FB

February 20, 2024 | 6:16

Çdo ditë e më shumë shtrohet pyetja: Çfarë po ndodh?

 

 

Dhuna e përhapur sidomos tek të rinjtë në të gjithë botën, përfshirw edhe Kosovën, ka marrë përmasa shqetësuese. Shpesh kjo dhunë po konkretizohet dhe përfundon me fatalitet! Brengat e prindërve, të përgjegjësve të rendit, të instancave relevante qeveritare, të mësimdhënësve etj., nuk kanë të ndalur.

vehbi-zeqiri

Çdo ditë e më shumë shtrohet pyetja, ‘çfarë po ndodhë’?

Prindërit dhe shoqëria në përgjithësi pyesin vetën, ‘ku kemi gabuar’?

Shqetësimi, brengat dhe pranimi i realitetit është hapi i parë drejt zgjidhjes së kësaj enigme, por ndoshta edhe problemit në tërësi. Bazuar në eksperiencën jetësore, akademike dhe profesionale, sipas mendimit tim, fushat e mëposhtme kërkojnë vëmendjen tonë si dhe veprim të menjëhershëm në përmirësimin e tyre:

 

Edukata dhe rrethi familjar

Shumë prindër dhe familjarë, në prani të fëmijëve të tyre të vegjël, zhvillojnë biseda negative dhe aspak edukative, si p.sh. urrejtja për të tjerët, mos falja e gabimeve, arritja deri te pasuria përmes rrugëve të pamoralshme dhe të paligjshme, mosrespektimi i të tjerëve, nëpërkëmbja e të dobëtëve, tallja me ata që mësojnë dhe edukohen, etj.

Fëmijët në fazën e parë të jetës, modelin të cilin e pasojnë me përpikëri janë padyshim prindërit e tyre. Çdo gjë që vjen prej tyre, e pranojnë pa asnjë dilemë, por edhe me krenari. Prandaj, prindër të nderuar dhe të dashur, kujdes prej sjelljeve dhe fjalëve tuaja në prani të fëmijëve tuaj!

kosove2

Arsimimi dhe shoqëria

Në fazën tjetër të jetës, ekspozimi i domosdoshëm jashtë familjes,  hap mundësi tek fëmijët të ballafaqohen me jetën ‘e egër’ të rrugës dhe shoqëri të pa edukatë. Fëmijët e kësaj moshe me një sinqeritet dhe qëllim të çiltër, iu besojnë të tjerëve pa rezerva dhe pranojnë fjalë, sjellje, dhe vepra jo të mira prej tyre. Gjithashtu kureshtja (aftësi e të mësuarit) e mbjellë tek fëmijët, mund t’i ekspozoj edhe më shumë ndaj elementeve negative.

Fëmijët janë në mëshirën, vetëdijen dhe vullnetin e prindërve të tyre por dhe mësimdhënësve për kujdesin dhe ruajtjen e tyre prej botës së egër dhe negative që mbretëron jashtë.

 

Neuronet pasqyruese 

Sipas neuro-shkencës ekzistojnë neurone pasqyruese, të cilat kopjojnë sjelljet dhe fjalët e të tjerëve pa vetëdijen dhe vullnetin tonë. Rrethi ku rriten dhe zhvillohen fëmijët, do të ketë ndikim në të menduarit, të vepruarit, të shprehurit, dhe të jetës në përgjithësi për çdo fëmijë. P.sh. nëse kaloni kohë të gjatë me njerëz të pasjellshëm, edhe ju pas një kohe do të bëheni të tillë, por nëse shoqëroheni me njerëz të mirë edhe ju do të bëheni të mirë.   

Nëse kemi parasysh rrethin familjar dhe rrethin e gjerë shoqëror si dhe neuronet pasqyruese, atëherë le të veprojmë në atë mënyrë që të pasqyrojmë vepra, fjalë dhe këshilla të mirëfillta dhe edukative në prezencë të fëmijëve tanë me dashuri të sinqertë dhe respekt ndaj tyre.

Mos të harrojmë që te fëmijët në fillim të jetës së tyre ana emocionale e trurit është shumë më funksionale se ajo racionale. Prindërit me inteligjencë emocionale të zhvilluar janë më të vetëdijshëm për sjelljet e fëmijëve të tyre por edhe dinë më mirë t’i menaxhojnë ato sjellje.

 

Edukojini fëmijët tuaj që mos t’i edukojë rruga!

Dashuroni fëmijët tuaj që mos të kërkojnë dashurinë në rrugë!

Respektojini fëmijët tuaj që mos të kërkojnë respekt në rrugë!

Të gjitha këto mund t’i gjejnë edhe në rrugë,  por me një shkëmbim të një gjëje shumë të shtrenjtë, i cili është nderi i familjes!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top