Mirëqenie

February 22, 2016 | 9:52

Arsimi braktisje… apo interes?

Bachelor “Sociologji” M.A Kriminologji

Bachelor “Sociologji”
M.A Kriminologji

Nga: Eneda Abazaj

Edukimi është një proces i të jetuarit dhe jo një përgatitje për jetën e ardhshme. Përmes edukimit shoqëria mund t’i formulojë qëllimet, t’i organizojë burimet dhe mjetet e saj dhe të lëvizë drejt drejtimit që dëshiron. Në këtë botë kaq të pasigurtë dhe të paparashikueshme si universi i ‘Kafkës’ mund të pengohesh në çdo hap, ndaj dhe fëmijet kanë frikë të rriten dhe provojnë përherë dhe më egërsisht braktisjen. Shkolla, një formë jete komuniteti, ku të gjitha degët e saj të mësimdhënies janë të përqëndruara, të jenë sa më efektive në nxitjen e fëmijës për të arritur qëllimet shoqërore me efektive. Gjithçka që shoqëria ka arritur, transmetohet tek autoret e saj të ardhshëm nëpërmjet agjencisë së shkollës. Jeta e fëmijës bëhet qëllim mbizotërues. Të nxënit? Padyshim, por parësore është jeta, sepse të nxënit arrihet nëpërmjet dhe në dobi të jetës. Një e treta e fëmijëve parashkollorë janë të destinuar të dështojnë për shkak të varfërisë, moskujdesit, sëmundjeve, kushteve penguese dhe mungesës së mbrojtjes, ngrohtësisë së të rriturve. Varfëria dhe pasiguria sociale në Shqipëri i detyron shumë fëmijë të dalin të shesin, apo të lypin rrugëve. Ofertat për shkollim, apo për aktivitete edukative nga ana e institucioneve shtetërore janë fare të pakta. Ëndrra për një jetë më të mirë në Tiranë duket se është shuar shumë shpejt. Prindërit mundohen të fitojnë bukën e gojës përmes punëve të rastit. Shumë shpesh ata kthehen pa asnjë lek në xhep në shtëpi dhe kështu shkollimi i fëmijëve mund të jetë e gjëja e fundit që mendojnë, para sigurimit të nevojave bazë për të jetuar. Arsimi është një nga fushat më të rëndësishme të shoqërisë dhe të çdo sistemi politiko-shoqëror, sepse përmes tij u transmetohet brezave vlera zhvillimore. Ndryshimet e viteve të fundit treguan se arsimi i është përshtatur ndryshimeve sociale që ka përfshirë vendin tonë, por duke mbartur edhe disa probleme shqetësuese. Dhe ja tani, kur e gjithë vëmendja jonë është drejtuar në problemet e rritjes dhe të zhvillimit, të regjistrimit, të shpejtësisë së zhvillimit të arsimit dhe kulturës shqiptare me Europën, në “qiellin e arsimit shqiptar” shfaqet, por nuk mund të themi papritur, si një re e zezë kërcënuese, fenomeni i braktisjes së shkollës.

Ndalemi në disa prej shkaqeve që ndikojnë në ecurinë e zhvillimit të arsimit, duke nënvizuar rëndësinë e tyre të veçantë, por jo si të vetmit faktorë përgjegjës të gjendjes së padëshiruar dhe të mbarsura me pasoja fatale për të ardhmen. Përse ka braktisje të arsimit?

Niveli i dobët social-ekonomik

Në interes të problematikës së shkrimit do të nënvizonim si faktor e karakter frenues, deri në shkatërrues, fenomenin social-shoqëror të varfërisë së shtresave vulnerabël të shoqërisë shqiptare të zonave urbane dhe ato qytetase, të mbipopulluara në rrethana të tranzicionit të gjatë që po kalon shoqëria. Fëmijët nga familjet me prindër të pasur privohen më shumë për të arritur atë që duan, ndërsa fëmijët nga familjet e varfra duhet të mësojnë fort për të arritur diçka. Pabarazia midis shtresave (të varfëra dhe jo të varfra) bëhet më e dukshëm në frekuentimin e shkollës, në regjistrimin apo braktisjen e saj.

Mentaliteti patriarkal

Këtë mentalitet e hasim më të përhapur në zonat rurale, ku fëmijët rriten për të punuar, për t’u bërë të aftë të mbajnë familjet e tyre dhe jo për t’u shkolluar. Mendësitë tradicionale, ku thuhej se vajza duhet ta braktisë shkollën, pasi ajo ishte për derën e botës dhe nuk ka për çfarë i duhet shkolla. Shkolla e mesme nuk ka rëndësi nëpër zonat rurale, jeta është njësoj si me atë ashtu dhe pa. Përkatësia etnike dhe arritjet mësimore, ku kemi shumë të përhapur edhe diskriminimin racor; Largësia e shkollave nga qendrat e banuara; Distanca në të cilën gjenden shkollat ku mësojnë nxënësit shndërrohet në të shumtën e rasteve në një burim problemesh e vështirësisht fizike, kjo pasi ajo kushtëzon orarin e zgjimit të nxënësve, sforcimin dhe lodhjen e tyre fizike, veçanërisht kur bëhet fjalë për grupmoshat e ciklit fillor dhe kur në sezone të caktuara behet thuajse e pamundur ndjekja e shkollës për ta.

Braktisja e arsimit të detyruar nga fenomeni i gjakmarrjes

Ky fenomen jo vetëm që nuk po njeh ulje, por vazhdon të përjetojë një rritje të frikshme, ushqyer dhe nga problemet e trashëguara të së kaluarës. Ndonëse gjakmarrja është fenomen që prek gjerësisht zonat veriore, nuk mund të thuhet se kjo plagë e rëndë nuk konstatohet edhe në zona të tjera, madje edhe brenda në kryeqytet, në atë që konsiderohet “vija e verdhë”. Përgjithësisht, fëmijët që braktisin shkollën në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit, jetojnë në familje me 5 anëtarë apo edhe më shumë. Gjakmarrja konsiderohet në raport si një nga shkaqet që sjell për rrjedhojë braktisjen e shkollës nga nxënësit. Por këtu nuk mund të anashkalohen shkaqet e forta ekonomike. Plaga e gjakmarrjes në vendin tonë çdo vit bëhet më e thellë, duke shtuar njëkohësisht edhe shumë probleme sociale. Një prej tyre është edhe mos arsimimi i fëmijëve që janë pjesë e familjeve të ngujuara. Faktorët e përmendur më sipër na tregojnë që arsimi në vendin tonë ka ardhur duke u braktisur jo vetëm në zonat rurale, por dhe në ato urbane pasi duke parë zhvillimin e vendeve europiane, shumë të rinj dhe të reja kërkojnë të ikin jashtë vendit, të ikin larg prej këtej për një jetë më të mirë.

Emigrimi na rezulton si zgjidhja perfekte e të rinjve në ditët e sotme, por përse ndodh kështu? Ku janë bazat e këtij vendi për plotësimin e kërkesave dhe nevojave tona? Përse mbarimi i një shkolle në vendin tonë na ‘përplas’ në dyert e kërkimit të një shteti tjetër? Si mundemi ta ndryshojmë? Duke u bashkuar, duke mënjanuar kërkesat për “Iphone”, “PC” të fëmijëve nëpër kopshte dhe duke i dhënë përpara libra, duke i lënë fëmijët të lirë nëpër parqe, duke i lënë të lirë të shprehin mendimin e tyre.

Interes ndaj arsimimit? Pse duhet të ndodhë e kundërta?

Fëmija duhet të vihet në kontakt me më shumë të rritur dhe fëmijë për të krijuar jetën shoqërore nga më të lirat dhe më të pasurat, ndaj del nevoja e shkollës, ku jeta e fëmijës bëhet qëllimi mbizotërues. Të nxënit efektiv është pasqyrimi i një jete efektive. Jeta e vërtetë kërkon bashkëpunimin, zgjidhjen e përbashkët të problemeve. Të mësosh, të shkosh mirë me të tjerët, të funksionosh s’i duhet në një grup është thelbësore për vazhdimësinë dhe ecurinë e njerëzimit.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.100

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top