Një gjumë i qetë është dhurata më e mirë që mund t’i ofroni trupit tuaj për të përballuar më mirë një ditë të re. Fatkeqësisht, disa faktorë ndërhyjnë gjatë natës dhe e bëjnë të pamundur që gjumi të jetë me cilësi të shkëlqyeshme, i vazhdueshëm dhe i thellë. Më poshtë jepen shkaqet kryesore që ndikojnë negativisht në gjumin tuaj.
Arsyet pse ju flini keq dhe zgjoheni më keq
Në mëngjes kur e keni të vështirë të ngriheni dhe pasi jeni në këmbë ndiheni të rëndë, a keni menduar ndonjëherë se çfarë ju shkatërroi kështu? Përgjigja me siguri qëndron në natën që sapo kaloi. Fëmija që qan gjithë natën, burri që gërhet, disa shqetësime ekonomike, mund ta bëjnë gjumin të keq. Mendoni për të gjitha shkaqet e mundshme të gjumit të keq dhe mos i anashkaloni ato. Mos harroni se gjumi i mirë është thelbësor për shëndetin tuaj mendor dhe fizik.
Kur flini mirë, qelizat tuaja rigjenerohen dhe sistemi juaj nervor përfiton gjithashtu. Nëse flini dobët ose shumë pak, kjo do të ndikojë në shëndetin tuaj. Arsyet më të mundshme të një gjumi të keq
- Stresi
Nëse kaloni një kohë ku stresi është në kulmin e tij gjatë ditës, trupi juaj sekreton adrenalinë dhe kortizol. Këto hormone rrisin rrahjet e zemrës. Përveç shkaktimit të shqetësimeve të gjumit, këto hormone mund të çojnë në ankth, i cili nëse lihet pas dore mund të bëhet kronik.
- Një ndryshim në oraret e punës
Puna me turne dhe ndryshimet e vazhdueshme të orareve, mund të ndikojnë në gjumin që rregullohet kur orët janë të qëndrueshme dhe ju shkoni dhe zgjoheni gjithmonë në të njëjtën orë. Ora biologjike i përgjigjet keq ndryshimeve të vazhdueshme.
- Ardhja e një fëmije
Ardhja e një fëmije është gjithmonë një ngjarje e lumtur, por për prindërit e rinj mund të ketë periudha të vështira kur bëhet fjalë për të fjetur. Nëse fëmija nuk fle, siç është normale në fillim, as prindërit nuk do të flenë.
- Ndryshimi i orës
Ndryshimi i orës së dimrit ose verës kanë një ndikim negativ në orën tonë biologjike që duhet të mësohet për t’iu përshtatur ndryshimit.
- Shumë dritë
Perdet dhe grilat e hapura gjatë natës mund t’ju bëjnë të zgjoheni shumë herët në mëngjes. Edhe në mbrëmje perdet e hapura mund të lejojnë dritat nga jashtë, llambat e rrugës, dritat e makinave etj. Drita dërgon në tru sinjalin për të qëndruar aktiv, prandaj sigurohuni që të flini në errësirë.
- Një dyshek i keq
Një shtrat i rehatshëm është themeli i gjumit të qetë. Nëse shtrati është i pakëndshëm shpesh do të pëpëliteni dhe kur të zgjoheni do të keni shumë dhimbje shpine. Zgjedhja e një dyshek të mirë është thelbësore për të fjetur mirë, zgjidheni atë me kujdes.
- Alergjia
Nëse jeni alergjik mund të keni probleme me gjumin. Hunda juaj mund të bllokohet dhe t’ju bëjë të merrni frymë përmes gojës, gjë e cila e bën fytin tuaj të thatë. Përveç kësaj, qimet e kafshëve shtëpiake mund të bllokojnë rrugët e frymëmarrjes.
- Një jastëk i keq
Përveç zgjedhjes së dyshekut, zgjedhja e jastëkut është gjithashtu thelbësore për një gjumë të mirë. Një jastëk shumë i ulët ose shumë i lartë, i cili nuk mbështet në mënyrë adekuate qafën, nuk ju lejon të flini mirë.
- Temperatura e duhur
Temperatura në dhomën tuaj të gjumit është shumë e rëndësishme. Sigurohuni që dhoma nuk është as shumë e nxehtë dhe as shumë e ftohtë. Mbani dhomën tuaj të gjumit në një temperaturë të mirë.
- Ilaçet
Ilaçet e shumta mund të ndikojnë në gjumë.
Burimi / https://www.chedonna.it/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.