Gjithnjë e shumë femra që nuk e dëshirojnë mëmësinë. Pavarësisht se kjo mbetet një tabú, të flasësh për këtë gjë është tejet e vështirë. Mbi të gjitha me femrat e tjera. Kemi lexuar shkrime të psikologëve të ndryshëm, për të kuptuar se çfarë fshihet pas kësaj zgjedhjeje…
Kush nuk dëshiron të ketë fëmijë, vazhdimisht përballet me hamendjet e njerëzve për arsyet: mos ndoshta janë femra të paafta për të gjetur një partner të përshtatshëm apo për të krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme? Duan t’u largohen përgjegjësive? Janë egoiste, sepse duan të jetojnë të lira dhe të pavarura? Apo thjesht fare, nuk i durojnë fëmijët? Sa shumë ngatërrohet filli…! Do të mundohemi të bëjmë dritë mbi këtë mungesë dëshire për t’u bërë nëna. Sipas psikologëve që e kanë studiuar këtë faktor të rëndësishëm, ka shumë më tepër nga sa mendohet femra që nuk dëshirojnë fëmijë. Disa nuk kanë guximin t’ia thonë as vetes së tyre. Megjithatë, tregues i qartë është ulja e numrit të lindjeve në Shqipëri dhe jo vetëm.
Arsyet më të thella
Psikologët janë ata që gjatë karrierës së tyre përballen me shumë histori, mbi të gjitha me ato histori që nuk mund të thuhen. Dhe nga këto histori dalin arsyet se përse femrat nuk duan të kenë fëmijë. Shpesh, origjina qëndron te mamatë e këtyre grave: janë (apo kanë qenë) aq shumë protektive sa i kanë “mbytur” me kritika apo dhe pritshmëri tejet të larta. Mamatë duket se presin gjithmonë perfeksionin nga vajzat, duke i bërë të kenë një ndjenjë shumë të lartë përgjegjshmërie. E nga kjo përgjegjshmëri tejet e lartë lind dhe frika se, duke u bërë me fëmijë, nuk do të jenë aq të zonja sa kanë qenë në çdo gjë që kanë bërë përgjatë jetës.
Po sikur roli i nënës të jetë shumë i vështirë?
Femra që nuk dëshiron të ketë fëmijë duket sikur gjatë gjithë kohës ka në kokë mendimin:
• Zanati i nënës është shumë i vështirë dhe nuk ka më kthim pas;
• Është më mirë të mbetem gjithmonë unë bija. Kështu jam gjithmonë e re, e këndshme, në formë… Natyrisht, këto janë fantazi të pavetëdijshme dhe jo mendime të analizuara mirë dhe aq më pak nuk kanë guximin t’ia thonë vetes.
Pas refuzimit për të pasur fëmijë, fshihen arsye të një tjetër lloji krahasuar me marrëdhënien nënë-vajzë, për të cilën lexuat më sipër. Duket se këto arsye lidhen me ndryshimin e trupit gjatë shtatzënisë. Kjo bindje bën pjesë te rrëfimet që nuk thuhen nga psikologët, por është shpesh faktor shumë domethënës. Fakti që trupi nuk do të jetë më si më parë, është ajo që i tremb shumë femra të reja, sidomos ato që e dëshirojnë me çdo kusht përsosmërinë estetike të trupit të tyre. Hormonet mund të të shëndoshin, të rikthehesh në formën e mëparshme mund të jetë shumë e vështirë dhe kjo bindje bëhet gjithmonë e më e madhe, nëse shohin mikeshat apo të afërmet e tyre pasi kanë lindur. Veç kësaj, ajo që i tremb së tepërmi janë sëmundjet e mundshme që mund t’u shfaqen dhe që i vulosin bindjen për të mos lindur fëmijë. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh se zgjedhja për të mos lindur fëmijë është diçka absolutisht normale dhe nuk bën pjesë në asnjë kuadër klinik dhe patologjik. Në një epokë totalisht civile, tashmë bën pjesë në fushën e zgjedhjeve të lira dhe personale.
Natyrisht, askush nuk fton askënd për të mos lindur fëmijë, por ne marrim në konsideratë faktin se të qenit nënë është një zgjedhje dhe jo më një detyrë, koncept ky i zhdukur dhe i shkatërruar nga filozofja Simone de Beauvoir qysh në vitet e largëta ‘30. Risia është që, të vetëdijshme apo jo, janë gjithnjë e më të shumta femrat pa fëmijë, të cilat jo vetëm nuk ndihen “të privuara nga natyra e tyre” – përkundrazi e përjetojnë plotësisht feminitetin – por gjithnjë e më shumë po përfaqësojnë një model të ri të identitetit femëror.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.