Në fokus

October 26, 2016 | 10:32

Bulizmi/ I thonin “fshatar”, vetëvritet gjimnazisti nga Berati

Një adoleshent nga Berati i ka dhënë fund jetës, për shkak të përçmimit nga bashkëmoshatarët e tij. Viktima është 17-vjeçari P. Xhaferaj. Siç shkruan gazeta “Panorama” dyshohet se adoleshenti i ka dhënë fund jetës në kushtet e një ngarkese të rëndë psikologjike, pasi shokët e konsideronin atë si “fshatar” dhe e mbanin larg tyre.

17-vjeçari i ka dhënë fund jetës gjatë ditës së djeshme duke konsumuar fostoksinë.

Nga të dhënat rezulton se Xhaferaj kishte ardhur për të studiuar në shkollën profesionale të Beratit dy vite më parë, pasi në fshatin e tij Tomorr nuk ka shkollë të mesme. Por ai nuk ka arritur dot të futet në shoqërinë e djemve të klasës, të cilët e nënvlerësonin atë si një djalë fshati. Ai është ndier i përjashtuar, pasi nuk e bënin asnjëherë pjesë të shoqërisë së tyre. Madje, sipas të dhënave, disa nga shokët e klasës e tallnin atë në vazhdimësi, duke i shkaktuar stres të vazhdueshëm. Mësohet se kohët e fundit ai kishte shfaqur shenja të dukshme të ngarkesës emocionale. Ai nuk afrohej me asnjeri dhe nuk bëhej pjesë e asnjë aktiviteti të klasës së tij. Policia ka marrë në pyetje disa nxënës së vitit të dytë, të cilët kanë pohuar se ai qëndronte i tërhequr dhe menjëherë pasi mbaronte mësimi nisej me furgon për në fshatin e tij, rreth 20 km larg qytetit të Beratit. Këtë rrugë ai e kryente çdo ditë me furgonë të linjës. Kështu ka ndodhur edhe ditën e djeshme. 17- vjeçari ka blerë një sasi fostoksine në qytetin e Beratit dhe sapo ka mbërritur në banesë, e ka pirë atë. Familjarët e kanë gjetur pa ndjenja dhe në gjendje mjaft të rëndë, duke e transportuar menjëherë për në spitalin e Beratit por, fatkeqësisht, me gjithë ndërhyrjen e mjekëve ai nuk ka arritur dot të mbijetojë. Blutë kanë marrë në pyetje edhe familjarët e tij, por ata kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë problemi dhe as kishin vënë re ndonjë shqetësim të tij. Policia nuk bëri të ditur detaje të tjera rreth dëshmisë së dhënë nga nxënësit që janë marrë në pyetje, veç faktit se disa prej tyre kanë pohuar se bashkëmoshatari i tyre ishte bërë shpesh objekt talljeje dhe se kjo gjë i kishte shkaktuar atij izolim social.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top