Dëshmi

January 31, 2020 | 8:46

Alma Nikolli: Trending… një emision që synon të edukojë vlera

Një emision i vërtetë, një emision jashtë skenografisë apo ndriçimit dixhital të një studioje televizive. “Trending” është gjithçka plotëson një emision për rininë, duke e prekur dhe përcjellë realitetin e kësaj grupmoshe me të vërtetat ndjesore direkt nga terreni.

Për autoren e këtij emisioni që i ka kapërcyer me sukses 12 shfaqjet e tij në ekranin e News24, energjia e të rinjve nuk kufizohet brenda katër mureve të një studioje. “Nuk mjafton një mikrofon dhe disa kamera për të përcjellë realitetin. Jeta është jashtë, ndaj dhe ne jemi në ndjekje të saj”, thotë Alma Nikolli. Sipas saj, studio e “Trending” janë rrugët, shtëpitë, stadiumet, sheshet, çdo vend ku ka të rinj.

Një emision për të rinj, pse një emërtesë në gjuhë të huaj?

Është një emision i të rinjve për të rinjtë. Thuajse i gjithë stafi që punon për realizimin e emisionit janë të rinj, po ashtu të ftuarit, po ashtu qasja. Emri gjithashtu është përshtatur me rininë, rininë që më shumë se kurrë po orientohet drejt globalizmit.

Si lindi ideja për këtë emision? Kish mungesa?

Qëllimi ishte i qartë: Na duhej një emision për të cilin ne të parët kishim nevojë. Na duhej një emision që së pari do kishim dëshirë ta shikonim vetë. Në kohët kur interneti ofron informacione të pakufizuara, që edhe pse shpesh janë tejet sipërfaqësore, të konkurrosh me një emision televiziv që synon të edukojë e transmetojë vlera është paksa e vështirë. Megjithatë një hapësirë televizive që e trajton më thellësisht problematikën rinore mungonte, ndaj lindi Trending.

Çfarë keni sjellë ndryshe, apo të guximshme në qasjet tuaja?

E guximshme do të ishte nëse do të thoja që ne jemi revolucionarë. Megjithatë nuk jemi. Ndryshe? Cilido qoftë formati, të ndryshëm e bën fakti që niset me qëllimin e mirë për të qenë ndryshe. Ne mendojmë se jemi. Në ekran transmetohet rreth një orë emision, por pas tij qëndron një javë e tërë. Studio jonë janë rrugët, shtëpitë, stadiumet, sheshet, çdo vend ku ka të rinj. Mbase ky është ndryshimi që sjell “Trending”. Energjia e të rinjve nuk kufizohet brenda katër mureve të një studioje. Nuk mjafton një mikrofon dhe disa kamera për të përcjellë realitetin, jeta është jashtë, ndaj dhe ne jemi në ndjekje të saj.

Cila është gjuha e tre moderatorëve, është një miks mes komunikimit që bëjnë sot të rinjtë, apo do të ngrejë gracka përmes tyre, për të nxjerrë në pah problematikat dhe pse jo një orientim drejt zgjidhjes?

Moderatorët po ashtu si të intervistuarit janë vetja e tyre. Që nga gjuha me të cilën komunikojnë e deri tek qasja që kanë mbi tematikat që trajton emisioni. Ata kanë humor, shpesh janë bashkëvuajtës, por edhe argëtohen njëlloj. Por komunikimi mes moderatorit dhe të ftuarit nuk fillon kur fillon intervista dhe nuk mbaron aty. Përpiqemi që ta njohim të ftuarin përtej disa minutave intervistë. Disa nga historitë përcillen më të plota, duke e vënë theksin tek një pikë kyçe e problematikës. Emisioni është i ndarë në tema, më e rëndësishmja është “Tema e javës”. Emisioni i parë që u transmetua kishte në fokus një student që jetonte në konviktet e “Qytetit Studenti”, moderatorja që e intervistonte ishte vetë studente, në këtë mënyrë biseda është më reale, më e ndjerë. Të rinjtë e kuptojnë njëri-tjetrin dhe e ndiejnë njëri-tjetrin, më shumë se të tjerët i kuptojnë apo ndiejnë ata.

Ka më shumë tema shoqërore, apo pak nga të gjitha? Apo siç komentohen në disa faqe një pjesë e titujve me në krye “shpërthime” dhe “çmendurira”?

Një nga pikat më të forta të emisionit është larmishmëria e tematikave. Për shembull, disa nga personazhet kanë qenë: Një police 23-vjeçare që u përball me shokët e klasës në protestën studentore; një djalë jetim që ka kaluar një pjesë të fëmijërisë në rrugë, ndërsa sot ëndërron të përfundojë shkollën; një i droguar që po rehabilitohet; një soprano, një futbolliste, një grup vajzash peshëngritëse, një violinist që pëlqen muzikën rock, balerinë, këngëtarë e aktorë ende të panjohur. Pak nga të gjitha e të gjithë, por të trajtuara cilësisht (së paku kjo është ajo që pretendojmë). Nuk është një emision që kërkon të bëjë “bum” me tituj apo me zhveshje, është ideuar për të pasur rol edukativ. Vlerësimin se sa ia kemi arritur e jep publiku. Ne duam të ndiqemi dhe ndiqemi, por jo përmes një titulli që është karrem për të përcjellë asgjë. Duam që historia jonë të ndiqet nga fillimi në fund për hir të përmbajtjes që ka.

Një gazetar i mirë është vetëm ai që prek terrenin nga afër vetë. Si e keni menduar këtë pjesë, sepse nga këtu ngacmohen emocionet për t’i përcjellë mandej me gjuhën që kërkon publiku?

Trending është vetëm në terren. Për të treguar të mirën dhe të keqen e jetës rinore në Shqipëri. Është e vërtetë që terreni është “miniera”. Aty fshihen pasuritë për një gazetar. Historitë do të ishin të varfra nëse me apo pa dashje nuk do të zbuloheshin detaje që terreni i “fsheh”. Jo vetëm për gazetarin, por edhe për të ftuarit është më e rehatshme të jenë në terrenin e tyre. Për një futbolliste është më e lehtë ta rrëfejë pasionin e saj në fushën e lojës veshur me taka futbolli, se sa brenda një studioje televizive “e detyruar” të veshë taka të tjera.

Çfarë mendimi ke ti personalisht si gazetare për qasjen e emisioneve të ngjashme?

E di çfarë, më pëlqen shumë kur ata që e kanë ndjekur emisionin, ndër të tjera më thonë: Alma e kam parë, më pëlqen koncepti juaj, një emision i tillë na mungon ne të rinjve. Besoj se emisioneve të ngjashme u mungon kjo qasje e jona ndaj jetës së të rinjve. Besoj se për hir të shikueshmërisë emisionet rinore janë orientuar drejt botës së spektaklit. Nuk mendoj se të tjerët nuk dinë të jenë përmbajtësor, por rruga më e shkurtër për te klikimet është të bësh pyetjen e duhur provokuese, që paramendohet të ketë përgjigjke që prodhon titull të klikueshëm. Edhe ne duam e jemi të klikueshëm, por jo duke mos thënë asgjë. Sigurisht që emisionet e ngjashme me Trending trajtojnë edhe tematika si tonat, që janë motivuese, të bukura, të trishta, plot mesazhe, por fokusin më duket se e kanë tek spektakli.

Cilat janë vështirësitë në daljet e para të emisionit?

Ne, kryesisht synojmë të sjellim në ekran të rinj që kanë shumë për të rrëfyer, por që nuk e kanë pasur mundësinë ta bëjnë. Por kjo shpesh sjell probleme. Të pamësuar me daljet në TV, ka të rinj që kanë shumë për të treguar, por që nga emocionet nuk mund ta shprehin të plotë atë që vërtet kanë brenda tyre. Ashtu siç fsheh surprizat më të mëdha, terreni strehon në vetvete edhe problemet më të mëdha. Besoj këtu mbarojnë “telashet” tona.

Pas transmetimit të emisioneve të para, kishte edhe dilema. Kishim nevojë për kritika e për fjalë të mira. Kur punon gjatë gjithë kohës më një material është e vështirë që kur transmetohet të mos gjesh gabimet që ndoshta askush s’i vëren. Fillimi ishte i tillë, me ndonjë pasiguri apo dilemë, më pas energjia dhe frymëzimi e zbehën maninë për t’u vetëkritikuar. Tashmë jemi kritikë më dashamirës e më kërkues, ndërsa si skuadër kënaqemi shumë. Pa dashur të bëj falënderimet që mund të konsiderohen si klishe, ndiej t’ia dedikoj suksesin grupit. Luljeta Progni është redaktore e emisionit, një shkollë për të gjithë ne.

Moderatorët Melisa Mehmetaj, Xhonald Mamo dhe Greta Allushi janë të rinj me shumë energji dhe e duan shumë punën që bëjnë. Ndaj çdo problem lehtësohet kur je një skuadër në kuptimin e vërtetë të skuadrës.

GRETA ALLUSHI | Nëse Greta shfaqet në ekran dhe ti tenton ta fotografosh, thjesht e ke të pamundur. Është gjithmonë në lëvizje e duke folur. Greta Allushi është studente në vitin e parë Bachelor për degën Administrim Biznes në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Që në moshë të vogël ka prezantuar aktivitete të ndryshme, ndërsa karrierën profesionale e ka nisur me modelimin e aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Tiranës. Përvojën televizive e ka nisur në IN Tv me KafeIN, më pas me projektin RinQuiz, si moderatore dhe autore, emision që përballte në konkurrim gjimnazet e Tiranës. Për Gretën, ftesa për të qenë pjesë e emisionit ishte: “Të promovosh të rinjtë dhe të trajtosh problematikat e tyre është puna më e bukur që mund të bësh, më besoni. Ndaj dhe e pranova me kënaqësi ftesën. Tani që emisioni po transmetohet di t’u them se është një përvojë shumë e bukur televizive. Sigurisht dhe një projekt shumë i mirë i shtuar në CV”.

MELISA MEHMETAJ | Teksa Melisa u drejton mikrofonin moshatarëve të saj, në fytyrë i lexohet mimika që ata kanë. Ajo përjeton gjithçka që të rinjtë rrëfejnë para kamerës, ndërsa para zgjedhjes për të intervistuar një të ri, gjithnjë karakterizohet nga entuziasmi. Melisa Mehmetaj është studente në vitin e tretë Bachelor për degën Gazetari në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Përvpja e saj e parë televizive ishte në emisionin “Nkokë” në RTSH. Melisa është patriote e shprehjes:” Kurrë mos lejo që frika se mos humbet, të të lërë pa luajtur”. Për Melisën: “Ftesa për të qenë moderatore në emisionin Trending pati përgjigjen direkte “Poooo”. Ishte pikërisht ajo që doja në atë moment të jetës sime. Të promovosh të rinjtë në një emision televiziv është një kënaqësi me vete”.

XHONALD MAMO | Xhonaldi është artisti i grupit. Pika e tij më e fortë është fotografia, ndërsa gazetaria është pasioni i tij më i madh. Studimet i ka përfunduar për shkenca kompjuterike, por qëllimi dhe dëshira e tij më e madhe që në moshë të vogël ka qenë televizioni. Xhonaldi e ka nisur karrierën e tij në moshën 18-vjeçare me një program në radio, përvojë që është pasur nga emisioni televiziv GeekRoom. Por si e priti Xhonaldi ftesën për të prezantuar në “Trending”: “Nuk e mendova shumë shumë gjatë dhe pranova menjëherë ftesë, në një mënyrë shumë spontane. Dhe duhet thënë, se si çdo gjë që vjen në mënyrë spontane rezultati është gjithmonë entuziast”.

Kur transmetohet ai si orar, ditë dhe për ata që nuk mund të jenë para ekranit, si mund t’ju shohin?

Të mërkurën në orën 20:00 pa 1 minutë rrëmbeni pultin dhe stacionohuni të News 24. Në 20:00 “Trending” nis rrëfimin e javës. Gjithashtu, Trending transmetohet edhe ditën e enjte në orën 15:00. Por nëse për arsye madhore e humbisni transmetimin në TV, çdo emision gjendet në kanalin e News 24 në Youtube. Gjithashtu na gjeni në Trending Tv Show në Facebook dhe Trending_Tv.Show në Instagram.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 145

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top