Psikofakt

June 11, 2016 | 6:15

Ai e di që ajo e ka kuptuar

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Një koleg i dikurshëm, me të cilin ende kam miqësi, ndonëse e takoj rrallë, më tha një ditë se kishte rënë në dashuri me një kushërirën time të dytë. Kjo e fundit dukej e lumtur: më në fund kishte gjetur dashurinë e vërtetë, princin e saj të kaltër. Por ja që, pas disa muajsh të ëmbël, ime kushërirë më lajmëroi për prishjen e beftë të lidhjes së saj me ish-kolegun tim. Pa të keq fare, e pyeta për arsyen e kësaj ndarjeje. Përgjigjja e saj qe: “Ai më la sepse, siç ma komunikoi papritmas, i ishin ftohur ndjenjat karshi meje. Të paktën kështu më tha, por unë dyshoj për diçka tjetër. Për diçka që, në ballafaqim me vetveten, me ndërgjegjen tij, ai lufton prej kohësh që të mos e pranojë se e ka, diçka që e pengon të lidhet përfundimisht me një femër”. Me gjithë këmbënguljen time, kushërira nuk pranoi të ma thoshte shkoqur se për çfarë dyshonte. Ta pranosh apo të mos e pranosh një tipar personaliteti apo karakteri jo më botërisht, por as me veten tënde, më duket të jetë mirëfilli një dilemë hamletiane. Sigurisht që njohja e vetvetes nuk është e lehtë: “Njih vetveten”, këshillonte Sokrati; “Bëju ai që je”, shtonte pas shumë shekujsh Niçja. Ta njohësh vetveten do të thotë të pranosh jo vetëm vlerat pozitive, por edhe ato negative që ke si personalitet, si karakter, si natyrë; do të thotë të pranosh jo vetëm ato tipare që i ke të ngjashme me të tjerët, por edhe ato që i ke të ndryshme. Në pamje të parë, kjo mund të duket gjë jo fort e vështirë. Mirëpo kur bëhet fjalë për tipare të cilat, në një periudhë të dhënë, në një shoqëri të dhënë, përbëjnë diçka që opinioni publik, me të drejtë apo pa të drejtë, e konsideron si të papranueshme, si devijim, si lajthitje apo perversion, atëherë vërtet që nuk është e lehtë t’i deklarosh ato publikisht ngaqë mund të kesh pasoja jo vetëm ligjore, por edhe morale në sytë e familjes, të afërmve, miqve e kolegëve. Kështu, për shembull, unë e kuptoj që edhe sot, kur paragjykimet lidhur me orientimin seksual të dikujt kanë rënë në botën e emancipuar, madje kanë nisur të bien, ndonëse me shumë ngadalësi, edhe në shoqërinë tonë të brishtë demokratike, të pranosh publikisht që je homo, bi, trans, travesti, lesbike etj., me një fjalë gay, është shumë e vështirë edhe pse ekziston një ligj, miratuar para dy vitesh, më duket, kundër diskriminimeve të çdo lloji në Republikën e Shqipërisë.

Gjithsesi, duke menduar kohën e largët kur kisha qenë mësues njëkohësisht me ish-kolegun në një qytezë jugore disa orë me makinë nga Tirana, m’u kujtua se edhe atje ai kishte nisur tri-katër herë një marrëdhënie dashurore, pastaj, befasisht, e kishte ndërprerë atë me pretekstin se nuk ndiente më asgjë për të zgjedhurat e tij të njëpasnjëshme. Befas, pata një si ndriçim në tru: mos vallë ish-kolegu im kishte prirje homoseksuale, por, duke mos dashur t’ia pranonte vetes, bënte përpjekje të dëshpëruara për t’u lidhur me femra në mënyrë që t’i provonte pikërisht vetes se ishte heteroseksual?

Mos vallë atë e brente dyshimi që çdo femër me të cilën ishte lidhur dhe kishte bërë dashuri e kishte kuptuar këtë? Mos vallë, edhe në rastin e sime kushërire, ai e di që ajo e ka kuptuar? Në qoftë kështu, do ta këshilloja që të konsultohej me ndonjë psikolog serioz, i cili, sipas gjasës, do t’i sugjeronte që t’ia pranonte të paktën vetes se është homoseksual, sepse, në këtë mënyrë, ai do të ndihet më mirë, më në paqe pikërisht me veten.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top