“Arsye dhe ndjenjë” romani i parë i botuar i Jane Austen-it, më 1811, fillimisht u botua me emër anonim. Në faqen e parë, aty ku duhej të ishte emri i autorit shfaqet vetëm teksti By a Lady (Nga një zonjë). “Arsye dhe ndjenjë” romani i mprehtë dhe plot humor i Jane Austen, i mbushur me të fshehta dhe ndrydhje, gënjeshtra e joshje, portretizon në mënyrë brilante një botë, ku rregullat e ngurta familjare dhe shoqërore përplasen me regëtimat e zemrës.
Tri motra humbasin të atin dhe gjenden ngushtë ekonomikisht për shkak të makutërisë së kunatës së tyre. Një varg ndodhish të shkaktuara nga varfëria e papritur do të ndikojnë edhe në jetën personale të tyre, sidomos të dy motrave të mëdha. Elinora dhe Mariana Deshud janë krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën. Mariana, e cila udhëhiqet nga zemra, bie kokë e këmbë në dashuri me një djalosh të pashëm, por aspak të qëndrueshëm, gjithnjë në kërkim të një vajze me prikë. Ajo shpërfill krejtësisht paralajmërimet e së motrës, Elinorës që, me natyrën e vet tejet të përmbajtur, përpiqet të fshehë zhgënjimet e veta romantike edhe nga njerëzit e saj më të afërt. Përmes përvojave të tyre paralele të dashurisë, vajzat piqen dhe mësojnë të pajtojnë arsyen dhe ndjenjën, në përpjekje për të gjetur lumturinë në një shoqëri ku statusi dhe paratë qeverisin edhe dashurinë.
Kjo vepër satirike, e shkruar me ndjenjë e humor të hollë, konsiderohet sot e kësaj dite një gur themeli i letërsisë botërore, prandaj dhe është ekranizuar shumë herë për kinemanë dhe televizionin.
Mbi autoren
Jane Austen është një figurë qendrore e narrativës pararomantike angleze. Ajo ka lindur më 16 dhjetor 1775. Më 1783, Jane-i dhe e motra Cassandra u dërguan në Oxford me qëllim që t’i mësonte zonja Ann Cawley, por shpejt u kthyen në shtëpi për shkak të tifos. Më pas, mori mësime private në shtëpi. Edukimi i saj erdhi nga leximet e shumta, të udhëhequra nga i ati dhe vëllezërit James dhe Henry. Dhuntia për të shkruar e nxit që të ushtrohet vazhdimisht. Veprat më të njohura janë: “Arsye dhe ndjenjë” (1811), “Krenari dhe paragjykim” (1813), Mansfield Park (1814), “Ema” (1815) “Abacia e Northangerit” (1818), “Bindja” (1818). Që në moshën 11-vjeçare, Jane-i filloi të shkruante poezi dhe histori për të zbavitur veten dhe familjen. Mes viteve 1787–1793, shkroi shumë materiale, të cilat i përmblodhi nën titullin Juvenilia, por me tri vëllime. Ato përfshinin drama, vargje e novela. Lady Susan, një novelë epistolare do të jetë përpjekja e parë serioze e saj.
Në dhjetor 1795, nipi i një fqinji të familjes, Tom Lefroy, student që vinte nga Londra, qëndroi për një periudhë në Steventon.Jane-i dhe Tom-i filluan të kalonin shumë kohë bashkë, gjë që ra në sy edhe të të dyja familjeve. Për fat të keq, Tom-i nuk kishte mjete financiare dhe mbahej nga familja, ndaj ata ndërhynë duke e larguar Tom-in që aty. Jane-i nuk u martua kurrë.
Si grua, ajo hasi shumë vështirësi për botimin e librave të saj. Romanin e parë e botoi me ndihmën e të vëllait, i cili shkoi në Londër dhe iu drejtua botuesit Thomas Egerton me dorëshkrimin e “Arsye dhe ndjenjë”, libër që pati sukses edhe te kritika, edhe në shitje.
Jane Austen, në shumë mënyra, mishëronte gratë me karakter të fortë, kokëforta të historive që shkruante. Ato vinin nga rrethana të ndryshme jetësore e megjithatë kërkonin të njëjtën gjë: dashurinë e vërtetë. Për ironi të fatit, një gjë të tillë Jane-i vetë nuk e gjeti kurrë, por kjo ndoshta është në të mirën tonë dhe të historive të saj. Në fund, ne kemi në duar vepra arti të pakoha. Përmes veprave të saj, ajo i mbush lexuesit me shpresë se dashuria e vërtetë ekziston dhe është jetëgjatë. Botime Pegi ka sjellë në shqip romanet “Ema” (2014) dhe “Bindja” (2022). Së shpejti, do të vijë edhe “Krenari dhe paragjykim”.
Kritika
Gruaja-rrëfimtare përshkruan egërsinë e botës mashkullore që bëhet gardh qark parasë, që ka frikë nga ndryshimi, jeton e zhytur në përtaci, lufton me kotësinë, e sheh punën si degraduese. E mbi të gjitha, hedh një vështrim të kthjellët mbi gjendjen femërore, mbi betejën mes grave për të fituar burra e para. – Elena Ferrante
Në thelb, “Arsye dhe ndjenjë” trajton mënyrën se si individët ndërtojnë një jetë plot kuptim në një botë thellësisht të padrejtë. Pikëpyetjet e romanit dalin në pah nga dallimet e mendimeve dhe stilit të jetesës mes dy heroinave motra. – Literary Hub
“Arsye dhe ndjenjë” është një libër i shkruar mirë, me personazhe realiste, të skicuara dhe formuara më së miri, si dhe me një subjekt shumë të këndshëm, i gjatë aq sa duhet për ta mbajtur gjallë interesin e lexuesit pa e lodhur. – Critical Review (shkurt, 1812)
Fragmente nga libri
1)-Ju nuk keni ambicie, jam e vetëdijshme për këtë. Dëshirat tuaja janë tepër modeste.
-Po aq modeste sa ç’janë dhe ato të shumë njerëzve të tjerë, besoj. Si çdokush tjetër, edhe unë do të doja të isha plotësisht i lumtur, por ashtu si të tjerët, dua të jem i lumtur sipas mënyrës sime. Nuk pres të më bëjë të lumtur madhështia.
2)Paraja mund të të falë lumturi, vetëm atëherë kur nuk ta fal tjetër gjë. Për mendimin tim, ajo thjesht të ndihmon të jetosh, derisa kthehet në qëllim në vetvete.
3)Për sa kohë që të tjerët vënë në punë fantazinë për të krijuar një gjykim të gabuar për sjelljen tonë dhe vendosin për ne vetëm mbi bazën e një njohjeje sipërfaqësore, lumturia jonë, në njëfarë mënyre, do të varet gjithmonë nga rastësia.
4)Duhet të mësoni t’i vlerësoni gjërat e mira që ju rrethojnë. Nuk ju mungon asgjë përveç durimit… apo, nëse do të përdornim një term edhe më të bukur, po e quajmë shpresë.
5)Kur idetë romantike të një të riu detyrohen të veniten, shpeshherë ato ua lënë vendin parimeve të zakonshme, gjë që konsiderohet e rrezikshme në botën ku jetojmë.
6)Sa më shumë e njoh këtë botë, aq më shumë bindem që nuk do të arrij kurrë të gjej një burrë me të cilin të dashurohem. Unë jam shumë kërkuese!
7)Nuk është as koha dhe as mundësia ajo që e përcakton intimitetin, por vetë karakteri i një marrëdhënieje.
8)Marianë Deshud kishte lindur me një fat të pazakontë. Ajo kishte lindur për të zbuluar rrejshmërinë e mendimeve të veta dhe për të kundërshtuar, me qëndrimin e saj, parimet e veta të preferuara.
9)…ndonëse mund të mjaftonin ca orë, mes dy krijesash racionale, për të biseduar gjerë e gjatë për shumë tema me interes të përbashkët, për të dashuruarit ishte krejt ndryshe. Mes tyre, asnjë temë nuk mund të shteronte, asnjë bisedë nuk mund të konsiderohej e mbyllur pa u bërë të paktën njëzet herë.
Titulli: Arsye dhe ndjenjë
Autore: Jane Austen
Përkthyes: Erdi Ibro
Zhanri: Roman
Data e botimit: shtator, 2023
Mosha e sugjeruar: 15 vjeç e lart
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.