Në fokus

January 9, 2018 | 9:54

Bota po bëhet më e mirë apo më e keqe? Ta shohim me optimizëm apo pesimizëm?

1

 

Me optimizëm, përgjigjet Bill Gates në editorialin e nr. të fundit të ‘Time’. Dhe rendit disa fakte.

Prof. Asoc. Dr.Çapajev Gjokutaj

Prof. Asoc. Dr.Çapajev Gjokutaj

Në 1990 një në tre banorë të globit jetonte në kushtet e varfërisë ekstreme. Sot kjo shifër është 1 në 10. Qindra milionë njerëz jetojnë më mirë, janë më të gëzuar.

Në dy dekadat e fundit numri i fëmijëve që vdesin pa u bërë 5 vjeç është ulur me 122 milionë. Si rezultat miliona familje i kanë ikur dhimbjes së thekshme, që sjell vdekja e kërthiut.

Dhe Bill Gates rendit fakte të tjera që dëshmojnë se jeta po bëhet më e mirë, më e gëzuar, ndaj njerëzimi ka të drejtë të jetë optimist për të ardhmen.

Po si shpjegohet atëhere që sot, më shumë se kurrë, po bëhen mbizotërues zërat pesimistë, parashikimet për theqafje dhe, jo rrallë edhe për një fund apokaliptik të shkaktuara herë nga ngrohja globale, herë nga një përleshje nukleare dhe nga të tjera gjëma, që njeriu po i nxit me makutërinë dhe egoizmin që e karakterizon?

Parashikimet pesimiste, mendon Bill Gates, ndihmohen nga mediat dhe sidomos nga prirja e lajmit që të merret me gjëra të çuditëshme e të këqija. Një pallat në flakë bëhet shumë më lehtë lajm se sa një pallat në ndërtim.

Duke u bombarduar ditë e natë nga lajme me fatkeqësi e katastrofa, njeriu nxitet të mendojë fundin apokaliptik të botës.

Anoj nga ata që thonë se apokalipsin njeriu e ka brenda vetes, si një dëshirë, si tipar psikologjik të lindur, të mbrujtur brez pas brezi që nga lashtësia. Vetëm se i ka dhënë trajta të ndryshme: herë si përmbytje, herë si gjyq i mbramë e herë si shkrirje akujsh polarë.

Por sot janë rritur si kurrë më parë mundësitë e njeriut për të prishur ekuilibrat ekzistencialë, që natyra i ka krijuar në miliona vjet. E thëna dhe e bëra janë afruar shumë.

( Nga cikli ‘Grunari i leximeve’ )

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top