FB

September 24, 2021 | 8:20

Posta nga Denata Toçe / A ta pranoj fejesën?

Ndihem e shqetësuar, deri në atë pikë sa të mendoj se më është mërzitur jeta. U dashurova me një burrë të fejuar, por nuk e dija se ishte i tillë, nuk kishte as unazë në gisht. Krijova shpresa me të, sepse flisnim, qeshnim bashkë, madje tërë kohës më shikonte, derisa një ditë ia shpreha ndjenjat dhe më refuzoi, duke më thënë se ishte i fejuar. Kishim vetëm pesë muaj komunikim. Tani kam një kërkesë për fejesë. Është një djalë i shkëlqyer dhe ka një familje po kaq të mirë, por ka një problem. Unë ende mendoj për atë burrin e fejuar, dhe nuk ndihem gati për këtë fejesë, edhe që nga momenti që më erdhi kërkesa për kurorë, më iku humori.

Ndihem tepër e mërzitur dhe nuk di çfarë të bëj. Prindërit janë interesuar për këtë person dhe i kanë thënë fjalët më të mira. Prindërit e mi janë kaq të emocionuar për këtë fejesë, por nuk e dinë se si ndihem unë. Ata nuk është se më detyrojnë, thonë që e kam unë në dorë këtë gjë, por do të mërziteshin shumë nëse unë nuk do e pranoja këtë fejesë. Nuk është se e pres këtë fejesë me ndonjë emocion të madh, thjesht nuk ndihem mirë me veten dhe jam pak e lodhur mendërisht, më mirë do preferoja një fejesë jo me shkuesi por ta merrja vetë, por pamundësinë për ta gjetur vetë, se jam tërë ditën në shtëpi, nuk jam as në shkollë dhe as në punë. Kam mbetur në dorë të tyre për të ma gjetur një burrë. Nuk di si të veproj, a ta pranoj këtë fejesë?

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Vendimi për t’u fejuar ose jo, do të jetë VETËM i juaji, as i imi, as i prindërve dhe as i kërkujt tjetër. Marrëdhëniet ndërpersonale janë komplekse në mënyrën se si zhvillohen. Ato mbarsin të gjitha cilësitë tona, ambiciet, komplekset, përvojën e jetës, modelet, skemat sociale, etj. Një nga skemat social-kulturore është edhe sigurimi i një partneri të përshtatshëm për ju në këndvështrimin e familjes. Me këtë nuk po them që ka ndonjë gjë që nuk shkon, por po mundohem t’ju vë përpara syve ndryshimin midis vetë-funksionimit dhe të konsideruarit si të mirëqenë që, marrëdhëniet me vendime jetike, ku përfshijnë vite të tëra jete, vijnë me propozim nga familjet.

Ndoshta propozimi juaj nga familja mund të jetë mjaft i mirë, por mekanizmi për të realizuar marrëdhënien me partneritetin tuaj, është i pasigurt pasi marrëdhënia kërkon disa dimensione që të jetë e shëndetshme. Njohja, bashkëndarja dhe bashkëjetesa ndërkohore janë parametra të cilat do të duhet të zhvillohen për të siguruar një mendim, besim dhe më pas bindje në raport me partnerin që do të keni në krah. A i keni siguruar ju këto parametra? A e njihni ju partnerin që prindërit propozojnë? A keni shpenzuar kohë me të? A keni komunikuar me të? Ndoshta mes jush mund të lindë një ndjenjë e mundshme ashtu sikurse mund të ndodhë natyralisht krejt e kundërta.

Vetëm kështu ju do të jeni e bindur mbi zgjedhjen nëse ky partner do të mund të jetë njeriu i së ardhmes suaj ose jo. Vetëm kështu do të jeni e sigurt se “lëndimi” i prindërve nuk mund të jetë asnjëherë më i madh se lëndimi juaj nëse merrni një person që nuk e doni dhe nuk është i përshtatshëm në pritshmëritë tuaja, ose i denjë për të qenë partneri juaj. Deri këtu flasim për zgjedhjen midis marrjes në konsideratë të propozimit të prindërve ose jo, që të kuptohemi. Se sa për partnerin tjetër, do të duhet të pranoni objektivisht se ai është i fejuar.

Edhe pse është joshës, tundues dhe nxitës mendimi “po sikur” ose “as sikur”, sërish do të duhet të mendoni me këmbë në tokë në raport me rrethanat. Pastaj, mendoni se sa e vështirë mund të jetë për partneren e tij nëse do të mendonte se partneri flirtonte me dikë tjetër dhe i ka lënë të mendojë se kishte ndjenja për të?! Pasi ajo që ai ka bërë është flirtimi me ju, pra ju ka lënë të mendoni se kishte diçka mes jush. A nuk është e padrejtë kjo gjë?

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 160

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top