FB

March 7, 2022 | 8:15

Çfarë mund të bëj në 8 mars?

Është bërë traditë disavjeçare që për 8 mars gratë mblidhen bashkë, festojnë në mënyrë thuajse të shfrenuar dhe largohen një ditë nga rutina e tyre e përhershme e punës, kujdesit për shtëpinë, për familjen e gjithë punët e tjera që kanë mbi shpatulla. Një pjesë e mirë e shoqërisë i anatemon për këtë lloj “shpërthimi” deri në ekstrem e një pjesë tjetër është mësuar që këtë ditë ka vetëm festime, e grave nuk u ngarkohen përgjegjësitë e zakonshme për të paktën atë ditë.

Nga Edlira Çepani

Nga Edlira Çepani, juriste, aktiviste e shoqërisë civile

 

Duke qenë prej vitesh aktiviste për barazinë gjinore, miqtë çuditen shpesh kur u them: “Lërini gratë të festojnë!” pasi jam e sigurt që në imazhin e tyre, çdo 8 mars unë duhet të isha duke gjykuar ashpër këdo që preferon të festojë, pa protestuar e ngritur zërin për të drejtat e veta. Në fakt, mendoj vërtetë se asnjë e drejtë nuk arrihet pa e kërkuar fort atë dhe që asnjë e drejtë nuk të falet nga askush.

Por mendoj që kjo formë feste është në fakt një protestë, si e vetmja ditë në vit, kur shumë gra nuk kanë nevojë të marrin leje për të dalë me shoqet e tyre, kur mund të vishen, të krihen, dhe për një ditë të mundohen të mos mendojnë për punët e qindra përgjegjësitë që kanë mbi supe. Një ditë e vetme kur marrin një falenderim nga shoqëria për të gjithë kontributin që japin në çdo fushë, për gjithë përkushtimin e tyre që ndonjëherë shkon përtej mundësive e deri në dhimbje.

Le t’i lëmë gratë të festojnë pa i paragjykuar për një ditë, siç bëjmë çdo ditë, kur i paragjykojmë se janë shumë të bukura, se nuk janë mjaftueshëm të bukura, se punojnë shumë jashtë shtëpisë, se nuk punojnë jashtë shtëpisë, se flasin shumë, se nuk flasin, se duan më shumë apo se duan më pak. Le t’i lëmë gratë të festojnë një ditë, sepse kjo festë në fakt është një zë i fortë proteste për vëmendjen, liritë dhe mbështetjen për të cilën ato kanë nevojë çdo ditë.

Po përtej festës? Përtej festës mund të bëhet shumë! Për shembull në 8 mars mund të fillosh të bësh nja dy-tri gjëra të tjera interesante: Mbështet një grua! Jam e sigurt që kushdo prej nesh e njeh një grua që ka probleme ekonomike apo familjare, që si pafund gra në Shqipëri, punojnë ditë e natë për t’ia dalë, për familjen e për fëmijët. Kujtoji që nuk është vetëm! Hidh një sy në internet, në komunitetin tënd, në rrethin tënd a ka ndonjë organizatë apo grupim që punon për fuqizimin e grave dhe vajzave, kontaktoji, shkruaju se si mund të të ndihmojnë ty, për çfarë lloj mbështetjeje do kishte nevojë një grua që njeh apo vetë ti (pse jo, mund edhe të aktivizohesh herë pas herë për të dhënë kontributin tënd).

Promovo një grua. Para një viti nisëm në rrjetet sociale nismën #graqefrymezojne. Ishte kaq bukur të shihje foto e dedikime të nënave, motrave, mikeshave, profesionisteve që qarkullonin në rrjetet sociale në kuadër të kësaj nisme dhe ishte shumë bukur të frymëzoheshe prej tyre. Bëhu pjesë e një nisme të tillë ose bëji një mesazh apo një telefonatë një gruaje që të frymëzon. Thuaja vlerësimin që ke për të, ka realisht shumë vlerë për çdokënd e sidomos për një grua!

Lexo diçka në lidhje me lëvizjet për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, mëso më shumë për to dhe mënyrën se si e kanë ndryshuar e vazhdojnë ta ndryshojnë botën, ndonëse para shumë pak vitesh dukej e pamundur. Do të të ndihmojnë të kuptosh se për ato të drejta që ke sot, duhen falenderuar ca gra dhe vajza që zgjodhën të mos heshtin ndaj padrejtësive. Do të të ndihmojnë të kuptosh që ndryshimet e vogla, edhe ato që bën ti, edhe zëri yt, sjellin ndryshimet e mëdha, që i përmirësojnë jetën shumë grave e vajzave të tjera.

Kujto cila është një gjë të cilën ke dashur ta bësh gjithmonë dhe nise! Bëj diçka për veten! Kjo listë, që mund të pasurohet ende, nuk vlen vetëm për gratë, vlen për këdo që mendon se një shoqëri, një familje, ekonomia, një punë apo një shtet, nuk funksionon dot pa gratë dhe burrat bashkë, sepse punët më të mira e të vlefshme bëhen në skuadër, jo në varësi, e aq më pak në skllavëri. Mbi të gjitha, vlen për ata që besojnë se vlerësimi e mbështetja për njëri-tjetrin nuk na duhet vetëm një ditë në vit, na duhet çdo ditë!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 165

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top