Në fokus

January 8, 2018 | 7:50

Anton Pashku, fenomeni letrar me prirje të vazhdueshme drejt përsosmërisë artistike

Anton Pashku

Anton Pashku

Një nga figurat e shquara letrare shqiptare, Anton Pashku, lindi më 8 janar 1937 dhe u nda nga jeta në 31 tetor 1995. Punoi njëherësh gazetar, mandej redaktor i Rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese “Rilindja”. Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike: ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: “Nën qarr po rrinte vasha”, “Floçka”, “Kulla”, “Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë”, “Dy fjalë për një plak” dhe librin e tij kushtuar tymit, “Kënaqësitë e Megalopolisit”, “Anija e dehur”. Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani “Oh” ka bërë një ndikim të ngadalshëm, por të fortë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij. Dramat e Pashkut “Sinkopa” e “Gof” janë luajtur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrebit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera të shqiptarëve.

Vepra e tij letrare, është bërë vlerë kulturore kombëtare dhe tashmë është materie që mësohet në të gjitha nivelet e shkollave shqipe, ku ligjërohet letërsia bashkëkohore shqipe.

 

                      

Pjesëz nga

“Nga Ditari i Mirashit”

Kjo që po shkruhej, nuk asht ku me dijtë se çfarë ngjarje e madhe, por megjithatë unë po e shënoj në ditarin tim, sepse më ka ba përshtypje jashtëzakonisht të mirë.

Ditari im është plot këso ngjarjesh që më kanë lanë vragë të ndryshme, të cilat unë herë mbas here i lexoj me andje të madhe.

Edhe sot si çdo ditë u ula pranë vijës s’ujit për të vizatue. (Unë vizatimin e pëlqej shumë). Shpesh më rreh mendja, sa kur të rritem, kam me u ba vizatues i madh.

Koha ishte shumë e bukur, dielli rrezit te kandshëm dhe në qiellin e kaltër nuk mujsha me pa asnjë re. Nxora fletën e pastër të  vizatimit dhe aty në hijen e dendun të manit nisa me punue. Harrova me thanë se me mue ishte Tushi, -vëllau im më i vogël. Shumë pritoj me qenë i shoqnuem prej tij. Vërtet është i vogël, por plot dreqni. Asnjëherë nuk më lenë të qetë. Gjithmonë dora e tij don me prek diçka, gjithmonë ka me prish ndonjë send. Qe, pardje e derdhi mbi fletën e vizatimit, kinse pahiri, tanë shishen e bojës së zezë. E rraha, por… kështu edhe sot ku me dijt çfarë iu kishte tek me vizatue, asnjë as dy vetëm thoshte, ma jep këtë ngjyrë, ma jep atë… e unë dikur u mërzita ma prej tij, dhe i thashë se në qoftë se më vijon me më pengue, do ta rrah!

-Pse? – më pyeti ai.

-Shiko mistrec, – i thashë, – mblidhi mend e më le të qetë!.

-Po dhe unë more due me  e vizatue zhirafën, – tha Tushi.

-Mirë duhet me prit pak, a sheh se jam tue punue dhe unë.

-u mundova me ia mbush mendjen.

-Unë due ngjyrën e kuqe, – tha ai me kokëfortësi.

-E në qoftë se nuk ta jap, cka mundesh me ba, -i thashë.

-More bre, po unë e marr vet. Kush po të pyet ty aq shumë, – dhe Tushi me të shpejt e shtrini dorën kah kutia e ngjyrave.

U hidhnova. Ia ngreha mirë veshin.

-Me këto fjalë që po më thue, kurrgja nuk t’jap, – i thashë dhe e shtyna në bar larg meje.

Për një kohë të gjatë ndeji larg meje, nuk më afrohej. Rrinte tue mendue ku me dijt diçka, buza i ishte var prej pikëllimit, vetëm nuk qante.

-Po mirë Mirash, – tha Tushi përvajshëm, -në qoftë se nuk të duhet ngjyra e kuqe, a po ma jep?

Unë e shkova me habi.

-Të lutem, në qoftë se nuk të duhet a ma jep e t’ia baj Zhirafës larat me ngjyrë  të kuqe.

Unë edhe njëherë Tushin shikova me habi. Lutja e tij më çuditi dhe zëri me të cilin më foli, -më zbuti. Unë i pashë sytë e vëllait kah shikojshin dëshpërueshëm kah unë. Aty për aty te unë u shfaq edhe njëfarë dhimsunije për të. Dora vetvetiu e mori ngjyrën të cilën ia dhashë. Sytë e Tushit shndritën prej gëzimit. A thua se kuptoj se me fjalë të rënda s’mund me ba asgja. Sigurisht do të ketë mendue kështu. Dhe me të vërtetë na fëmijët jemi plot dreqni, nuk pyet kush kur duam diçka me e amër ose me kërkue. Gjithmonë flasim fjalë të rënda, e kur të tjerët nuk na e përmbushin dëshirën, atëherë na mbetet hatri, e nuk na bien aspak ndërmend se me një fjalë të butë, me një fjalë që i ka hije çdo fëmije, mundemi me ia arrit qëllimit, mundet me ia thye akullin e zemrës gjithkujt.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top