Mirëqenie

June 23, 2018 | 9:02

Bishtkali, bima që kuron osetoporozën

Bishtkali është një bimë unike, ajo ka sasinë më të madhe të silicit organik që mund të gjendet diku, mjaft i rëndësishëm për të ndërtuar kockat dhe për të shëruar kockat e thyera.

Bishtkali një bimë mjaft e përhapur në vendin tonë, që rritet pranë kanaleve por edhe në zona pa lagështi, na shfaqet gjithandej para syve si një ‘barishte e keqe’ aq shpesh, saqë është gati e pamundur që dikush të mos e ketë parë. E në kontrast me këtë, pakkush e njeh si bime medicinale dhe akoma më pak e njohin mirë.

Bishtkali ose këputja është një bimë anëtare e familjes Equisetaceae; e vetmja e mbijetuar e një linje bimësh që shkon pas, treqind milionë vjet. Emri “bishtkali” është për shkak të pamjes së bimës. Bishtkali është një pasardhës i bimëve të lashta që u rritën gjatë periudhës së karbonizmit në kohët parahistorike. Që nga koha kur mjeku ilir, Galeni, e rekomandoi, disa kultura e kanë përdorur si një ilaç popullor për problemet e veshkave dhe fshikëzës, artritin, gjakderdhjet e ulcerave dhe tuberkulozin. Equisetum Arvense është përdorur në mjekësinë tradicionale austriake si çaj, ose nga jashtë si banja ose fasha, për trajtimin e çrregullimeve të lëkurës, problemet e sistemit lokomotor, veshkave dhe traktit urinar, reumatizëm dhe përdhes. 

Kinezët e përdorin atë si një ilaç për inflamacionet e syve si konjunktiviti dhe çrregullimet e korneas (së syrit), si dhe për dizenteri, grip, hemorroide etj. Bima është rekomanduar gjithashtu për anemi dhe dobësi të përgjithshme. Ajo është përdorur për të trajtuar dëmtimin e thellë të mushkërive si tuberkulozi ose emfizema. Bishtkali ka një kimi të pazakontë, në krahasim me shumicën e bimëve të tjera. Përbërësi aktiv tek bima bishtkali (Equisetum arvense), acidi silicik, është restaurues i indeve pulmonare të dëmtuara pas tuberkulozit pulmonar dhe sëmundjeve të tjera të mushkërive, ai riparon indet jonormale.

Për shkak të përmbajtjes së silicit që e bën kaq të veçantë këtë bimë, ajo rekomandohet kur është e nevojshme për të riparuar qelizat kockore. Silici ndihmon në rregullimin e kalciumit, në mënyrë që trupi të ruajë më shumë sasi të këtij minerali dhe pastaj ta përdorë atë për të riparuar kockat, kolagjenin dhe indet e tjera të trupit. Bishtkali është shpallur i dobishëm për osteoporozën. Ndihmon shpejtimin e riparimit të indit lidhës të dëmtuar, duke përmirësuar forcën dhe elasticitetin e tij. Punon mrekullisht në rindërtimin e kockës me barishten kufilma (lulevathi emri në zonën e Lezhës). Një zierje e barishtesh, e shtuar në një banjë sjell përfitime në shtrembërimet e kockave dhe në rastet e thyerjeve që shërohen ngadalë si dhe në disa probleme të lëkurës si ekzema.

Pjesa më e mirë janë filizat jeshilë mashkullorë, ata janë më aktivë kur janë të freskët, por gjithashtu mund të korren në fund të verës dhe të thahen për përdorim të mëvonshëm. Koha ideale është nga mesi i marsit deri në fund të prillit, kur filizat kanë më shumë silic, kalcium dhe kalium organik.

Komisioni gjerman i Monografive, një udhëzues terapeutik për mjekësinë bimore, e ka aprovuar Equisetum arvense për infeksionet e traktit urinar, gurët e veshkave dhe fshikëzës, plagët dhe djegiet.

Specialitetet e bimës

Poblemet urinare dhe ndalimi i gjakderdhjeve

Shumë bimë funksionojnë për shumë aspekte të shëndetit, por kanë edhe specialietet e tyre. Këputja apo bishtkali është një barishte me veprim diuretik (pra vepron si barnat shkarkuese). Ajo ka një afinitet për traktin urinar, ku mund të përdoret për raste infeksionesh, hemorragjie, ulçera cistike, cistitis dhe për të trajtuar në tërësi inflamacionin në fshikëzën e urinës dhe ureter. Ajo konsiderohet një ilaç i veçantë në rastet e inflamacionit ose zgjerimit të gjëndrës së prostatës dhe përdoret gjithashtu për të shpejtuar heqjen e gurëve të veshkave.

Bishtkali përbën një nga speciet më diuretike ndër të gjitha bimët. Ajo ka një kapacitet të madh për të eliminuar ujin nga trupi, në një pikë të tillë që rrit urinimin deri në 30% më shumë se zakonisht. Ky fakt bën që emri shkencor i barishtes, Equisetum arvense, të shfaqet në përbërjen e shumicës së produkteve, që zakonisht shiten për të zvogëluar peshën. Kjo veti është për shkak të veprimit të disa përbërësve, ndër të cilat del në pah equisetin dhe kaliumi. 

Por bima përmban edhe kalcium, magnez, acid askorbik dhe acid kafeik. Si një diuretik ajo është veçanërisht e përshtatshme për edemën metabolike ose hormonale gjatë menopauzës. Veprimi diuretik mendohet të jetë pjesërisht për shkak të flavonoideve dhe saponinave. Veprimi astringent (shtrëngues) e bën të veprojë në trajtimin e mos-mbajtjes së urinës tek fëmijët. Ajo mund të zbatohet në kushte të tilla si uretriti ose cistiti me hematuri (gjak në urinë), falë përmbajtjes së lartë të silicit organik.

Ky efekt astringent lokal dhe anti-hemorragjik shpjegon aplikimin e barishtes edhe për situata të tilla si gjakderdhje nga goja, hunda, vagina, gjakderdhje nga zorra si dhe në mbylljen e plagëve që shërohen ngadalë. Bishtkali mund të konsumohet si çaj për të ndaluar gjakderdhjen nga ulcerat ose për të frenuar gjakderdhjen e rëndë menstruale. Mundet gjithashtu të përdoret si një gargarë për shpëlarje goje për gjakderdhjet e mishrave të dhëmbëve ose ulcerat e gojës. Ai zvogëlon kollitjen me gjak duke forcuar kapilaret me përmbajtjen e tij silicin. Një zierje e aplikuar nga jashtë do të ndalojë gjakderdhjen e plagëve dhe do të nxisë shërimin. Kjo është veçanërisht e efektshme për gjakderdhjen nga hunda.

Përfitimet kardiovaskulare

Është vërtetuar se administrimi i acidit silicik shkakton leukocitozë (një rritje e përkohshme në qelizat e bardha të gjakut). Përmbajtja e silicës në Equisetum-bishtkali inkurajon absorbimin dhe përdorimin e kalciumit nga trupi dhe gjithashtu ndihmon për të mbrojtur nga depozititimi i pllakave të kolesterolit në arterie. Ndikimi në metabolizmin e lipideve çon në përfitim potencial për problemet kardiovaskulare. Hulumtimet e fundit në Rusi me sa duket kanë treguar se bishtkali është efektive në heqjen e akumulimeve të plumbit në trup.

Vetitë

Anti-hemoragjik, antiseptik (dezinfektues), astringent (rrudhës), kardiak, karminativ (kundër fryrjes), diaforetik (djersitës), diuretik (nxit urinimin), emmenagog (nxit ardhjen e ciklit menstrual), galaktogog (rrit prodhimin e gjëndrave të qumështit), antirheumatik; hemostatik (kundër gjakderdhjes); qetësues për nervat.

Kuron këto probleme:

Anemi, artrit, problemet kardiovaskulare, kruajtje në lëkurë nga qarkullimi i dobët i gjakut, konjunktivit, cistit me hematuri (gjak në urinë), emfizemë të mushkërive, urinim i pavullnetshëm, përdhes, gjakderdhje të rëndë menstruale, mos-mbajtje urinare, veshka dhe problemet e fshikëzës, gurët e veshkave (shpejton heqjen e tyre), edemë (në menopauzë), osteoporozë, problemet e prostatës, tuberkuloz, ulcera, uretrit, infeksione të traktit urinar.

Kujdes!

Bima përmban acid equisetic, i cili mendohet të jetë identik me acid aconitic. Kjo substancë është një qetësues i zemrës dhe nervave, ndërkohë që është një helm kur merret në doza anormale të larta. Kjo bimë përmban substanca irrituese dhe duhet të përdoret vetëm për periudha të shkurtra kohore. Gjithashtu, është mirë të përdoret vetëm nën mbikëqyrjen e një mjeku popullor të kualifikuar.

Për horizont: Equisetum përdoret në bujqësinë biodinamike (përgatitja BD 508) në veçanti për të zvogëluar efektet e ujit të tepërt rreth bimëve. Përmbajtja e lartë e silicit te bima zvogëlon ndikimin e lagështisë. Nga kjo kuptohet që bima rritet e dendur në toka me lagështi. Equisetum arvense u fut në Zelandën e Re në vitet 1920 dhe u identifikua për herë të parë si një specie pushtuese, nga Ella Orr Campbell në vitin 1949. Ka vende ku ndalohet shitja, përhapja dhe kultivimi i saj, për shkak të fuqisë së saj të jashtëzakonshme për t’u përhapur, përshtatur, mbijetuar dhe zotëruar territore.

Së fundi, nuk i kemi thënë të tëra, edhe pse kemi thënë shumë gjëra për këtë bimë. Sepse çdo bimë është një univers më vete, një pafundësi për ta eksploruar….Por edhe një detaj që do t’ju pëlqej pa masë: Mund të keni lexuar ose t’u ketë propozuar shitësja e shampove një shampo me bishtkali. Ajo mund t’ju ketë thënë se ka silic ose ju ka thënë thjesht që ka ekstrakt bishtkali. Ndoshta do të keni imagjinuar ndonjë ekstrakt të nxjerrë nga qimet e bishtit të kalit, që janë kaq të forta dhe të dendura! Fantazi e bukur! 

Por megjithatë, bima e bishtkalit prezanton një fuqi të madhe ri-gjeneruese. Ajo është ndoshta bima më e vjetër që ka rezistuar mbi tokë dhe ka një sistem rrënjor ‘të pavdekshëm’. Shkule këtu, del atje. I kanë apo nuk i kanë shampot ekstraktet e pretenduara me silic, bëni një shpëlarje pas shampoje me infuzion bishtkali. Merrni 1 litër ujë valojeni dhe pasi ta hiqni nga zjarri, hidhni në të 50-100 gr bishtkali të njomë ose 15- 30 gr bishtkali të thatë. Lërini 8 orë bashkë, para se ta kulloni. Kur t’ju duhet për shpëlarje, ngroheni mjaftueshëm, por pa e valuar. Është mirë t’i mbani flokët të zhytur në këtë ujë, së paku për 2-3 minuta. Më tepër, më mirë. Mënyra e dytë do të ishte të shtonit bimën në ujin e vaskës, por kjo do kërkonte shumë bimë, për të arritur të njëjtën fuqi veprimi të ujit bimor nëpër flokë…

Çfarë do të prisni nga kjo shpëlarje me ujë bishtkali? Flokë më të fortë, që nuk thyhen, çahen, këputen, rrënjë më të fortë, dendësim të flokut, ndalim të rënies. Bishtkali do të përmirësojë strukturën e flokut dhe mund të shtojë shkëlqimin. Por floku do të ushqehet më mirë, nëse do ta përdorni edhe si çaj. Kështu mund të pini 2-3 filxhanë në ditë, të përgatitur me 2-3 lugë çaji bimë të thatë. 1-2 javë, jo më tepër. Gjatë kësaj kohe është mirë të merrni një B kompleks, pasi bima mund të shkarkojë vitaminat B nga trupi dhe sidomos Tiaminën (Vitamina B1) në nivele të rrezikshme.

 

Burimi / Molla e Shëndetit

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top