Në fokus

September 7, 2020 | 8:08

Blerina Mërtiri: Si mund të çajë guaskën e ndrojtjes një fëmijë?

 

Është e qartë se fëmijët ndryshojnë njëri nga tjetri, prandaj ata i përjetojnë situatat  jo në të njëjtën mënyrë. Jemi në prag të fillimit të një viti të ri shkollor dhe ajo që duhet të kujdesemi, është ana psikologjike e fëmijëve, sidomos e atyre që janë fëmijë të ndrojtur.

Blerina Hima Mërtiri  Mësuese në shkollën “Andon Xoxa”, Fier.

Blerina Hima Mërtiri
Mësuese në shkollën “Andon Xoxa”, Fier.

Fillimi i një viti të ri shkollor, ndryshe nga vitet e tjera, sjell nevojën e përkrahjes më tepër dhe sidomos për ata fëmijë që janë të ndrojtur.

Çfarë e bën një fëmijë të ndrojtur?

Fëmija i ndrojtur përjeton ndjenja të pasigurie. Një jetë familjare pa shumë marrëdhënie shoqërore, një kujdes i tepruar i prindërve për fëmijën, një metodë pedagogjike shumë e rreptë, mund të bëhen shkak për ndjenjën e pasigurisë tek fëmija. Në këto raste fëmija tërhiqet, nuk lidhet me grupe fëmijësh, qëndron mënjanë, nuk do të marrë fjalën, nuk ndërvepron me të tjerët. Duke pasur parasysh situatën disa mujore të pandemisë që po kalojmë, këto qëndrime të tyre mund të theksohen më tepër.

1

Si ta shmangim një fenomen të tillë?

Sipas studimeve  theksohet se është shumë e thjeshtë ta ndryshosh, mjafton që ai element të mos jetë i lindur. Gjatë kohës nga 15 muajsh deri në 2 vjeç, fëmija fillon të krijojë marrëdhënie me të tjerët, dhe është shumë i përqendruar tek vetja dhe nevojat e tij. Nga 5 vjet e sipër,  gradualisht i lënë këto qëndrime, të ndihmuar nga fillimi i shkollës dhe nga marrëdhëniet e vazhdueshme me moshatarët. Fëmijës i duhet koha që ai ka të nevojshme për t’u përshtatur me situatat. Kur një prind sheh që fëmija i tij është po aq i ndrojtur në çdo ambient, duhet të kontaktojë me personat dhe institucionin përkatës.

Studimet na sjellin një sërë këshillash për çdo moshë fëmijësh, të vlefshme në çdo situatë, në të cilat mund të ndodhen.

  • Pranojeni ashtu si është.
  • Asnjëherë mos e krahasoni fëmijën tuaj me fëmijë të tjerë. Kjo mund të bënte që fëmija të mbyllej më shumë.
  • Sigurojeni që dhe ai ka shumë vlera.
  • Përsëritjani gjithmonë që “ti do t’ia dalësh i pari në mësime”.
  • Sa më shumë t’i thoni se është i turpshëm, aq më i turpshëm mund të bëhet.
  • Kuptoni vështirësitë e tij.
  • Dërgoje fëmijën në vende ku ka fëmijë të tjerë.
  • Jepini kohë, vend dhe mundësi të luajë.
  • Ka nevojë gjithnjë për nxitje.
  • Organizoni duke ftuar një shok të tij pasdite në shtëpi disa herë me radhë, dhe më pas me shokë të rinj.
  • Jepini këshilla, pa e detyruar të bëjë diçka për të cilën nuk ndihet gati. Ky qëndrim do të forcojë besimin dhe e ndihmon atë të kapërcejë situatat.

Fillimi i një viti të ri shkollor me rregulla dhe orare ndryshe nga vitet e tjera do të ndikojë dhe tek fëmijët, prandaj kjo detyrë kërkon më tepër bashkëpunim shkollë-familje.

E rëndësishme është që gjithnjë të respektoni natyrën e fëmijës, moshën dhe dëshirat e tij.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top