Në një video nga ato që më dërgojnë shpesh miqtë për të më dhënë forcë në momente të vështira, flitej për gjënë më të fuqishme që mund të kemi në jetë, si një rrugë përmes së cilës ecim përpara. Folësi pyeti në një sallë të madhe plot me njerëz dhe të gjithë dhanë mendimet e tyre. Dikush tha që gjëja më e fuqishme mund të ishte “dashuria”, dikush tjetër “fjala”, dikush tjetër “lumturia”, “liria”, “pushteti”, “paraja”, shumë të tjerë dhanë mendimet e tyre derisa dikush nga fundi i sallës tha: “zgjedhja”!

Zgjedhja, fakti që në jetë mund të zgjedhim është fuqia jonë më e madhe! Mund të zgjedhim të duam, ose të urrejmë. Mund të zgjedhim të jemi të fortë, ose të dorëzohemi. Mund të zgjedhim rrugën e shkurtër, ose atë të gjatën, por më të qëndrueshmen. Mund të zgjedhim të jemi të lumtur me gjërat e vogla që na ofron jeta, ose të shohim gjithçka si një hall dhe të ankohemi se asgjë nuk na shkon mbarë…
Mund të zgjedhim të flasim, të ngremë zërin për gjithçka na shqetëson, për gjërat që duam, për mendimet tona, ose… mund të zgjedhim të heshtim dhe të fshihemi. Ne mund të zgjedhim të zgjohemi një ditë të hënë dhe të pyesim veten pse rifillon sërish kaq shpejt një javë e vështirë, ose të falenderojmë Zotin që u zgjuam sërish edhe këtë javë. Mund të zgjedhim njerëzit që na duan, ose mund të vrapojmë pafundësisht pas atyre që nuk na duan. Mund të zgjedhim të gjejmë diçka të keqe në gjithçka që na ndodh, ose të gjejmë dicka sadopak të mirë në ato që na ndodhin…
Në këtë jetë mund të zgjedhim vetë ose të lëmë të tjerët të zgjedhin për ne. Nëse shkojmë pas zgjedhjeve që të tjerët bëjnë për ne, atëherë kemi zgjedhur të mos zgjedhim… Kemi zgjedhur të ankohemi dhe jo të përcaktojmë rrjedhën e ditës sonë. Nëse për pesë minuta të ditës që kemi kaluar një moment të vështirë, apo jemi përballur me dikë që na e ka prishur humorin, e vazhdojmë këtë ndjesi gjatë gjithë kohës dhe themi që kjo nuk ishtë një ditë e mirë, atëherë, i kemi lënë ata të zgjedhin për ne, të na prishin ditën, jetën, shëndetin apo gjithçka që kanë patur dëshirë…
Mund të zgjedhim të mërzitemi dhe të dorëzohemi ndaj padrejtësive që na bëhen në jetë, ose mund të zgjedhim t’i luftojmë ato. Jeta është e përbërë nga momente të cilat arrijmë t’i kontrollojmë, që i kemi në dorë dhe mund të ndryshojmë rrjedhën e tyre dhe nga momente të cilat nuk i kontrollojmë dot se nuk varen nga ne. Për të parat, zgjedhja është e qartë, ecim në krahun që kemi zgjedhur dhe e përcaktojmë vetë rrjedhën. Edhe e dyta na ndodh shpesh, si një sërë gjërash të cilat nuk i zgjedhim ne, të cilat nuk i kontrollojmë dot. Aty nuk mund të zgjedhim çfarë na ndodh, por si reagojmë ndaj asaj që na ndodh. A biem dhe nuk ngrihemi më nga një goditje që na jep jeta, apo zgjedhim të çohemi në këmbë çdo mëngjes dhe të ecim përpara më hapa sado të vegjël? Zgjedhim të lidhemi me të shkuarën ose të jetojmë në të ardhmen, apo zgjedhim të jetojmë të tashmen? Atë që kemi tani, atë që po na ndodh realisht dhe atë të cilën kemi në dorë ta jetojmë ashtu siç duhet?
Kushdo që ka drejtuar një mjet me timon në jetë, e di mirë se si një lëvizje e vogël e timonit mund ta ndryshojë fare thjesht drejtimin, edhe të një biçiklete të vogël, edhe të një makine, edhe të një anije gjigande, edhe të një avioni në fluturim… Në të njëjtën mënyrë zgjedhjet tona të vogla e të mëdha përcaktojnë rrjedhën e jetës sonë, të atyre që kemi pranë, të atyre që drejtojmë, të atyre që na ndjekin, të një grupi të tërë, të një shteti të tërë. Çdo hap që hedhim ose që nuk hedhim është një zgjedhje, çdo anë nga e cila kthehemi është një zgjedhje. Lentet me të cilat zgjedhim ta shohim botën janë një zgjedhje dhe kjo është fuqia më e madhe që kemi – të zgjedhim të jetojmë siç duam ne dhe jo siç mund të duan të na e përcaktojnë të tjerët.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

