Këshilla & Arsye

April 22, 2020 | 8:06

Besmir Guri: Kur frika dhe ankthi prekin fëmijët!

 

Frika në parim është një reagim normal ndaj diçkaje që perceptohet si një rrezik apo kërcënim, por kur një person përjeton frikë shumë të madhe që i zgjat në kohë, mund të flasim për shqetësimin e ankthit. Fëmija që në fëmijërinë e hershme mund të nisë të shfaqë frikë që gjeneron ankth.  Problemi lind kur kjo ndjesi frike, është kaq e fortë dhe e zgjatur, saqë transformohet në një shqetësim të përsëritur që pengon normalitetin e ditës së fëmijës, duke i shkaktuar probleme të vazhdueshme ndaj mënyrës si ndihet, mënyrës si mendon dhe mënyrës se si sillet.

2Disa nga simptomat e ankthit tek fëmijët

•Dhimbje e shpeshtë koke apo stomaku pa arsye mjekësore.

•Muskuj të tendosur, djersitje e tepërt

•Probleme me gjumin që mund të përfshijnë pagjumësinë ose makthe gjatë gjumit

•Urinim i pavullnetshëm

•Ndjeshmëri ekstreme dhe shqetësim i dukshëm që shpërthen në të qara të përsëritura

•Shpërthim zemërimi pa asnjë arsye

•Humor i luhatur

•Frikë e tepruar se mos bën gabime

•Sulme të papritura paniku

•Frikë e vazhdueshme dhe e përsëritur se nuk e duan ose se të tjerët mund ta dëmtojnë etj.

MSc.Besmir Guri, Psikolog

MSc.Besmir Guri, Psikolog

Këto janë vetëm disa, por simptomatologjia mund të jetë e shumtë dhe e ndryshme, ku mund ti mbivendosen problemeve të tjera, siç mund të jenë ngjarje të caktuara problematike që has fëmija gjatë jetës së tij. Nëse vihen re shenja të tilla apo të ngjashme me to tek fëmija, duhet të ndërhyhet menjëherë, në mënyrë që t’i paraprihet herët një çrregullimi ankthi. Kur simptomat e ankthit tek fëmija na sinjalizojnë fillimin e një problemi, dhe nuk ndërhyhet në kohë, gjendja mund të agravojë deri në një çrregullim ankthi. Disa nga këto çrregullime të pritshme i shohim më poshtë:

Fobitë: Fëmija provon frikë ekstreme dhe të paarsyeshme për diçka specifikisht të caktuar, sa  herë e mendon nxitësin e frikës apo përballet me të. Si për shembull një insekt, kafshë apo situatë e caktuar dhe e shmang atë me çdo kusht.

Ankthi i ndarjes: Fëmija ka frikë ekstreme se mos ndahet nga prindërit e tij dhe e refuzon diçka të tillë me çdo kusht dhe për çdo rast, për shembull të shkoj në kopsht, shkollë apo vende të tjera.
Ankthi social: Fëmija përjeton gjendje të fortë ankthi kur gjendet në një vend ku ka prani të madhe njerëzish, duke u ndjerë i ndrojtur, i turpëruar, jo rehat, i sikletosur deri në bllokim të plotë për tu shprehur apo për t’u ndjerë i qetë në prani të personave të tjerë që e rrethojnë.
Sulmet e panikut: Fëmija djersin, dridhet, ka të përziera, rrahje të forta zemre, vështirësi në frymëmarrje, ku i shoqërohet me frikë të beftë dhe shumë të fortë, e cila zgjat për pak minuta, por që duket sa një përjetësi në ato momente për fëmijën që po i përjeton këto sulme paniku.
Ankth i përgjithësuar: Fëmija është vazhdimisht i shqetësuar nga gjithçka që e rrethon, duke i përjetuar me tension të madh obligimet që e presin, punët që bën apo situatat që has gjatë ditës.

KËSHILLA PËR TË REDUKTUAR ANKTHIN TEK FËMIJA

Ndihmoni fëmijën të përballet me frikën e tij

Tendenca është që të shmangen aktivitetet që krijojnë ankth tek fëmija, por kjo nuk na çon tek zgjidhja. Fëmija duhet ndihmuar që gradualisht dhe duke i ofruar siguri, të mësojë të përballet me frikërat e tij, derisa frika të mos ekzistojë më. Në të kundërt, do të shmanget problemi përkohësisht, dhe do të zgjatet ankthi në kohë. Ankthi ka një parim të fortë me të kundërtën, po ta shmangim, na frikëson edhe më shumë në vazhdim.

Jepni një shembull se si reduktohet ankthi

Fëmijët janë vëzhgues shumë të vëmendshëm i sjelljeve të të rriturve. për të diktuar sjelljen e fëmijës se si të reagojë në një situatë ankthi, modelo një sjellje nga vetja jote. Tregojuni atyre se si ju jeni të aftë të kontrolloni emocionet tuaja, edhe kur përballeni me situata që gjenerojnë ankth. Fillimisht duhet të jeni modeli, e më pas fjala dhe këshilla.

Flisni paraprakisht me fëmijën

Nëse e dini se fëmija duhet të përballet me një situatë që atij i shkakton ankth, flisni paraprakisht me të. Njohja me situatën se çfarë pritet të ndodhë, mund të ndihmojë në reduktimin e ankthit tek fëmija. E papritura ka natyrë frikësuese, ndërsa parapërgatitja, njohja dhe familjarizimi me atë që bëjmë, redukton ankthin.

Kërkoni ndihmën e një psikologu

Nëse ankthi i fëmijës bëhet shumë intensiv dhe i pengon ata të bëjnë një jetë normale, duhet ti drejtoheni psikologut. Psikologu ndihmon fëmijën në përballimin e frikës dhe bën identifikimin e shkakut nga buron ankthi, duke bërë të mundur trajtimin e rastit hap pas hapi. Ankthi tek fëmijët është një fenomen i zakonshëm më shumë se sa ne mund të mendojmë. Ashtu si edhe të rriturit edhe ata mund të ndjehen të frikësuar dhe të kërcënuar nga ajo që i rrethon, dhe si pasojë përjetojnë ankth. Në përfundim theksojmë se ky ankth, nuk duhet lejuar të bëhet intensiv, i zgjatur dhe i pa menaxhueshëm për fëmijën, me parimin e shumë ditur që ndërhyrja e hershme, trajtim i sigurt.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top