A është njeriu një qenie e lidhur ngushtë me nevojën e vazhdueshme për t’i siguruar vetvetes mbijetesën, mirëqenien, statusin ekonomik/social? A jemi ne qenie të grykëta, të lidhura me një tendencë të vazhdueshme ambicioze apo egoiste të fuqizimit ekonomik, pangopësisë materiale? A është kjo nevoja e pakushtëzuar historike për fuqi dhe trashëgimi, kapital dhe pronë?
Nëse do i rikthehemi nevojave të Maslow, nevojat e shoqërisë janë të ndara në formë piramidale sipas rëndësisë dhe aktualizimit të çdo individi. Në këtë qasje duhet që fillimisht të plotësohen nevojat për mbijetesë shoqërore e më pas nevojat për vetëakualizim. Gjithsesi ajo që ndryshon në kapitalizëm është fakti se nevojat shoqërore nuk janë më të lidhura me një sistem hierarkik por me fuqinë e mbledhjes së kapitalit. Nëse dikush zotëron kapital aq sa për të blerë një qytet të tërë dhe për ta mbajtur atë me nevoja bazë ushqimore për një vit, kjo nuk e detyron atë të veprojë kështu. Kjo sepse secili ka të drejtë të akumulojë kapital në emër të tij dhe të veprojë si do ai me pasurinë e tij, pavarësisht edhe faktit se në botë ka vende ku skamja është vdekjeprurëse por edhe shfarosëse.
Përse njerëzimi fuqinë vetjake e ka mbështetur historikisht tek akumulimi i kapitalit? A të bën pasuria një njeri më të respektuar në shoqëri përpos faktit të gjenerimit të pushtetit?
Historia njerëzore ka treguar se lufta për pushtet dhe kapital është shumë e ashpër. Elitat dhe shtresat e larta shoqërore janë të etura gjithmonë e më shumë për pronë dhe pasuri, e kjo jo pa qëllim. Koha na e ka vërtetuar se kapitali është një aset thelbësor në mbijetesën e njeriut në kohë krizash, apo jo?! Kushdo që proklamon se lumturia është e lidhur vetëm me ndjenjat dhe dashurinë padyshim është një romantik i cili e njeh mirë thelbin e kohezionit familjar por nuk njeh mirë tregun në të cilin ne të gjithë konkurrojmë.
Në kohët moderne vlerat njerëzore janë të lidhura thelbësisht me cilësinë e jetës që secili bën, edukimin dhe vlerat shoqërore apo familjare. Shoqëritë moderne vlerat po i transformojnë duke na ofruar një rend të ri vlerash nga ku qëllimi justifikon mjetin. A na lejon kjo që sot të ruajmë moralin shoqëror? A mund të shpëtojmë rendin dhe vlerat nga grykësia e secilit për para dhe famë, për pushtet dhe fuqi?
Kjo është bërë shumë e vështirë në kohët e sotme ku themeli i ekzistencës po bëhet material. Shoqëria por merr forma materialiste të cilat nuk mund të mbushen më nga vlera shoqërore të cilat nuk janë të prekshme. Sot lumturia, harmonia familjare e shoqërore po blihen me makina të shtrenjta dhe orendi luksi. Gjithmonë e më shumë nevojat po zhbëhen me dëshira të momentit dhe pangopësia po i ndihmon disa modele që me ndihmën e rrjeteve sociale të shndërrohen në modele që ndiqen nga të rinjtë e jo vetëm.
Ndryshe nga momente të tjera historike kur pasuria ishte një status shoqëror apo edhe prerogativë e trashëgimisë, sot pasuria është një vlerë nga e cila përpiqesh të ndjehesh me i realizuar, respektuar dhe vlerësuar në shoqëri. Sot paraja gjithmonë e më shumë po bëhet përmbushëse e depresionit të madh global dhe kjo është vërtetë një çështje për të cilën vlen të reflektohet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.