mund të kthehet pa e kryer fare, duke sjellë pretekste të ndryshme.

Qëndrimi kritik i adoleshentit ndaj vetes shprehet më tepër me fjalë sesa me veprime konkrete. Atij i mungon forca e duhur e vullnetit, përpjekjet kembëngulëse për të luftuar tek vetja gabimet e të metat. Ose, më saktë, ende nuk e ka edukuar atë tek vetja. Sidomos ai është indiferent ndaj gabimeve të tij kur mungon qëndrimi kritik i të rriturve, i prindit, mësuesit dhe grupit të moshatarëve.

Sidoqoftë, në këtë moshë lind edhe tendenca për t’u vetëedukuar, pra synimi për të ndikuar në mënyrë të ndërgjegjshme e të vetëdijshme mbi veten, per të formuar veti të tilla të karakterit që adoleshenti i quan pozitive, për të kapërcyer e shmangur nga vetja veçoritë negative dhe për të luftuar me të metat e veta. Vetëedukimi është njëkohësisht edhe forma e shfaqjes aktive të personalitetit të fëmijës adoleshent. Ai presupozon në radhë të parë përgjegjësinë e fëmijës para vetes.

Vetëedukimi, duke shprehur pozitën aktive të adoleshentit, në raport me ndikimet edukative të mësuesve, prindërve e të rriturve të tjerë, nuk është synim abstrakt për vetëpersosje, me qëllim për t’u ngritur mbi kolektivin ose për t’u shkëputur nga ndikimi i të rriturve. Ai lind nga motive reale, nga dëshira për të zënë një vend të merituar në shoqëri, për të kryer sa më mirë detyrën e vet si qytetar, duke e përsosur vazhdimisht veten. Vetëedukimi nuk e mohon ndikimin e shoqërisë, madje ai është real kur organizohet nga shoqëria. Në rast të kundërt, adoleshenti nuk di ç’të marrë nga shoqëria e si të marrë prej saj. Prandaj, ka raste kur trimërinë e pavend adoleshenti e vlerëson si shprehje të guximit burrëror, sjelljen e kulturuar e me delikatesë, thjeshtësinë e modestinë i kupton si cilësi të njerëzve me karakter të dobët e të përkëdhelur etj.

8-genius-responses-for-when-your-teen-is-being-lazy-and-entitledDuke parë në këndvështrimin socialpsikologjik momentin e ndërlikuar të formimit të vetënjohjes, vetëvlerësimit e të vetëedukimit tek adoleshenti, arrijmë në disa përfundime:

Së pari, njohja, vlerësimi dhe edukimi i vetes, shikimi dhe qëndrimi kritik ndaj “unit” personal është një dukuri e rëndësishme për formimin e personalitetit të adoleshentit. Ato përbëjnë etapën me të lartë cilësore të zhvillimit të vetëdijes në këtë moshë, krijojnë bazën potenciale dhe reale të pjekurisë së plotë intelektuale, emocionale dhe sociale të personalitetit, i cili plotësohet më tej në vitet e mëvonshme.

Së dyti, procesi i vetënjohjes dhe vetëafirmimit të personalitetit të adoleshentit nuk mund të veçohet nga ndikimi tërësor i shoqërisë. Ai kushtëzohet kryesisht nga roli i makrofaktorëve socialë, dhe në radhë të parë, nga kushtet sociale të jetës. Është shoqëria ajo që e orienton dhe e praktikon fëmijën që të shikojë brenda vetes. Ai jo vetëm e shikon veten me sytë e shoqërisë, por kur peshon e mat vlerat e vetes, përdor kriteret normative të shoqërisë. Pra, raportet e adoleshentit me veten, kushtëzohen dhe integrohen në lidhjet që krijon ai me shoqërinë.

Së treti, në formimin e individualitetit të adoleshentit, në etapën e ndërgjegjësimit më të plotë të vetes, e nivelit të lartë të vetëdijes adoleshente, një rol të konsiderueshëm luajnë edhe faktorët e brendshëm motivues me natyrë socialpsikologjike të adoleshentit. Niveli i vetënjohjes, vetëvlerësimit e të vetëedukimit të fëmijës të kësaj moshe, varet edhe nga zgjidhja e kontradiktave të brendshme psikologjike të personalitetit, që kushtëzohen nga pozita e re sociale e tij.

Së katërti, njohja dhe vlerësimi i nivelit të ndërgjegjshëm të vetes tek adoleshenti dhe aktualizimi i tij në procesin e komunikimit me shoqërinë është detyrë e rëndësishme e edukatorëve, qofshin ata prindër, mësues apo të rritur të tjerë. Pa njohur mekanizmin e ndërlikuar socialpsikologjik të personalitetit të adoleshentit nuk mund të krijohet pamja e plotë e tij, nuk mund të shpjegohen dukuritë dhë problemet e reja të moshës që dalin gjatë procesit të arsimimit dhe të edukimit të saj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top