Posta

September 8, 2016 | 8:24

Kam mbetur pa punë

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Jam një 50-vjeçar që ka humbur vendin e punës. Doja t’ju pyesja, a ka një mënyrë për të eliminuar peshën që më rëndon në kokë e më bën nervoz kur kërkoj të përballem me sfida të reja. Jam kryefamiljar dhe kam përgjegjësinë për 3 persona: gruan dhe dy fëmijët adoleshentë. Kjo përgjegjësi ma bën shumë të vështirë qëndrimin si i papunë. Sot kam kuptuar se situata është shumë e vështirë për të rigjetur një impenjim të ri, sidomos për moshën time. Por edhe të jesh pjesë e një grupi duhet të jesh me mendje të lirë dhe mundësisht i qetë, gjë që në kushtet që ndodhem nuk e kam të tillë. Si mund të gjej paqe dhe t’i jap zgjidhje rastit?

 

Përgjigjie: Është e thjeshtë për mua t’ju them: “Merreni shtruar dhe mos e vrisni mendjen se do e gjesh një ditë punën e dëshiruar!”. Nuk është aspak e lehtë për ju të përballeni me situatën e papunësisë, aq më tepër në kohërat që jetojmë, kërkesat e së cilës janë rritur për ne dhe për fëmijët tanë. Puna është një faktor i rëndësishëm për ekuilibrin personal dhe social të individit. Në procesin e arritjeve të tij në jetë, individi e përfaqëson veten më së shumti me atë që bën, pra me profesionin që ushtron çdo ditë. Në fund të ditës ne i bëjmë pyetjen vetes, çfarë i dhashë sot shoqërisë. Edhe familja është pjesë e shoqërisë, ndaj dhe natyrshëm ju do të duhet të kontribuoni, të jeni produktiv. Në moshën tuaj, dekada e fundit e produktivitetit për të dhënë në punë, ju bën të jeni më ankthioz dhe më të papërgatitur të ndryshoni gjendjen e statusit të punësimit në frekuencë të shpeshtë. Sigurisht që ky faktor shkakton nervozizëm, ndaj dhe ju ndiheni të humbur në këtë vorbull ndjenjash të justifikuar “denjësisht” ndaj realitetit ku jeni. Në rastin tuaj është e rëndësishme të mund të fillohet me hapin e parë: të bëhet paqe me largimin nga puna e mëparshme dhe të bëni një balancë racionale mbi mundësitë aktuale të tregut dhe aftësive tuaja. Gjithashtu, shumë e rëndësishme është se cilat janë pritshmëritë tuaja. Nëse ato i tejkalojnë mundësitë, atëherë mundësitë për zhgënjim janë edhe më të mëdha. Nëse synimi juaj përputhet me mundësitë aktuale, atëherë ka shumë të ngjarë që të surprizoheni nga çfarë mund të ofrohet për ju. Me këtë nuk dua të them të ulni pretendimet për veten tuaj, por të përballeni realisht me tregun, kështu do të shmangni nervozizmin tuaj që shkaktohet më së shumti nga mendimet frustruese të zgjidhjes së situatës. Shpesh këto mendime kthehen në vicioze, pasi zgjidhja e situatës varet jo vetëm nga mendimet tuaja, por edhe nga rrethanat. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top