Në fokus

October 26, 2016 | 12:23

Ndahet nga jeta aktorja e njohur Melpomeni Çobani

*Ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare aktorja e njohur Melpomeni Çobani. Melpomeni Çobani është ndër themelueset e Estradës në vitin 1952. Aktorja është vlerësuar me titujt ‘Artist i Merituar’ dhe ‘Artist i Popullit’.

 

Intervista e botuar në revistën Psikologjia nr.49

Melpomeni Çobani 83 vjeçe, aktore e skenës dhe e ekranit, Artiste e Popullit. E njohur për role të suksesshme në dramë dhe komedi, “Rrënjët e thella”, “Fejesa”, “Prefekti”, në filmat “Kapedani”, “Tela për violinë”, etj. Për gati 10 vjet shkëputet nga aktrimi dhe i kushtohet tërësisht sportit, ku arriti sukses duke u cilësuar rekordmene dhe kampione në pingpong, atletikë, volejboll, etj. Ka interpretuar në mëse 1500 role për gati 40 vjet punë në Estradë.

2Melpomeni Çobani: Gjyshe me të drejta të plota

E quan vit me fat ‘91, jo politikisht kuptohet, por për nga ndjesia e të bërit gjyshe, pasi jeta e saj do të merrte tjetër rrjedhë. Emocione që do t’i sillnin më pas përjetime të reja, të ndryshme e me përmasa emotive. Një surprizë e shumëpritur, e cila i ndryshoi statusin nga nënë në gjyshe. Që nga çasti që preku me duar nipin e saj të njomë, do të përfytyronte në një vijë të gjatë mendimesh mënyrën se si do ta rriste, çfarë do t’i mësonte për jetën, e pse jo, ta udhëhiqte në hapat e tij të parë deri në fazën e lirisë së një të rrituri. Vërtet, sot, pas 20 vjetësh, ajo ndihet po aq krenare dhe e ndjeshme ndaj raportit që ka krijuar me nipin e saj, Stilianin. Sikundër i janë mirëpranuar nga prindërit e fëmijës këshillat që ka dhënë për mirërritjen e tij. Me pak sakrificë, por dhe një detyrim moral që së brendshmi e ka thirrur të kryejë një detyrë njerëzore, ndjekur nga modeli i trashëguar prej paraardhësve të saj. Aktorja e njohur e skenës dhe ekranit, Melpomeni Çobani, edhe pse 83 vjeçe, ende tregon kujdes, ndoshta deri diku “të tepruar”, siç mund t’ia nënvizojnë rrethi familjar, por që sipas saj kjo është një ndjesi nga meraku që ka për nipin e vetëm. Në kafenë që ndamë bashkë me aktoren, bijën e saj Magda dhe Stilianin, sigurisht që shembulli i një gjysheje tipike, të ëmbël, të kujdesshme, plot dashuri e vëmendje ishte i pranishëm në çdo lëvizje. Gjyshe Melpomeni nuk lejon që t’i mërzitet nipi, madje përkundrazi ngul këmbë sa herë që është e pranishme në ato kontradiktat prind-fëmijë.

Nuk do t’ua lejoja kurrë që e ëma apo i ati t’i flasin ashpër fëmijës. Më ther në shpirt kjo gjë. Me thënë të drejtën ka pasur raste që u kam thënë: ‘Mbylle të lutem, mos i flit djalit ashtu’. Unë bëja luftë, ç’të ishte e mundur, që të mos ma mërzisnin djalin. Ishte nipi i parë në familjen tonë. Por ne e kemi dhe në gen përkujdesjen. Kjo vjen nga dhembshuria e gjyshërve. Nipi është mjalti i mjaltit”.

Një artiste ende e gjallë, ashtu si dhe fizikisht për t’u admiruar për moshën e saj, zonja Melpomeni ende e gjen kohën të përçojë mesazhe dhe këshilla pozitive ashtu siç bënte dikur me nipin e vetëm. Në rrugëtimin e rritjes së tij, pa shfaqur aspak shenja egoizmi për të qenë e lirë, ka sakrifikuar kohën duke i ndarë me llogari matematikore hapësirat që i takonin gjithkujt në familje. E sigurisht, Stiliani kishte vendin e vet, kohën kur nëna e merrte nga kopshti, pak më vonë nga shkolla dhe shëtitjet e pafundme e informacionin e pashterueshëm të saj që gjithnjë ishte befasues. “Fëmija është lulja e shtëpisë, të kënaq. Me mua nipi shëtiste gjatë ditës. Kur dilnim nga shkolla, shkonim sa te stadiumi ‘Qemal Stafa’, sa te ‘Dinamo’, tregonim histori për sportin, meqenëse unë jam marrë me të, i flisja dhe ai çuditej. Më vonë i kam treguar që jam aktore e skenës, ndjesi të cilën ai e shfaq si pozitive edhe sot kur sheh filmat e vjetër shqiptarë. Sot prindërit e tij dhe unë jemi të kënaqur për të”. Pavarësisht këshillave me mbidozë, gjyshe Melpomeni sigurisht që ka ditur të ruajë ekuilibrat mes nipit dhe prindërve të tij. Bëhet fjalë për ato raste kur gjysheve, dashur pa dashur, u mbetet hatri nga një këshillë e tepruar ose pa vend. Megjithatë ajo tregon se falë mirëkuptimit, botëkuptimit të saj, të vajzës apo dhëndrit ka gjetur maturinë e duhur për ta forcuar këtë raport.

“Ka raste që gjysheve u mbetet shumë hatri, por unë jam treguar e kujdesshme. Kam preferuar të respektoj vendimet e tyre, megjithëse e kuptoj se deri diku tregoj kujdes edhe më shumë seç duhet. Vazhdoj të jap këshilla, të sugjeroj për të mirën e tyre. As vajza e as dhëndri nuk kanë ndërhyrë. Ma kanë lënë në dorë. Nuk mund të ankohem. Vija re që thoshte dhëndri: ‘Lëre si të thotë gjyshja, ajo le t’ia përgatisë çfarë do djali. Ajo di më mirë se ne’. Tani gjyshet mbase janë më ndryshe, por megjithatë për mua ka qenë dëshirë shumë e madhe të isha gjyshe. Kisha dëshirë të prisja dhe nga djali, por deri tani ende”.

 

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top