Në fokus

May 16, 2020 | 8:04

Blerina Mërtiri: Koha e duhur për të njohur më tepër dhe komunikuar më afër me fëmijët

Familja e bashkuar më shumë se kurrë.

Pandemia COVID-19 e cila detyroi shumicën e fëmijëve dhe prindërve në të gjithë botën të qëndrojnë të izoluar nëpër shtëpitë e tyre, duket se po i vjen fundi. Izolimi në shtëpi, mungesa e kontaktit dhe e argëtimit me bashkëmoshatarët e tyre, nxiti ankthin te fëmijët. Për fëmijët, një situatë e tillë mund të jetë në rastin më të keq e frikshme, dhe në rastin më të mirë e mërzitshme, sipas Rachel Simmons (psikolog, konsulent, autor).

Blerina Hima Mërtiri, mësuese CU, shkolla “Andon Xoxa” Fier

Blerina Hima Mërtiri, mësuese CU, shkolla “Andon Xoxa” Fier

Ata mund ta kishin të vështirë të kuptonin atë çfarë shikonin në internet ose në televizor, apo atë që dëgjonin nga persona të tjerë. Pamundësia për lojëra dhe aktivitete në ambiente të jashtme, i bëri ata të ndihen më nervozë dhe të irrituar, duke rritur kështu stresin e tyre dhe të prindërve. Fëmijët mund ta kenë të vështirë të ndryshojnë ndjeshëm rutinën e tyre (p.sh: mbyllja e shkollave dhe strukturave të kujdesit për fëmijët, distancimi social, izolimi në shtëpi), të cilat mund të cenojnë ndjesinë e tyre të strukturimit, parashikueshmërisë dhe sigurisë. Duhet të kemi parasysh se kjo situatë ishte njëlloj e vështirë për fëmijët, dhe se ata reaguan sipas moshës dhe nivelit të tyre të zhvillimit.

Fëmijët, në ditët e para kanë qenë shumë të ngazëllyer, se nuk kanë shkuar në shkollë, por më pas panë se çdo ditë qëndrimi në shtëpi dhe mbushja e kohës po kthehej në problem edhe për vetë prindërit. Psikologjikisht fëmijët janë më të brishtë ndaj ngjarjeve të tilla, ndaj prindërit u përpoqën ta zbusnin sa më shumë situatën, qoftë në mënyrën si i përcjellnin informacionin, si ia shpjegonin, por qoftë edhe në mënyrën si e mbushnin ditën e tyre, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos linin gjurmë tek ata, të mos krijonin frikëra, ankthe dhe fobi të mëtejshme.

Të mos harrojmë që procesi mësimor do edhe pak ditë që të përfundojë, dhe pushimet e verës si çdo vit po afrojnë. Për fëmijët, kjo periudhë do të jetë shumë e gjatë. Por, do të kenë kohë të mjaftueshme për të harruar periudhën paksa stresuese që kaluan, dhe të argëtohen. Nëse i referohemi këshillave të psikologëve, ata na japin një listë të gjatë me shumë lloje bisedash ose aktivitetesh që mund të organizojnë prindërit me fëmijët.

Nga përvoja ime dhe sidomos duke ndjekur ecurinë e këtyre ditëve, kam pasur rezultate shumë pozitive në mënyrën se si i kam rekomanduar nxënësit dhe prindërit për t’i kaluar me sa më pak stres ditët që lamë pas. Po kështu, do të vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm për të organizuar ditët në vazhdim.

1

Në rrethana normale, oraret e përditshme organizohen rreth shkollës, punës, sporteve, grupeve të ndryshme në të cilat jemi aktivë, ngjarjeve të komunitetit. Por, derisa të ndodhë përsëri, ndjekim disa këshilla se si të arrini një rutinë të qëndrueshme në ditët e fundit të karantinës si dhe gjatë pushime të verës, të cilat po afrohen.

Pyetja e parë që do të ishte më e përshtatshme, të cilën shumë prindër ia drejtojnë fëmijëve të tyre do të ishte: Çfarë do të dëshirojë të bësh sot?

Këtu do të klasifikonim dy kategori prindërish:

1.Prindër shtëpiakë, të cilët janë më shumë të lirë dhe mund t’i japin kohën e duhur fëmijës.

2.Prindër që janë të punësuar, të cilët një pjesë të kohës e kalojnë në punë, dhe një pjesë e ditës u mbetet për të qëndruar me fëmijët. Këta prindër përgatitin më parë ndonjë argëtim, lojë ose aktivitet në kushte shtëpie, qoftë dhe punë shtëpie, të cilat fëmija mund t’i bëjë dhe kur të vijë nga puna të diskutojë me fëmijën se si i realizoi ato. Gjithashtu, mund të menaxhojnë kohën për të qëndruar së bashku.

2

Këshilla 1 Rutina ditore është një zgjedhje e mirë Kjo rutinë ditore te fëmijët i bën ata të ndjehen të sigurt. Kjo do të thotë një respektim i orareve të gjumit, të studimit, të leximit, të argëtimit dhe ngrënies.

Këshilla 2 Sugjerojini fëmijëve tuaj libra interesantë për moshën e tyre. Zgjidhini ato në bibliotekën familjare, në atë të qytetit ose në pikat e shitjeve të librave. Në këtë mënyrë zhvillojnë inteligjencën, kulturën, emocionet, duke u bërë mik i librit.

Këshilla 3 Vendosni kufizime për kohën. Për të mos pasur fëmijë që kalojnë orë të tëra në iPhone, play station ose Xboxes, prindërit duhet të vendosin një kohë të përcaktuar. Kjo lloj teknike u jep atyre një shans për të zhvilluar një pavarësi të re, edhe pse janë pjesë e familjes, dhe disa gjëra duhet t’i realizojnë si pjesëtarë të familjes.

Po t’i referohemi teorive të Rachel Simmons do të kuptojmë që prindërit duhet  të mbeten pozitivë dhe të shohin anën e ndritshme të çdo gjëje dhe situatës.

Këshilla 4 Bëni një bisedë në kohë të ndryshme, sidomos kur e shihni që ata kanë nevojë për të biseduar. Psikologu për fëmijë Dr.Jonathan Kratter thotë se: “Prindërit duhet të kontrollojnë shpesh fëmijët e tyre në lidhje me ato që dëgjojnë, sidomos në situatën konkrete të koronavirusit. Kur prindërit u thonë: Vetëm mos u shqetësoni për këtë, nuk do t’ju prekë, nuk do t’ju shqetësojë, fëmijët ndjehen sikur ky virus ose ky rrezik nuk ekziston”, thotë ai. Situata që kaluam ishte situatë që fëmijët kishin shumë nevojë për biseda me prindërit për t’u qetësuar. Po kështu, fëmijët në çdo kohë deri sa të arrijnë moshën e maturisë, kanë nevojë për bisedat dhe këshillat e prindërve.

Këshilla 5 Krijoni një orar gjatë ditës për të mësuar. Edhe pse shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura deri në përfundim të procesit mësimor, fëmijët mund të përdorin mundësi të ndryshme për të pasuruar njohuritë e tyre. Përveç mësimit virtual, prindërit mund të përdorin një orar të caktuar për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të qëndrojnë të përqendruar dhe të mësojnë në të njëjtën kohë. Pas disa ditësh që procesi mësimor të mbyllet, përsëri fëmijët kanë nevojë që prindërit t’i ndihmojnë për të organizuar ditën.

Këshilla 6 Merruni me forma të ndryshme të artit. Ashtu si librat, edhe puna e artit kërkon përqendrim. Pikturë? Vizatim? Ngjyrosje? Imagjinatë? Fantazi? Të gjitha këto janë opsione të mira për të kaluar kohën e lirë nëpër shtëpi si dhe gjatë pushimeve. Degët e artit do të ndihmojnë fëmijët për të kaluar këndshëm kohën e tyre dhe prindërit të punojnë dhe argëtohen së bashku me fëmijët.

Këshilla 7 Lërini të ndihmojnë me gatimin. Keni nevojë për ndihmë në gatimin e darkës apo drekës? Kërkojeni ndihmën e fëmijës suaj. Sipas mundësive, të ofrohen te kuzhina dhe të paktën të ndjehen sikur po kontribuojnë në përgatitjen e ushqimit për familjarët. Në këtë rast do ta ndjejnë veten të vlefshëm.

Këshilla 8 Përdorni lojërat e ndryshme për argëtim. Gjithsecili nga ju mban lodrat e preferuara në shtëpi. Gjeni kohë dhe argëtohuni. Luani me fëmijën tuaj dhe nxitni aktivitete që ju nevojitet atyre. (Nëse përdorni lojërat në ambiente të jashtme, përsëri do të vazhdoni t’i pastroni dhe dezinfektoni mirë duart dhe pajisjet tuaja, para se të futeni brenda deri sa t’ju bëhet pjesë e edukatës së tyre).

Këshilla 9 Shkruani letra për shokët dhe shoqet. Fëmijët kanë kohë që nuk takohen me shokët dhe shoqet e tyre. Ata mund të shkruajnë letra për njëri-tjetrin, duke i dërguar nëpërmjet whatsapp, viber etj. Kjo u lejon atyre të praktikojnë aftësitë e tyre të të shkruarit dhe u jep mundësi për të qëndruar në kontakt me shokët e tyre. Gjithashtu, ata mund të vazhdojnë këtë lloj kontakti me shokët e vet edhe gjatë pushimeve.

Këshilla 10 Merruni me aktivitete fizike. Gjatë ditës suaj mund të ndani disa minuta që të aplikoni ndonjë ushtrim bashkë me fëmijën tuaj. Gjimnastika dhe ushtrimet fizike fuqizojnë kujtesën dhe aftësitë konjitive, njohëse te fëmijët. Ky është një rezultat studimi, sipas të cilit, me siguri që duhet të vlerësohet shumë. Studimi i Universitetit të Ilinoisit, i kryer mbi 48 fëmijë të moshës 9-10 vjeç, ka treguar se fëmijët të cilët praktikojnë aktivitet fizik dhe gëzojnë një formë fizike të mirë, janë më të aftë të memorizojnë të dhëna të ndryshme e po kështu, janë më të aftë të kujtohen mbi fakte a gjëra të mësuara para disa kohësh. Këtë aftësi nuk e kishin fëmijët, të cilët tregoheshin përtacë në ushtrimet fizike.

Këshilla 11 Praktikoni kujdesin ndaj vetes. Gjatë kësaj periudhe, e mira është që fëmijët t’i lini të bëjnë çdo shërbim të vetes së tyre. Në këtë mënyrë vetëkujdesi do t’i bëjë të ndjejnë siguri në vetvete dhe më të rritur.

UNICEF ka vazhduar të japë këshilla të vazhdueshme se si të bisedohet me fëmijët në këtë situatë të vështirë si ajo e koronavirusit që kaluam si dhe në situata të tjera. Në njërën nga këshillat e OBSH-së thuhet: “Reagimeve të fëmijëve tuaj përgjigjuni në mënyrë mbështetëse. Dëgjoni shqetësimet e tyre dhe jepni atyre dashuri shtesë, kohë dhe vëmendje”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top