Marrëdhënie

March 21, 2020 | 8:11

Adoleshenti, tipare identifikuese dhe diferenca midis vajzave dhe djemve

Imagjinoni sikur jeni 15 vjeç dhe keni gjithë jetën përpara. Si një 15-vjeçar e imagjinoni jetën edhe për rreth 60 vite të tjera ose më tepër. A mendoni se ia vlen ta jetoni këtë të ardhme? Sipas Albert Kamy, të gjykosh nëse ia vlen apo jo të jetosh do të thotë t’i përgjigjesh pyetjes bazale të filozofisë, që është një problem vërtet serioz. Tek adoleshenti kjo mund të shndërrohet në një prej nevojave primare. Pasojat e përgjigjeve që i jep vetes mund ta shtyjnë atë të vetëvritet ose të lindë për së dyti, duke nxjerrë në pah tipare më të plota.

2

Fjala adoleshencë vjen nga latinishtja dhe do të thotë të rritesh biologjikisht, psikologjikisht dhe në aspektin social. Kjo është një periudhë tranzicioni mes fëmijërisë dhe moshës së rritur. Adoleshenca është mosha e melankolisë dhe përjetimeve të forta. Adoleshenti ka preokupim primar nevojën për t’iu përgjigjur pyetjeve: Kush jam? Çfarë do të bëj? Kujt i përkas? Çfarë duhet të bëj në jetë? Çfarë profesioni të zgjedh? Cilën nga alternativat duhet të zgjedh? A kam formën apo peshën e duhur trupore? A eci në mënyrën e duhur?…

Pyetje të tilla natyrisht reflektojnë një gjendje ankthi, e cila është karakteristike për moshën. Të menduarit e adoleshentit ndikohet nga një atmosferë rezistence dhe kriticizmi aktiv. Por është interesante se si adoleshenti arratiset prej momentit konkret dhe fillon të mendojë rreth asaj që është abstrakte dhe e mundshme, se si adoleshenti fillon të ndërtojë teori të reja, të gjejë kuptime të reja.

Si është…

Adoleshenti është egocentrik. Kjo ka të bëjë me ekzagjerimin e rëndësisë, veçantisë, seriozitetit të përjetimeve të veta sociale dhe emocionale. Ata mendojnë se janë vazhdimisht të vëzhguar dhe të gjykuar. Adoleshentët kanë prirjen të mendojnë për veten me terma heroikë, ndjejnë që janë specialë.

3

Ndonjëherë adoleshentët ndihen jetimë. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë se si njerëz kaq ordinerë si prindërit kanë sjellë në jetë njerëz kaq specialë si ata. Disa interesohen për artin dhe filozofinë, kryesisht atë ekzistencialiste. Të tjerë zhyten në vetmi.

Adoleshenti është në konflikt me veten dhe të tjerët, por nuk është në gjendje të kuptojë se gjithë ky shqetësim buron prej një ankthi të madh që ka të bëjë me “krijimin e vetes”. Krijimi i vetes do të thotë të gjesh një përkufizim për veten dhe është pjesë e zhvillimit të identitetit.

Pikërisht, sipas Erik Erikson, identitet do të thotë një entitet tërësor që buron nga e shkuara dhe përfshin plane e qëllime të së ardhmes. Formimi i identitetit është një proces shumë i gjatë, kompleks, që përfshin një vazhdimësi mes së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Sensi i identitetit i jep drejtim, qëllim dhe kuptim jetës së njeriut. Identiteti ka shumë komponentë, siç janë komponenti fizik, seksual, profesional, social, ideologjik, fetar, moral dhe psikologjik.

Adoleshentët joshen nga vlerat e një personi që shndërrohet në një figurë të rëndësishme, influencuese, përgjatë gjithë jetës. Adoleshentët bëhen të pavarur nga prindërit, ndërkohë që bëhen të varur nga shoqëria, mësojnë nga shokët dhe krahasohen me ta. Enden brenda një konflikti midis nevojës që t’i përkasin një grupi të caktuar dhe nevojës për t’u dukur unikë dhe individualistë. Kjo është një nga sfidat më të mëdha të adoleshencës. 

Adoleshentët janë sa të ngjashëm, aq edhe të ndryshëm. Diferencat duken edhe midis sekseve. Por konkretisht ku dallojnë vajzat nga djemtë në adoleshencë?

Së pari, dallimet janë fizike: tek vajzat, adoleshenca fillon diku te 11 vjeç, kurse te djemtë rreth 13 vjeç.

Në moshën 17-vjeçare, vajzat kanë dyfishin e indeve dhjamore në krahasim me djemtë.

Djemtë shqetësohen më tepër për forcën fizike dhe për gjatësinë e trupit, kurse vajzat për peshën dhe faktin se janë shumë të shëndosha. Për këtë arsye, vajzat mund të vuajnë anoreksinë dhe buliminë.

Djemtë kur arrijnë identitetin kanë më pak konflikte, kurse vajzat kanë konflikte të pazgjidhura sidomos me familjen dhe profesionin.

Vajzave ka më shumë të ngjarë t’u imponohen zgjedhjet.

Sa u përket bindjeve politike, meshkujt janë në statusin e një identiteti të arrirë, i kanë kaluar dyshimet dhe kanë zgjedhur ku të besojnë, kurse vajzat në identitet të imponuar, pra bindjet u janë imponuar nga familja kryesisht.

Ndër adoleshentët që kryejnë vetëvrasje ose tentojnë duket se djemtë e realizojnë vetëvrasjen, kurse vajzat mund të mbeten më shpesh në tentativë.

Të jesh adoleshent, çfarë rrezikon? Pa dashur ta dramatizojmë situatën, të jesh adoleshent mund të kryesh shumë sjelljes devijante.

Shqetësimi për format trupore dhe vetëvlerësimi i ulët mund të shtyjnë drejt çrregullimeve të të ngrënit, si bulimia apo anoreksia nervore.

Dëshira për t’u arratisur nga realiteti, dëshira për t’u dukur i rritur, dëshira për t’u dukur një njeri special mund të shtyjnë drejt drogave dhe alkoolit.

Depresioni mund të shtyjë në vetëvrasje. Të jesh adoleshent nuk është e thjeshtë. Rreziqet janë më të mëdha se në moshat e tjera.

John Ciardi thotë për adoleshencën: “Nuk ke pse vuan për t’u bërë poet, sepse adoleshenca po vuan mjaftueshëm për të gjithë”.

Të tjerë artin e kanë parë si një nga arratisjet më të mëdha të adoleshencës. Në thelb është mungesa e ekuilibrit midis besimeve personale dhe asaj që shikon përreth. Si do të doje të të shihnin të tjerët?

Nëse do të pyesnit një adoleshent, ka të ngjarë t’ju thotë se nuk shqetësohet fare për këtë gjë. Kushdo që jep këtë përgjigje, nuk tregohet i sinqertë. Patjetër që shqetësohet! Në disa raste vetë jetesa e përditshme varet nga përgjigjja që i jep kësaj pyetjeje. Problemi është që adoleshenti dëshiron të shihet si një person i vërtetë. Ekuilibri cenohet kur ndihet konfuz dhe i keqkuptuar.

Pse të tjerët nuk i shikojnë gjërat në këtë mënyrë? Kjo e shqetëson, i shkakton frustrim dhe mërzi. Adoleshenca është moshë me një qiell jo të kthjellët, por nuk është më pak problematike të jesh kronologjikisht në vitet e adoleshencës dhe të mos e jetosh atë. Me fjalë të tjera, janë më pak të shëndetshëm adoleshentët pa adoleshencë sesa ata që e jetojnë adoleshencën me të mirat dhe të këqijat e veta.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top