Posta

April 22, 2020 | 8:06

Posta nga Denata Toçe / Ndihem në frikë dhe tension

Problemi që kam është se humb çdo punë që filloj në kohë të shkurtër. Qëndroj disa ditë deri në një muaj dhe më pas më nxjerrin për arsye të ndryshme. “Karakteri yt nuk përshtatet me punën”, je e ngathtë, e ndrojtur” etj., si këto. Në çdo punë që humbas, e përjetoj keq. Qëndroj në dhomë me orë të tëra duke qarë, dhe më pas dal kërkoj punë përsëri. Më duket vetja e paaftë, dhe çdo gjë që bëj më duket e gabuar. Nuk shpreh siguri në ato që bëj dhe mendoj se pronari do më nxjerrë nga puna përsëri. Ndihem gjatë gjithë kohës në frikë dhe tension. Përpiqem t’i përshtatem rregullave të punës dhe të bëjë atë që më kërkojnë. Ndihem e dështuar në këtë aspekt, edhe pse po përpiqem ta sfidoj.

Punoj e sforcuar, dhe ndonjëherë e gjej veten të shpërqendruar në probleme të miat personale. Diçka e tillë mua më ç’orienton, sepse e shikoj ndonjëherë punën si largim nga jeta e përdishme. Ndihem e pavlerë, sepse brenda 3 muajve kam humbur 4 punë të ndryshme, dhe e ngushëlloj veten duke thënë që do të shërbejë si përvojë në jetë, për t’u rritur, edhe pse më pas ndihem e pavlerë, sepse nuk arrij të jem e pavarur. Sepse kjo ka qenë dëshira ime për veten.

Mosha ime 21 vjeçe dhe përfundova shkollën e lartë për psikologji. Mendoja se punë të tilla si shitëse, kameriere, banakiere, etj, do të më ndihmonin për t’u pjekur si njeri. Më parë kam bërë 2 punë me kohë më të gjata, por me konflikte në të. E shikoj punën si diçka për të forcuar vetëbesimin e shkatërruar. I vetmi person që më motivon, është nëna ime, me të tjerë nuk flas, sepse e di që do më kritikojnë dhe do më thonë “je e paaftë”.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje e dashur kolege. Mendoj se puna është e rëndësishme ne moshën madhore, për vetë arritjet, si në planin ekonomik, por edhe në atë personal. Megjithatë, nëse identifikimi i vetes, vlerësimit për veten, vetërealizimi bazohen vetëm te puna, atëherë ju do të ndjeheni e ngarkuar si emocionalisht edhe psikologjikisht, duke i kujtuar vetes se sa DUHET kjo punë dhe se nuk DUHET ta humbasësh në asnjë rast, dhe se DUHET të kërkoje sërish në të njëjtën fushë që të fitoje eksperiencë dhe vetëbesim. Shikoni se sa “DUHET” keni marrë përsipër. Mua më duket sikur po e mundoni veten tuaj. Unë do t’ju ftoja të mendonit se çfarë DONI në të vërtetë.

Nëse keni zgjedhur dhe mbaruar për “Psikologji” ndoshta është fusha që ju ndjeheni mirë. Kërkoni një punë që merret me njerëzit në mbështetje sociale, psikologjike. Filloni vullnetarisht për të marrë përvojë, dhe kështu do nuk të keni presionin se mos e humbisni dhe se do t’ju gjykojnë për paaftësi. Nëse unë do të punoja sot kamariere, mendoj se do të isha po aq e “paaftë” për shkak të mungesës së përvojës dhe mbi të gjitha, nuk do këmbëngulja shumë në perfeksionimin e saj se nuk është ajo që DUA. Por do mundohesha të përshtatesha disi. Këtu situata është më delikate. Duket se ju keni patur një përvojë jo shumë të mirë dhe kjo ju ka dekurajuar, por në këtë përvojë përmendni paaftësinë, por nuk e kam shumë parasysh se çfarë konkretisht.

Ndërsa më përmendni konfliktet, aty mendoj se do të duhet të punoni, dhe mirë do të ishte një psikolog i sjelljes organizacionale, një bihejviorist (psikolog i sjelljes). Ai apo ajo do t’ju ndihmonte në orientimin drejt të sjelljes brenda organizatës, vendit të punës. Kështu do të mund të përshtateni më me lehtësi në punën që bëni. Jetë të mbarë!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 147

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top