Uma Thurman ka rrëfyer sekretin më “të errët” gjatë gjithë jetës së saj, teksa fliste dje për “Washington Post”. Ylli i “Kill Bill”, 51 vjeç, shkroi një ese për ndalimin e abortit në Teksas duke u nisur nga historia personale.
Thurman zbuloi se vetë ajo ka pësuar një abort në “adoleshencën e vonë”, shkruan “Page Six”.
“Ky ligj (sipas të cilit aborti ndalohet sapo të dëgjohet një rrahje zemre e fetusit) është një mjet tjetër diskriminues kundër atyre që janë në disavantazh ekonomik, dhe shpesh, kundër partnerëve të tyre,”- tha Thurman.
Ajo vazhdoi: “Gratë dhe fëmijët e familjeve të pasura kanë të gjithë të drejtën e zgjedhjes dhe përballen me më pak rrezik. Unë jam e pikëlluar, që ligji i vë qytetarët kundër qytetarëve, duke u mohuar atyre zgjedhjen për të mos pasur fëmijë, për aq kohë sa nuk mund të kujdesen për ta, ose duke shuar shpresat e tyre për familjen e ardhshme që mund të zgjedhin.”
Thurman tha se vendimi i saj në një moshë të re, kur ndihej e paaftë për të siguruar një shtëpi të qëndrueshme, i dha asaj mundësinë të kishte fëmijë kur të ishte gati dhe kur të ishte në gjendje ta bënte siç duhet.
“Ky ka qenë sekreti im më i errët deri më tani,”- tha ajo.
Thurman është nënë e një vajze sot, e cila quhet Maya, si dhe e një djali, që quhet Levon. Ata kanë ardhur në jetë nga marrëdhënia e saj me ish-bashkëshortin, Ethan Hawke. Ajo gjithashtu ka një vajzë, Luna, me ish të fejuarin, Arpad Busson.
Burimi / PanoramaOnline
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.