Sot është dita e një fillimrruge drejt dijes për çdo fëmijë. Dhe sfida e prindërit po ashtu edhe e mësuesit është të bëhet bashkudhëtar në këtë udhëtim zbulimi për çdo fëmijë.

Almira Llausha, Psikologe, Terapiste EMDR, Terapiste ABA, Specialiste në Psikologjinë Emergjenciale, Specialiste për të Drejtën dhe Mbrojtjen e Fëmijës.
Mund ta quajmë për disa fëmijë “udhëtim të bukur”, për arsye se e kanë pritur me padurim ditën e parë të shkollës dhe emocionin më të papërshkrueshëm. Por ka edhe nga ata fëmijë të cilët e kanë të vështirë ditën e parë të shkollës e mundet t’ju duhet më tepër kohë për t’u stabilizuar.
Kanë ditë e javë që përgatiten për ditën e parë të shkollës. Madje e kanë pritur me padurim. Por me ardhjen e ditës së sotme fëmijët kanë pasiguri e shumë pyetje për çdo gjë, dhe tek ata kjo mund të shkaktojë disa emocione si: ankth, frustrim, parehati, irritim e hutim. Secili fëmijë mund ta përjetojë në mënyra të ndryshme dhe, po ashtu mund të sillen në mënyra të ndryshme.
Këto përjetime, emocione mund të vijnë nga ndryshimet:
-kalimi nga ambientet e kopshtit në shkollë
-mësuesit e rinj
-detyra të reja
-shokë të rinj
-ambiente të reja larg gjirit të familjes
-ndonjëherë edhe ndryshimi i shkollës nga një qytet në një qytet tjetër…
Prindërit duhet të tregohen empatikë, të kujdesshëm, të vëmendshëm, që të kuptojnë dhe të hyjnë në botën e fëmijëve e t’i inkurajojnë në shprehjen e emocioneve të tyre. Të pranojnë sjelljet e tyre. Jepuni siguri e mbështetje. Jini të sigurt dhe shfaqni qëndrueshmëri në veten tuaj që ta transmetoni këtë siguri tek të vegjlit tuaj.
Mbështetini dhe mirëkuptojini sjelljet dhe emocionet e fëmijës edhe ju mësues.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.