FB

November 24, 2026 | 8:30

Babait tim, njeriut që më mësoi të përballoj jetën

Fëmijët nuk vijnë në jetë me një manual udhëzimesh për t’u rritur, por babai im arriti të kapërcente çdo pengesë dhe vështirësi, duke u bërë njeriu më i mençur dhe më i rëndësishëm në jetën time. Ende i ruaj në kujtesë të gjitha përqafimet e tij, të qeshurat e ngrohta dhe vështrimet plot dashuri që më dhuronte gjithmonë, ndërsa shqetësimin për mua e mbante shpesh të fshehur në heshtje.

baba-bije10

Për çudi, për një kohë të gjatë, shumica e studimeve mbi figurën e babait nuk i kanë dhënë asaj vëmendjen dhe rëndësinë që meriton. Në njëfarë mënyre, babai është parë kryesisht si shtylla ekonomike e familjes ose si një figurë e pranishme fizikisht, por jo domosdoshmërisht e përfshirë në jetën emocionale të fëmijëve të tij.

Të gjithë e dimë se ka lloje të ndryshme prindërish, si nëna, ashtu edhe baballarë. Disa nëna mund të jenë të dëmshme, ndërsa të tjera të jashtëzakonshme. E njëjta gjë vlen edhe për baballarët. Ka baballarë që nuk arrijnë të jenë të aftë apo të ndjeshëm në rolin e tyre, por ka edhe të tillë që janë heronj të vërtetë të përditshëm. Janë njerëz që bëhen shembull për t’u ndjekur, që frymëzojnë dhe që rrisin fëmijë të lumtur. Janë prindër të përgjegjshëm, të cilët fëmijët e tyre i shohin si modele dhe burime frymëzimi.

Sot, gjithnjë e më shumë po bëhen përpjekje për t’i dhënë figurës atërore vendin që i takon. Disa studime kanë lënë pas konceptin e «lidhjes monotropike», sipas të cilit fëmija ka nevojë kryesisht për afërsinë e nënës për t’u rritur dhe zhvilluar shëndetshëm. Sot, kuptohet gjithnjë e më qartë se zhvillimi i shëndetshëm i fëmijës mbështetet në praninë dhe përfshirjen e disa figurave të rëndësishme në jetën e tij.

Baballarët janë figura themelore në jetën tonë dhe vlera e tyre meriton të njihet e të vlerësohet, pavarësisht nëse janë larguar prej kohësh nga kjo botë apo vazhdojnë të jenë pranë nesh. Të gjithë e dimë se çfarë fshihet në zemrat e tyre: guximi, sakrifica e heshtur dhe krenaria e thellë, ndonjëherë prekëse, për fëmijët e tyre.

 

Babai i sotëm: një figurë e rëndësishme emocionale

Nuk duhet ta shohim rritjen e fëmijëve si një përgjegjësi të ndarë sipas gjinisë. Madje, kjo mënyrë të menduari shfaqet edhe në gjuhën tonë të përditshme. Sa shpesh dëgjojmë të thuhet: «Partneri im më ndihmon me të gjitha punët e shtëpisë; është një baba i mrekullueshëm». Por një baba nuk është dikush që thjesht ndihmon. Ai është pjesë e pandashme dhe thelbësore e jetës familjare. Mirëmbajtja e familjes, kujdesi për fëmijët dhe përgjegjësia për rritjen e tyre nuk janë detyra vetëm të njërit prind, por përgjegjësi e përbashkët e të dyve.

Në fakt, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave të Spanjës, numri i familjeve me baballarë të vetëm si prindër kujdestarë ka ardhur duke u rritur. Edhe në vende të tjera, si Mbretëria e Bashkuar, është vënë re një prani gjithnjë e më e madhe e baballarëve që rrisin fëmijët pa partneren. Këta janë baballarë që marrin përsipër kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të tyre, duke treguar se aftësia për të qenë një prind i përkushtuar nuk përcaktohet nga gjinia.

 

Ardhja e një fëmije dhe ndryshimet biologjike te babai

Besoni ose jo, edhe truri i babait pëson ndryshime me ardhjen në jetë të një fëmije. Nuk janë vetëm gratë që përjetojnë ndryshime hormonale të rëndësishme për krijimin e lidhjes emocionale me të porsalindurin dhe për procesin e ushqyerjes me gji. Edhe truri i burrave ka një rrjet kompleks të përpunimit emocional, i cili aktivizon mekanizma të përfshirë në lidhjen emocionale, kujdesin dhe përfshirjen prindërore. Studime të shumta kanë zbuluar disa aspekte interesante të këtij procesi. Prania e partneres me foshnjën dhe përfshirja e babait në kujdesin ndaj saj mund të shoqërohen me ndryshime të dukshme hormonale. Madje, edhe kontakti i drejtpërdrejtë me të porsalindurin, mbajtja e tij në krahë dhe ndjesia e afërsisë fizike mund të ndikojnë në rritjen e niveleve të oksitocinës dhe prolaktinës, si dhe në ndryshimin e niveleve të testosteronit. Në këtë mënyrë, përmes kontaktit, kujdesit dhe përfshirjes së përditshme, ndërtohet një lidhje emocionale jashtëzakonisht e fortë mes babait dhe fëmijës, e cila mund të jetë po aq e thellë dhe domethënëse sa lidhja që fëmija krijon me nënën.

 

Për çdo sakrificë, për çdo natë pa gjumë, për çdo herë që ishe aty… faleminderit, babi!

Një baba nuk mban pelerinë, nuk është superhero dhe nuk kryen mrekulli. Ai nuk mund të na çojë deri te hëna duke na hedhur në ajër. Megjithatë, ka një mënyrë të veçantë për të na bërë të besojmë se gjithçka është e mundur. Dhe ne e besojmë, sepse një nga dëshirat e tij më të mëdha është të na bëjë të kuptojmë se jemi të aftë të arrijmë gjithçka që synojmë.

Jo të gjithë baballarët dinë ta shprehin dashurinë me fjalë. Këtë e dimë. Por ata janë aty pranë shtratit tonë kur sëmuremi, duke na qëndruar pranë deri në agim. Bëhen mbrojtësit e ëndrrave tona kur na mundojnë makthet dhe njerëzit e parë që nxitojnë të na ofrojnë strehë kur jeta na përball me vështirësi. Për ta, nuk ka orare kur kemi nevojë për diçka dhe nuk ka rëndësi sa vjeç bëhemi. Sepse, në sytë e tyre, ne jemi dhe do të mbetemi gjithmonë fëmijët e tyre, ata që duan t’i mbrojnë, t’u qëndrojnë pranë dhe për të cilët shqetësohen pa fund.

Dashuria e babait ndikon në formimin e personalitetit tonë. Ajo na përcjell vlera që i përvetësojmë dhe i mbajmë me vete gjatë gjithë jetës. Na mëson ta shohim jetën përmes guximit, përgjegjësisë dhe sakrificës, si dhe të duam pa pritur gjithmonë diçka në këmbim. Mbi të gjitha, ajo krijon një lidhje të veçantë emocionale, që plotëson nevojat tona për siguri dhe përkatësi dhe ndihmon në formimin e njerëzve të guximshëm e të pjekur që jemi sot.

Secili prej nesh mbart brenda vetes gjurmët e babait të tij. Ato janë një thesar që nuk humbet me kalimin e kohës. Përkundrazi, vazhdojnë të jetojnë brenda nesh, të na ushqejnë shpirtërisht dhe të na japin forcë edhe atëherë kur ai nuk është më pranë nesh. Prandaj, nëse e ke ende mundësinë të kalosh kohë me babanë tënd, mos e shty për më vonë. Gjej kohë për të, përqafoje dhe thuaji sa shumë do të thotë për ty. Sepse një ditë mund të zgjohesh dhe të kuptosh se nuk e ke më mundësinë t’i thuash të gjitha ato që ke ndier dhe vazhdon të ndiesh për të.

Thuaja sot! Mos prit nesër!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top