Psikofakt

January 23, 2018 | 12:29

Burracak, ajo ka të gjitha të drejtat të të refuzojë! Ti s’ke asnjë të drejtë t’i marrësh jetën!

Nga Dorina Bilbili

“Ti nuk vdes nga dashuria, sepse dashuria madje edhe kur lëndon, nuk vret!”

Prej 3 ditësh nuk mund të gjej paqe. Në kokë më përsëritet vetëm pyetja: Pse u vra edhe Ariela?

Nga njëra anë ekziston një problem edukimi se si meshkujt dhe femrat i qasen ndjenjës: Meshkuj që besojnë se dashuria është të posedojnë një femër dhe ta shkatërrojnë atë, madje deri në vdekje nëse i refuzon apo i braktis, dhe nga ana tjetër, femra që besojnë se dhuna buron nga “dashuria e madhe”. E për këtë kemi shprehjen makabër “alla shqiptarçe”: Kush të rreh, të do!

E kësisoj, në këtë shoqëri të udhëhequr nga një mendësi kolektiviste, maskiliste, patriarkale, shumë vajza e gra rrezikojnë, qëndrojnë në kontakt me dhunuesit me idenë se ai “do të ndryshojë, më premtoi se kurrë s’do ta bëjë atë përsëri…”. Nuk ngrenë zërin, nuk denoncojnë dhunën! Presin… fundin e saj. Por që fatkeqësisht po shënon fundin e jetës së tyre!

Nga ana tjetër shënohet një problem kulturor, në të cilin merr pjesë media, e cila në emër të një ndërgjegjësimi, vijon e mbështet versionin e krimit në emër të “dashurisë” dhe deformon realitetin në favor të romantizmit, në të cilin krimet apo dhuna janë fisnikëruar nga termi “krim pasioni”.

Ama përse kur krimi ndodh, të gjithë themi një zëri: Kjo ishte një kronikë e paralajmëruar?!

Kjo ndodh shumë më shpesh se vajzat dhe gratë e vrasin mendjen për ta pranuar. Në një lokal, qendër tregtare apo edhe institucion qëllon të pranosh një kompliment nga një mashkull. Qoftë edhe “për edukatë” i kthen një buzëqeshje. Ndoshta në rast tjetër e zgjat bisedën, e pason duke krijuar edhe një marrëdhënie.

Por kur femra vendos që komunikimi apo lidhja duhet të përfundojë, gjërat bëhen më keq?!

Ai fillon t’ju përndjekë, deri në raste ekstreme përplasjeje.

Fatkeqësisht, në shoqërinë e ditëve të sotme disa meshkuj mendojnë se për shkak se ju bëjnë qoftë edhe një kompliment, u jeni borxhlie diçka. Disa meshkuj kanë rezultuar të jenë të dhunshëm si verbalisht ashtu edhe fizikisht. Në disa raste, sulmi u ka kushtuar edhe jetën vajzave dhe grave në jetën e tyre.

Si në rastin e Arielës, e cila nuk pranonte të kishte një lidhje me Aldon. Por ky i fundit donte me patjetër të bëhej bashkëshorti i saj.

Fundverën e shkuar gjykatësja Fildes Hafizi u ekzekutua nga ish-bashkëshorti sepse ai nuk “kapërdinte” dot divorcin.

Apo edhe historia e Liljana Rukos, e cila u hodh nga ballkoni prej bashkëshortit, pasi ky i fundit ishte xheloz.

Kjo panoramë po ngjan të jetë gjithnjë e më shumë e zakonshme në ditët e sotme. Por djema, duke sulmuar një femër nuk ju bën burrë. S’ka rëndësi nëse kjo është dhunë fizike apo verbale, thjesht ju bën të dobët. Burracakë! Asnjë vajzë apo grua nuk ju detyrohet për asgjë. Ne rezervojmë të drejtën për të thënë “JO”.

Njoh burra që e kuptojnë bukurinë e fuqisë gjeneruese të jetës që ka femra, janë krenarë dhe jo xhelozë për të. Këtu nuk po flasim për to. Këtu po flasim për burrat xhelozë për një vështrim, një gjest të këndshëm që s’është për ta, një fustan të shkurtër, një buzëkuq, një kompliment në rrugë. Për ata që nuk bien dakord që të lihen mënjanë. Për ata që mendojnë se meritojnë gjithçka, edhe kur nuk japin asgjë. “Nëse nuk je imja, nuk do të jesh e askujt!”, “Para se të dalësh më dërgo një foto, të shoh nëse je veshur në rregull!”, “Boll dole me shoqet, nuk më pëlqejnë!”;  “Ma trego celularin, nëse nuk ma tregon kjo do të thotë që s’më do!”. Vajza dhe gra, këto fraza janë pastër kambana të alarmit të një marrëdhënieje që mund të degjenerojë, por ju ose s’jeni në dijeni të këtij fakti ose shpesh i interpretoni shprehje të tilla si kujdes dhe ndjenjë dashurie. Por xhelozia e sëmurë, makthi, zotërimi dhe kontrolli nuk janë simptomat e dashurisë. Siç thonë pastër dhe saktë psikologët.

Ekspertët e sjelljeve thonë se burrat që janë të dhunshëm me partneren nuk janë të gjithë njësoj. Një kategori bëhen të dhunshëm në mënyrë sporadike. Kurse në ekstremin tjetër është burri për të cilin dhunimi psikologjik apo fizik i femrës i është bërë zakon. Ama çdo formë e dhunës mund të shkaktojë lëndime, madje edhe vdekje.

Por cilët faktorë mund të çojnë një mashkull t’i marrë jetën femrës që ka premtuar se do ta dojë përjetë?

Roli i familjes. Nuk është e çuditshme që shumë burra të dhunshëm vijnë nga familje të dhunshme. “Shumica e burrave që vranë gruan e tyre janë rritur në familje që ishin ‘teatro të vërtetë lufte’ shkruan Michael Groetsch, i cili ka studiuar dhunën në çift për më shumë se 20 vite. “Që nga mosha e hershme ata janë rritur në një mjedis armiqësor ku dhuna emocionale dhe fizike ishte ‘normale'”. Ai mëson se një burrë gjithmonë duhet t’i mbajë gratë në kontroll dhe që për ta bërë këtë, ai duhet t’i trembë, t’i dëmtojë dhe t’i poshtërojë ata.

Roli i kulturës

Një raport i OKB-së thotë: “Ideja që burri ka të drejtën për të rrahur gruan e tij ose për ta kërcënuar atë fizikisht është thellësisht e rrënjosur në shumë shoqëri”.

E për të shpëtuar nga dhuna, lipset edukimi i të rinjve, si meshkuj dhe femra, pasi  është mënyra më e fuqishme për parandalimin e rasteve të reja të dhunës. Vetëm në kryeqytet çdo ditë raportohen 3 raste dhune ndaj femrës.

Alberto Pellai, mjek, psikoterapist dhe studiues i Universitetit të Milanos thotë se për të parandaluar këto situata, edukimi gjinor në shkolla është themelor, për të mësuar që të mos bien në kurthe të lidhura me mekanizmat gjinorë. Ose ato modele të sjelljes, të rrënjosura thellë në shoqëri, për të cilat meshkujt kanë mësuar se “burrat e vërtetë nuk qajnë”, pasi duhet të jenë burrëror, duke shkaktuar që djemtë të kenë një mungesë të ndjeshmërisë ndaj tjetrit.  

Teksa edukimi gjinor, megjithatë, do të japë fryte vetëm pas disa vitesh, mjeti më efektiv për trajtimin e emergjencave mbetet ende gjykimi penal. Fabio Roia, president i Divizionit Penal të Gjykatës së Milanos propozon: Një proces, që konsiston në “futni viktimën në një rrjet multidisiplinar dhe ndër-institucional që garanton mbrojtje fizike, ndihmë psikologjike, ligjore, mjekësore dhe ekonomike në afat të shkurtër dhe të mesëm; që zhvillohet nga profesionistë të specializuar, në të gjitha nivelet; që eliminon paragjykimet dhe të gjitha ato forma kulturore të viktimizimit…”. Dhe kjo gjithashtu përfshin një rrugë shërimi për kryerësin e dhunës “i cili shpesh nuk është i vetëdijshëm se sjellja e tij është një krim”.

Dashuria kujdeset për të tjerët. Deri në sakrificën ekstreme për ta lënë të lirë, për të hequr dorë nga personi tjetër. Pjesa tjetër është posedim dhe egoizëm. Ka burra dhe burra të vegjël të denjë për këtë emër. Nuk ka justifikime: Një burrë i vërtetë s’do të dëmtojë kurrë një grua. Kush e bën këtë është një frikacak, frikacak dhe i paaftë!

Andaj djem dhe burra: Edhe nëse nuk të do. Edhe nëse të tradhtonte me një tjetër. Edhe nëse u largua nga ti. Edhe nëse të provokoi. Edhe nëse s’të respekton. Edhe pse të tha “JO”. Asgjë nuk justifikon dhunën, goditjet, rrahjet, vrasjen. Sigurisht dashuria nuk mund ta bëjë këtë.

E ju vajza e gra, mjaft me heshtje! Duhet të raportohet dhuna! Gjithmonë! Edhe herën e parë që ndodh. Nuk do të jetë e fundit…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top