Marrëdhënie

June 30, 2020 | 8:02

Aurela Agalliu: Grindjet në çift, barra e rëndë që u bie fëmijëve

Pavarësisht sa e shëndetshme do të jetë marrëdhënia në çift, jo gjithmonë mund të shmangim momentet e diskutimeve, të cilat ndodhin për arsye nga më të ndryshmet midis partnerëve. Diskutimet diferencojnë nga forma dhe niveli i përjetimit, ngarkesës emocionale dhe elementëve agravues që sjellin situata të rënduara psikologjike dhe stresante, sidomos kur pjesë e tyre janë edhe fëmijët.

Aurela Agalliu, psikologe, lektore Departmenti i Psikologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, UT

Aurela Agalliu, psikologe, lektore Departmenti i Psikologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, UT

E pikërisht ky është momenti i duhur kur mendojmë të vlerësojmë planifikimin familjar. Diskutimet e zakonshme që i gjejmë në çdo familje dhe janë të te argumentuara përmes një komunikimi normal, ndonjëherë përcjellin dhe një vlerë mësimi për fëmijët mbi format e menaxhimit të një diskutimi. Problemi qëndron në ato mosmarrëveshje, të cilat kalojnë në konflikt dhe gjejmë elementë të një debati me zë të lartë, agresivë, me përmbajtje të presionit psikologjik apo dhe prekjeve fizike midis partnerëve.

Shpesh gjejmë në kontekstin shqiptar, shqetësime të cilat fëmijët i reflektojnë në shkolla apo kopshte, dhe evidentohen nga palë të treta siç mund të jenë mësuesit apo psikologët. Kjo sepse konfliktet e ndodhura në familje në të shumtën e rasteve mbahen të “kyçura” në strehëzën ku ndodh ngjarja. Predispozita që kjo të bëhet e dukshme për të tjerët është e vështirë, dhe të vetmit që e reflektojnë janë fëmijët përmes formave të sjelljes. Marrëdhënia në çift mbetet shqetësuese kur flasim për cilësinë e saj, sepse më e rëndësishme është përballimi me sukses i diskutimeve apo konflikteve që mund të ndodhin në praninë të fëmijëve. Kjo gjendje prek shumë dimensione jetësore te fëmijët, duke filluar nga nevoja e sigurisë.

Ata e humbasin ndjenjën e sigurisë dhe ndjehen të pambrojtur. Konfliktet afektojnë jo vetëm gjendjen emocionale, por edhe atë mendore të tyre, të cilët shpesh ndihen edhe fajtorë të situatave të krijuara. Fëmijët shpesh pyesin veten nëse ishin ata burimi i konfliktit dhe qëndrimi i tyre luan një rol katalizator në marrëdhënien përmes prindërve. Ky është i vetmi moment reflektimi ku të rriturit kuptojnë çfarë shkoi keq në marrëdhënien e tyre.

Fëmijët zhvillojnë një botë të rrituri brenda trupit të vogël të tyre. Përballja me situatat konfliktuale i vendos ata në pozita të vetëkujdesit apo edhe kujdesit për motrat ose vëllezërit e tjerë. Ata marrin përgjegjësi dhe luajnë role prindërimi në mungesë të vëmendjes së duhur nga prindërit. Nuk është aspak i lehtë menaxhimi i situatave tensionuese në familje, sidomos kur marrëdhënia prind-fëmijë është diferencuar në këtë rast. Konfliktet e ndodhura shkaktojnë situata stresante edhe për të rriturit e për këtë arsye preket në mënyrë direkte marrëdhënia e tyre me fëmijët.

Ata ofrojnë më pak buzëqeshje, kalojnë më pak orë me fëmijët, bashkëpunojnë pak ose aspak përmes formave terapeutike të lojërave dhe interesohen shumë më pak për problemet e tyre. Kjo sjell një mungesë me atashim, i cili ka rëndësi të jashtëzakonshme në psikologjinë e fëmijës dhe sigurinë e marrëdhënies midis tyre. Fëmijët humbasin kontrollin dhe përjetojnë situata ankthioze, të cilat zhvillojnë nivele inferioriteti, të cilat mund të përkeqësohen deri edhe në përjetimin e formave të bullizmit në shkollë apo ambientet sociale.

Ky moment është tepër i largët për të ndihmuar fëmijën të rikthehet shëndetshëm në psikologjinë e tij, pasi kalvari i përjetimit të rrugëtimit përmes problemeve e ka deformuar nivelin e tij të arsyetimit, sigurisë dhe besimit. Mbetet e nevojshme të themi se përpara se të shkojmë në martesë, duhet të kemi njohur mirë partnerët reciprokë dhe të ndërtojmë themele të shëndetshme për pasardhësit tanë.

Prindërimi është një proces i rëndësishëm në jetën e fëmijëve, por dhe kërkon përgjegjësi të lartë në rolet që kanë të rriturit në këtë marrëdhënie. Vlen të theksoj këshillën se duhet të jeni të kujdesshëm çfarë ofroni tek ta, pasi një ditë kontributi, kujdesi dhe përkushtimi do ju kthehet padiskutim.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top