Posta

January 8, 2018 | 8:00

POSTA nga Adelina Pjetra/ A mund të ecë një marrëdhënie kur nuk ka komunikim?

Përshëndetje. Doja një këshillë nga psikologja ju lutem. Jam e martuar prej 3 vitesh dhe kam probleme me burrin. Ai gjithmonë nëse unë kam të drejtë për ndonjë çështje do e gjejë një shkak tjetër që të kapet me mua dhe të dal unë ajo që kam faj. Më ofendon dhe për familjen time as nuk pyet ndonjëherë si janë, pasi ata kanë disa probleme kohët e fundit, për të cilat ai është në dijeni. Është shumë kokëfortë dhe mendon vetëm për veten dhe familjen e tij. Mua nuk më pyet ndonjëherë si jam dhe as nuk do t’ia dije nëse kam probleme. Nuk e di se si ta bëj që të hapet me mua, të më thojë se çfarë e shqetëson, pasi është tip shumë i mbyllur. Kam provuar që të flas me të, por gjithmonë më thotë: “më lër rehat” dhe nuk më kthen përgjigje kur i flas apo e pyes për diçka. Shpeshherë ndihem keq, sepse është shumë mospërfillës dhe inatçi, dhe kur i them për diçka që e ka gabim, më thotë: “nuk u bëre ti të më japësh mend mua”! Kam menduar disa herë për ta ndarë, por për momentin nuk kam ku shkoj, sepse gjendem jashtë shtetit. A është e mundur që një marrëdhënie të ecë përpara në këtë mënyrë kur nuk ka komunikim? Çfarë do të më këshillonit?

Adelina Pjetra , Psikologe Klinike dhe Psikoterapiste EMDR

Adelina Pjetra , Psikologe Klinike dhe Psikoterapiste EMDR

E nderuar është shumë e vështirë të quhet një marrëdhënie kur nuk ka komunikim. Ju keni shprehur gjithçka çfarë është për ju problematike tani, por nuk shpreheni n.q.s kështu ka qenë që në fillim të marrëdhënies tuaj apo në një moment të caktuar diçka ka ndryshuar. Kur në çift secili partner shikon më tepër rreth vetes, pritshmërive dhe dëshirave personale, krijon gjithmonë largësi dhe mungesë komunikimi. Çfarë dua të them me këtë? P.sh: n.q.s ti dëshiron që të shikohesh, të dëgjohesh, të kuptohesh nga partneri, të njëjtën gjë kërkon dhe ai. Duke pritur secili nga ju të ndodhë kjo gjë nga tjetri, po largoheni më shumë. Meqenëse ju jeni ajo që e keni shkruar këtë mesazh për të kërkuar mendim, provoni për njëfarë kohe të tërhiqeni, duke mos pritur asgjë nga partneri juaj, por të jeni aty për të. Duke i kushtuar vëmendje dhe duke e dëgjuar, për të kuptuar se çfarë realisht po ndodh. Ju thoni që nuk më shprehet, dhe kur e pyes, nuk më tregon ose më injoron. Ndoshta duhet të ndryshoni edhe mënyrën e të pyeturit. Kush është ai ose ajo që do hapej dhe do fliste me dikë që e pyet si kureshtar apo si gjykatës? Të gjithë e kuptojmë nëse dikush na pyet se realisht interesohet për ne, apo na pyet për të shuar kuriozitetin e vet personal.

Ka një ndryshim të madh midis, unë flas dhe mënyrës se si unë flas. Dhe duke mos njohur anën tjetër të medaljes (se çfarë mendimesh dhe ndjenjash ka bashkëshorti juaj) unë do ju rekomandoja të bënit një hap pas, mos të hidheni në sulm dhe të kërkoni me ngulm të realizohet një dëshirë apo tërheqje vëmendje në drejtimin tuaj. Duhet të qetësoheni dhe t’i shikoni situatat me një këndvështrim tjetër, nga ajo e bashkëshortit tuaj. Martesa nuk është e lehtë, duhet shumë durim dhe përpjekje për t’ia dalë mbanë. Shpresoj që 2018 të sjellë harmoni në familjen tuaj, dhe të kuptoni që betejat fitohen kur bashkëpunoni me njëri-tjetrin dhe jo kur ktheni kurrizin.

Ju uroj më të mirën e mundshme.

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike & Psikoterapiste Emdr

apjetra.wordpress.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top