Mirëqenie

October 26, 2016 | 8:17

Anemia

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Anemia është një çrregullim i gjakut, që shoqerohet me pakësimin, rënien e numrit të rruazave të kuqe të gjakut në organizmin e njeriut. Si rezultat i uljes se nivelit të hemoglobinës në rruazat e kuqe, e cila është një ndër komponentët përbërës më të rëndësishëm të rruazave të kuqe të gjakut, që bën transportimin e oksigjenit në të gjitha indet e organizmit, ky lloj çrregullimi mund të sjellë probleme të pariparueshme shëndetësore. Shkaktarët e anemisë janë të shumtë si: shkatërrimi i rruazave të kuqe, humbja e gjakut si pasojë e shumë faktorëve, prodhimi dhe rigjenerimi i pamjaftueshëm i rruazave të kuqe të gjakut, çrregullimet e trashëguara në organizmin e njeriut, kequshqyerja, si mungesa e hekurit dhe vitaminave, infeksionet e ndryshme, prezenca e disa kancereve, ekspozimi ndaj medikamenteve toksike, etj.

Nëse dikush është i prekur nga anemia, ndër shenjat më të mundshme dhe më të zakonshme mund të jenë: zbehja e lëkurës, skuqje jo normale e buzëve dhe krijimi i një shtrati tek thonjtë, gjendje e lartë e irritimit, lodhje fizike, marrje mendsh dhe takikardi, rrahje e shpejtë e zemrës. Ka edhe shenja apo simptoma të tjera të cilat janë më tepër për t’u trajtuar në rrugë klinike dhe nuk mund të dallohen lehtësisht. Ka disa raste të prekjes së grupeve të ndryshme nga mosfunksionimi si duhet i disa proçeseve fiziologjike dhe kimike. Diagnostikimi i kësaj patologjie ndodh pasi të jenë kryer një sërë testesh të përbërjes së gjakut, siç mund të jetë testi i përbërjes së gjakut, duke përfshirë këtu të gjithë komponentët e tij. Ndër shkaqet e anemisë mund të jenë mungesa e vitaminave dhe mineraleve, për shkak të një diete të varfër me hekur, acid folik, vitaminë B12 dhe vitaminë C. Vitamina B12 dhe acidi folik, në veçanti, konsiderohen të nevojshme për formimin e qelizave të shëndetshme të kuqe të gjakut. Shkak tjetër për shfaqjen e anemisë mund të jetë gjithashtu prania e ndonje sëmundje serioze që prek veshkat dhe palcën kurrizore. Mund të ketë probleme në përthithjen e vitaminës B12, hemorroide, gjakderdhje të brendshme dhe konsum të dobët të hekurit.

Trajtimi varet direkt në llojin dhe shkakun e anemisë dhe fillon me ristrukturimin e niveleve të hekurit në gjak, që mund të çojë në degjenerim të sëmundjes. Përvoja ka treguar se edhe kurat popullore kanë dhënë rezultate të shkëlqyera në shërimin e shumë sëmundjeve. Të sëmurët anemikë duhet të konsumojnë ushqime të shumëllojshme dhe të pasura me hekur, si mish, peshk, shpretkë, vezë, perime, fruta etj. Lëngu i shalqirit dhe mjalti ndihmon për të luftuar sëmundjen. Pirja e tri lugëve të vogla në ditë nga masa e përftuar me shalqi, karafil dhe sheqer është një kurë e mirë për të luftuar aneminë. Kjo kurë ndihmon për të trajtuar aneminë në kushtet e shtëpisë. Të sëmurët anemikë duhet të konsumojnë ushqime të pasura me hekur, si: mish, peshk, shpretkë, vezë, perime, fruta etj. Këtyre të sëmurëve u këshillohet përdorimi i frutave të freskëta, që përmbajnë vitamine C, e cila ndihmon në absorbimin ose marrjen e hekurit. Nëse pinë kafe, çaj, kakao apo edhe lëngje të tjera, që përmbajnë kafeinë, duhet t’i marrin dy orë para ose pas ushqimit, sepse vështirësojnë absorbimin e hekurit. Ne kemi përzgjedhur disa nga ushqimet bazë të cilat luftojnë sëmundjen e anemisë dhe ndihmojnë të gjithë pacientët kronikë të kësaj sëmundje ta ndjejnë sa më pak atë. Gjithçka përgatitet dhe konsumohet në kushtet e shtëpisë, pa shpenzime të mëdha financiare.

Hurma ndihmon për kurimin e anemisë dhe në mjekësinë popullore përdoren pothuajse të gjitha pjesët e bimës, frutat, gjethet, degët, rrënjët etj. Në vendet arabe është ushqim kryesor, i cili shuan urinë për shkak të përbërjes së celulozës. Hurmat kanë gjetur përdorim të mirë kundër anemisë. Edhe në vendin tonë, mjekët popullorë i kanë kthyer të gjitha kërkimet për sëmundjen e anemisë tek hurmat. Tezë kjo e cila hedh poshtë faktin e hurmat bëjnë mirë vetëm për gjëndrat tiroide. Pasi ato janë shumë të domosdoshme të konsumohen nga të gjithë ata që kanë probleme me gjakun e tyre, kryesisht mangësira si në rastin e anemikëve.

Karrota është e pazëvendësueshme për shëndetin e njeriut. Lëngu ditor i karotës në sasi prej 50-150 gram është ilaç efikas te të sëmurët, që vuajnë nga anemia. Karota në periudhë rekord e rregullon pastrimin e gjakut. Këshillohet që të gjithë ata persona që vuajnë nga anemia, të konsumojnë minimalisht 2 karota që qëruara çdo ditë, ndërkohë që në ushqimet e tyre nuk duhet të mungojë asnjëherë karotat. Vetëm përdorimi i përditshëm i karotave sjell eliminimin e problemeve me gjakun dhe ul riskun për sëmundje të tjera.

Rrepa e kuqe është ushqimi bazë për anemikët. Këtyre të sëmurëve u këshillohet pirja çdo ditë e 150 ml lëng të rrepës së kuqe, para buke, apo të konsumohet sa më shpesh domatja. Nga ana tjetër këta pacientë kronikë, të çfarëdo grupmoshe që të jenë, duhet të marrin çdo ditë 10 – 15 fruta të mandarinës për një kohë prej 20 – 25 ditë. Injektimi i vitaminave, lëngjeve dhe sasive të gjakut nëpërmjet frutave dhe perimeve, sipas Mjekësisë Popullore duket të jetë edhe rroga më e mirë për rritjen e nivelit të gjakut në organizëm dhe mbi të gjitha normalizimin e sistemit organik.

Gjethet e hithreskarakterizohen nga përmbajtje e hekurit, e pranishme kryesisht në gjethet e saj, duke u konsideruar një bimë anti-anemike. Hithra është në gjendje të stimulojë prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, për shkak të përmbajtjes së hekurit dhe vitaminës C. Gjethet e hithrës mund të përdoren për përgatitjen e çajrave, supave, etj. Një kurë e efektshme për të sëmundjen e gjakut është edhe ajo e përgatitur nga 250 gramë gjethe hithre, 10 gramë uthull dhe 10 gramë gjethe delli. Të gjitha këto vendosen në 1 litër ujë të ftohtë, ku qëndrojnë 12 orë. Pastaj zihen për 10 minuta, ëmbëlsohen sipas dëshirës me mjaltë dhe pastaj sërish mbyllen dhe qëndrojnë të mbyllura për 20 minuta. Kullohen dhe pihen gjatë tërë ë ditës me lugën e kafesë. Kjo duhet të përsëritet disa herë në muaj dhe ndihmon në qarkullimin normal të gjakut si dhe rritjen e sasisë së tij në organizëm.

Panxhari i kuq – konsumi i panxharit të kuq dhe lëngu i tij është veçanërisht i përshtatshëm për ata që vuajnë nga anemia. Duhet të konsumohet për një muaj dy gota me lëng panxhari në ditë, sepse është si një strukturues i shkëlqyer i elementeve të gjakut.

Lule radhiqe – është konsideruar si një ilaç natyral e dobishme në rastet e anemisë. Mund të merret si çaj ose ekstrakt bimor, por edhe e freskët, e cila mund të shijohet në sallata. Lule radhiqe është jashtëzakonisht e pasur në kripëra ushqyese, të cilat pastrojnë gjakun dhe shkatërrojnë acidet në gjak.

Sanza – Shton rruazat e kuqe dhe të bardha të gjakut, duke luftuar kështu aneminë dhe duke rritur rezistencën e organizmit.

Lëng portokalli dhe limoni – si dhe të gjitha ushqimet e pasura me vitaminë C, ndihmojnë për të nxitur përthithjen e hekurit. Prandaj do të ishte e përshtatshme përfshirja e kësaj vitamine përmes konsumimit të lëngjeve të freskëta të agrumeve dhe nëpërmjet përdorimit të lëngut të limonit nëpër sallata të perimeve me gjethe të gjelbra. Është e këshillueshme të konsumohen brenda të njëjtit vakt ushqime të pasura me hekur (të tilla si fasule, spinaq, panxhar, brokoli dhe lakër) duke i shtuar dhe vitaminë C.

Luleshtrydhja përmban glikozidet e hidhura, insulinën, taninet, vitaminën B, C dhe provitaminën A, shumë minerale, ka përqindje të lartë të kripërave të kaliumit, sidomos në gjethe, karotenoide, proteinë, pektinën, holinën etj. Në rast se konsumatorët e kanë të vështirë në periudha të caktuara që të gjejnë luleshtrydhe në treg, atyre u këshillohet edhe përdorimi i lëngjeve të frutave që me luleshtrydhe por që nuk përmbajnë gaz.

– Farat e zeza u bëjnë mirë edhe anemikëve. Ato përmbajnë përafërsisht 38 % karbohidrate, 35 % vajra të ndryshëm, 21 % albumin dhe pjesa tjetër përbëhet prej më shumë se njëqind substanca të ndryshme. Për t’u përmendur janë: vajrat acidike të pangopura, acidi Linolein, acidi alfa-Linolein, vajrat me eter (nigellon, alfa-pinen etj.)

– Në ushqimin e përditshëm duhen përdorur mëlçitë, mishi i kuq, peshku, të verdhat e vezëve, pemët e thara, prodhimet e sojës. Rekomandohet përdorimi i qepës së kuqe dhe të bardhë, bizeleve, pemëve nga familja e arrave, fara, perime të gjelbra si dhe majdanoz, hithra, koriandër.

– Ushqimet e pasura me vitaminën C përshpejtojnë absorbimin e hekurit dhe do të ishte e dëshirueshme që gjatë vaktit të pihet një gotë lëng i freskët portokalli të shtrydhur ose të merret nga një tabletë e vitaminës C.

– Bakri ndihmon absorbimin e hekurit, ndërsa artikuj të pasur me këtë mineral janë djathi, të verdhët e vesë, frutat e detit, mushkëritë, drithërat integrale, perimet ngjyrë jeshile të errët, kajsitë, qershitë dhe fiku i tharë.

– Çaji, kafeja, kakaoja dhe vera e pengojnë shfrytëzimin e hekurit nga ushqimi.

– Nëse përdorimi i hekurit përmes ushqimit nuk mjafton, atëherë kalohet te preparatet e hekurit, përdorimin e të cilit e përshkruan mjeku.

Ushqimet që ndihmojnë absorbimin e hekurit janë:

– mishi/ peshku/ pula;

– portokalli, lëngu portokalli, pjepri, luleshtrydhet, qitro

– brokoli, lakra e Brukselit, domatja, lëngu i domateve, patatja, speci i kuq dhe jeshil, vera e bardhë.

Ushqimet që pengojnë absorbimin e hekurit

– vera e kuqe, kafeja dhe çaji;

– rrepa e bardhë, patatja e ëmbël;

– drithërat e papërpunuara dhe krundet;

– produktet e sojës.

Është e nevojshme të balancohet konsumimi i ushqimeve me mish dhe të përmirësohet konsumimi i vitaminës C për t’u rritur absorbimi i hekurit nga ato burime.

Hekuri gjendet në të verdhën e vezëve, pulë, mishin pa yndyrë të lopës, salmon dhe ton. Ushqimet bimore përfshijnë fasulet e thara, pemët e thata, siç janë jeshile siç janë brokoli, lakra jeshile, spinaqi dhe sallata. Drithërat e plota, duke përfshirë edhe grurin, melin, tërshërën dhe orizin integral, të cilët po ashtu përmbajnë hekur.

Me kombinimin e kujdesshëm të ushqimeve mund të përmirësoni absorbimin e hekurit. Kur hani burime bimore të hekurit konsumoni dhe ushqime që përmbajnë vitaminë C. Kur hani ushqim me prejardhje shtazore me të hani edhe burimet bimore të pasura me hekur.

Femrat shtatzënë nuk duhen të hanë mëlçi për shkak të përqindjes së madhe të vitaminës A. Sasitë e mëdha të vitaminës A mund të jenë të dëmshme për fëmijën.

Nese fëmija juaj nuk ka energji, ka pak oreks, është i irrituar, ka mungesë vëmendjeje, nuk shton në peshë mjaftueshëm apo ka shpesh infeksione, ai mund të ketë anemi. Por një gjë e tillë duhet të shihet nga mjeku, i cili do të përcaktojë më pas edhe diagnozën.

Para moshës dy vjeçare, anemia është shumë e përhapur te fëmijët. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që nuk duhet kuruar. Për ta parandaluar duhet një ushqim i pasur me hekur. Nëse fëmija juaj ka lindur para kohe, atëherë shtesa e masës së hekurit duhet të jetë më e madhe.

Nëse fëmija e ka lënë qumështin e gjirit para 9 muajsh, atëherë ju duhet t’i jepni fëmijës një ushqim të pasur me hekur.

Një fëmijë që nuk ka pirë qumështin e nënës, atëherë atij duhet t’i jepen ushqime të pasura me hekur, pasi rezervat e tij të hekurit mund t’i zgjasin deri në moshën 4-muajshe. Një bebe që ka lindur para kohe, nuk ka rezerva në hekur prandaj atij i duhet dhënë shtesë ushqimi të pasur me hekur që në moshën dy muajshe.

Ndërsa te një fëmijë që është rritur fillimisht me qumështin e nënës e më pas jo, një shtesë ushqimesh në hekur do të qe e nevojshme.

Ti jepni fëmijës qumësht lope para moshës 9-muajshe e shton rrezikun e anemisë. Duke qenë se fëmija është i vogël, stomaku i tij është i brishtë dhe ka mundësi që molekulat e qumështit të lopës janë ende të mëdha, që të treten nga stomaku i fëmijës. Kjo gjë mund t’i sjellë probleme me stomakun, për më tepër që qumështi i lopës ka më pak hekur dhe se fëmija e ka të vështirë ta marrë hekurin prej këtij qumështi. Me rritjen e fëmijës duhet që dhe ushqimi të ndryshojë. Burimet e hekurit për të janë më të mëdha. Kur stomaku i tij është pjekur mjaftueshëm, pas 9 muajsh, ai mund të pijë qumësht lope deri në 900 ml në ditë.

Ja cilat mund të jenë disa nga ushqimet e pasura me hekur për fëmijën tuaj.

Drithërat për bebe, të pasura me hekur, ai mund t’i hajë deri në moshën 2 vjeç. Perimet e gjalla janë një element ushqyes shumë i mirë, kështu që para se t’i konsumoni duhet t’i lani mirë. Për të pasur sa më shumë hekur, hani karrota me gjithë lëkurë dhe patate të pjekura. Mëlçi duhet të konsumojë të paktën një herë në javë për shkak të sasisë së madhe që ka me vitaminë A; mish dhe perime, barbunja, thjerëza, të verdhën e vezës dhe të gjitha jeshillëqet.

Perimet me gjethe jeshile përmbajnë shumë hekur dhe një gjë e tillë është e mirë për ata që nuk e hanë shumë mishin, peshkun apo vezët. Vitamina C, një element ushqyes që mund të gjendet në shumë fruta dhe perime, ju ndihmon gjithashtu për të pasur sa më shumë hekur në trupin tuaj. Nëse jeni me anemi, është mirë që të përdorni ushqime që kanë vitaminë C. Këtë vitaminë mund ta gjeni te portokalli, kivi, limoni, pjepri, domatet, etj. Perimet me gjethe shumë jeshile, përmbajnë më shumë vitaminë C.

Duhet të mënjanoni pirjen e çajit kur hani bukë, pasi është vërtetuar se kur pini çaj, trupi nuk e thith siç duhet hekurin.

Nëse i skuqni fort perimet e pasura me hekur, atëherë skuqja e tepërt ia heq vitaminat dhe ujin mineral, pasi skuqja e shkatërron vitaminën C te ushqimet. Prandaj më e mirë është pjekja me avull.

Për të mënjanuar aneminë tek fëmijët, duhet që t’i jepni sa më shumë ushqim të shijshëm. Përveç qumështit të nënës, fëmijët kanë nevojë për ushqim shtesë që në moshën 6-muajshe. Prandaj ju mund t’ia jepni të grirë këto lloj perimesh, që bebja ta ketë më të lehtë konsumin e tyre. Nuk duhet të reshtni, që me rritjen t’i shtoni ushqimet e pasura me hekur.

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top