FB

November 2, 2026 | 11:30

Çfarë është Afantazia dhe si funksionon bota e brendshme pa imazhe?

Mbyllni sytë dhe imagjinoni një frut, për shembull një portokall. Për shumicën prej nesh, ky është një veprim i thjeshtë. Brenda sekondës, në ekranin e mendjes shfaqet ngjyra portokalli, forma e rrumbullakët dhe bishti i vockël jeshil. E shohim qartë, sikur të jetë aty. Por për rreth 2% deri në 4% të popullsisë globale, ky përfytyrim është i pamundur.

silvana-ukaKur mbyllin sytë dhe përpiqen të imagjinojnë portokallin, ata shikojnë vetëm errësirë. E dinë shumë mirë se si duket ky frut, e njohin shijen e tij, e dinë që është ngjyrë portokalli, por nuk e “shohin” dot me sytë e mendjes. Kjo gjendje quhet afantazi (aphantasia) – një fenomen magjepsës psikologjik dhe neurologjik ku “syri i mendjes” mbetet gjithmonë i verbër.

 

Çfarë është saktësisht Afantazia?

Termi Afantazi u krijua në vitin 2015 nga neurologu i njohur i Universitetit të Exeter, Profesor Adam Zeman, megjithëse vetë fenomeni ishte vërejtur shumë më herët në historinë e psikologjisë (që në vitin 1880 nga Sir Francis Galton). Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se afantazia;

-nuk është çrregullim mendor,

-nuk është dëmtim i trurit dhe

-nuk lidhet me mungesën e inteligjencës.

Njerëzit me afantazi janë krejtësisht normalë, funksionalë dhe shpesh kanë karriera të suksesshme në shkencë, art, teknologji apo letërsi. Dallimi thelbësor që duhet bërë është mes të diturit dhe të parit: Njohuria (Semantika): Truri i një personi me afantazi e di në mënyrë perfekte se si duket një mace, si lëviz dhe çfarë ngjyre ka, dhe imazheria (përvoja vizuale): Ajo që mungon është aftësia për të riprodhuar atë përvojë vizuale në mungesë të stimujve të jashtëm. Truri e ka informacionin, por nuk ka ekranin ku ta shfaqë atë. Po si ndihet jeta me një “ekran të zi”? Për vite me radhë, personat me afantazi mendonin se shprehje të tipit “shikoj ëndërr me sy hapur” apo “imagjino sikur…” ishin thjesht metafora poetike. Ata nuk e kuptonin se njerëzit e tjerë vërtet “shihnin” imazhe në kokën e tyre. Përvojat e tyre të përditshme sjellin një perspektivë unike mbi psikologjinë njerëzore. Këtu kujtesa funksionon ndryshe; Kur dikush u kërkon të kujtojnë fytyrën e gjyshit të tyre, ata nuk e “përfytyrojnë ose shikojnë” gjyshin. Në vend të kësaj, truri i tyre ka faktet; “flokët e bardha, syzet e rrumbullakëta, buzëqeshjen e ngrohtë”. Ata e kujtojnë personin përmes listës së karakteristikave, por jo përmes një fotografie mendore. Studimet psikologjike sugjerojnë se njerëzit me afantazi shpesh përballen më lehtë me ngjarjet e dhimbshme të së kaluarës. Kjo sepse ato nuk mund t’i rijetojnë ngjarjet vizualisht në mendje. Kujtimi mbetet një fakt i ftohtë dhe jo një skenë e gjallë që shkakton frikë apo ankth herë pas here.

afantazi

Afantazia nuk është vetëm bardhë e zi. Ajo shtrihet në një spektër më të gjerë. Disa njerëz nuk kanë asnjë lloj imazhi vizual, por mund të dëgjojnë tinguj në mendjen e tyre (zërin ose muzikën). Të tjerë nuk kanë as imazhe dhe as zëra të brendshëm (anuralia). Në dekadën e fundit, neuroshkenca dhe psikologjia njohëse i kanë kushtuar vëmendje të madhe këtij fenomeni përmes skanimeve të trurit (fMRI) dhe testeve të sjelljes.

Një studim i botuar në revistën Cortex tregoi se kur njerëzit pa afantazi përpiqen të imagjinojnë një objekt, zonat vizuale të trurit të tyre aktivizohen pothuajse njëlloj sikur ta kishin objektin para syve. Ndërkohë, te njerëzit me afantazi, këto zona mbeten të qeta. Interesant është fakti se, pavarësisht mungesës së aktivitetit vizual, truri i tyre e di se çfarë duhet të bëjë. Për shembull, në testet e rrotullimit mendor të objekteve (ku subjektit i kërkohet të përfytyrojë nëse dy forma gjeometrike janë të njëjta), personat me afantazi shpesh arrijnë të njëjtën saktësi dhe kohë reagimi si të tjerët, por ata përdorin strategji të ndryshme logjike dhe matematikore në vend të manipulimit vizual. Gjithashtu, është vënë re një lidhje e lehtë mes afantazisë dhe kushteve të spektrit autik ose mungesës së aftësisë për të njohur fytyrat (prosopagnozia), megjithëse afantazia mund të shfaqet plotësisht e izoluar te njerëz pa asnjë lloj sfide tjetër zhvillimore.

Një keqkuptim i madh në shoqëri është se njerëzit me afantazi nuk kanë imagjinatë dhe nuk mund të jenë kreativë. Kjo është e gabuar sepse:

•Kreativiteti nuk ka nevojë vetëm për imazhe: Kreativiteti buron nga aftësia për të lidhur koncepte, ide dhe emocione. Shumë shkrimtarë, inxhinierë, arkitektë dhe programues me afantazi janë shprehur se mungesa e imazheve vizuale nuk i ka penguar fare në punën e tyre krijuese. Për shembull, stilisti i njohur i lojërave kompjuterike Blake Ross, bashkëthemelues i Firefox-it, ka folur hapur për faktin se ka afantazi, por kjo nuk e ka ndalur kurrë atë të ndërtojë botë digjitale komplekse përmes logjikës dhe strukturës.

•Ëndrrat e natës ekzistojnë: Shumë njerëz me afantazi habiten kur kuptojnë se, megjithëse nuk mund të imagjinojnë dot me sy hapur gjatë ditës, ata shohin ëndrra gjatë natës. Kjo ndodh sepse gjatë gjumit REM, mekanizmat e trurit që prodhojnë imazhe, funksionojnë në mënyrë autonome, të pavarura nga vullneti i ndërgjegjshëm i personit.

Afantazia na kujton diçka thelbësore rreth psikologjisë njerëzore: ne nuk e përjetojmë të gjithë botën në të njëjtën mënyrë. Ajo që ne e quajmë “realitet i brendshëm” është një pëlhurë e thurur ndryshe për secilin prej nesh. Disa prej nesh e shohin jetën si një kinema të përhershme mendore, plot ngjyra, skena dhe fytyra. Të tjerë, ata me afantazi, e jetojnë jetën si një arkivë të pasur mendore të mbushur me koncepte, kuptime, ndjenja dhe ide të qarta, por të pikturuar pa ngjyra vizuale. Asnjëra nga këto botë nuk është “më e mirë” apo “më e keqe”. Ato janë thjesht dëshmi e bukurisë dhe kompleksitetit të pafund të mendjes njerëzore – një Univers që vazhdon të na habitë çdo ditë me mënyrat e tij të misteriozshme të funksionimit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top