Në fokus

January 19, 2017 | 9:35

Çfarë nuk i thuhet një nëne të re

Nga Marsida Simo Sociologe

Nga Marsida Simo
Sociologe

Është një lumturi, emocion, frikë, dashuri, mezipritje, ankth, fantazi një fëmijë. Shtatzënia është një periudhë e veçantë, që trajtohet deri diku me delikatesë si nga vetë vajza që do të bëhet nënë, si nga njerëzit që e rrethojnë (them vajzë, sepse ende nuk ka kaluar në statusin grua nga aspekti mendor). Po kjo kohë kalon aq shpejt me vizita doktorësh, dieta ushqimesh, emra fëmijësh, preferenca gjinish, sa nënës së ardhshme nuk i tregohet realisht çfarë e pret më pas. Zakonisht dëgjohet tek i thonë: “Rri mos u anko se je mirë. Prit, prit kur të lindësh…”.

Po se në çfarë kuptimi thuhet, dhe për çfarë konkretisht e kanë fjalën, ia lënë surprizë se nuk duan ta mërzisin. “Thjesht mendo të ushqehesh mirë”, i thonë. Madje i sjellin dhe ndonjë panine, byrek apo dhe ëmbëlsirë. Nuk ia vënë re se merr dhe shume kalori, por madje edhe mund ta inkurajojnë të hajë, se kur të lindë fëmijën, më vonë do të mendojë për linjat.

LINDJA E FËMIJËS…

Procesi i lindjes është unik dhe ndoshta nuk ka model të ngjashëm as me mamanë, motrën, shoqen, një filmi që është parë në televizor. Ai mund të zgjasë me minuta, orë apo ditë. Varet nga pozicioni fëmijës, gjendja shpirtërore e nënës, pritja dhe përkujdesi i stafit mjekësor, doktori i turnit që rastis në maternitet, apo mjeku që është kërkuar. Mund të duket moment i dhimbshëm, horror, i sikletshëm, stresues, i pafund, i veçantë dhe i bukur. Gjatë shtatzënisë përpiqen t’ia anashkalojnë këtë bisedë vajzës shtatzënë, që të mos e frikësojnë, po ajo duhet ta dijë. Madje e këshillojnë të mos i tregojë as mamasë momentin kur është për të lindur se vuan më tepër. Por kjo gjë mund ta komplikojë situatën. Mbajtja e emocioneve shton ankthin dhe nuk e qetëson një moment të tillë. Një vajzë shtatzënë duhet të pyesë mjeken, të lexojë dhe të bisedojë për frikën e saj. Ajo duhet të dijë çfarë e pret. Ajo duhet të dëgjojë vetëm specialistë dhe jo legjenda urbane. Deri diku në kryeqytet zhvillohen takime me prindër të rinj që quhen kurse prenatale, po frekuentimi nuk është i konsiderueshëm.

KTHIMI NË SHTËPI…

Dita që do të kthehesh në shtëpi është më përmalluese se dita kur lë shtëpinë e prindërve. Është dita e parë e një mijë ditëve ku duhet të jesh gati. Gati për gjithçka. Urime, je mama! Tani e përherë nuk mund të mendosh më në vetë të parë. Çdo zile, mjaullimë, zhurmë, tringëllimë, psherëtimë etj., do të duket si e thirrura e fëmijës tënd. Shtëpia është mbushur me tullumbace, lule dhe dhurata të vogla, të cilat më vonë mezi do gjesh kohë t’i pastrosh dhe sistemosh. Të duket vetja e mpirë dhe si e alkoolizuar. Do të doje të flije një javë, por nuk të kanë thënë më parë që gjumi është fjalë që zhduket tani e tutje. Të kanë gënjyer nëse të kanë thënë që kur fëmija fillon ushqimin ngopet dhe natën fle gjumë më gjatë. Gënjeshtër, sepse në atë periudhë fëmija grindet më tepër dhe mund të zgjohet më shpesh, sepse i dalin dhëmbët, atashohet më tepër me nënën etj. Ti mund të flesh më gjatë ndonjë natë ashtu kot si rastësisht, kur fëmija ka hyrë në gjumë të thellë pa ndonjë arsye të veçantë. Madje, ti sërish do të jesh me sy hapur nga meraku pse nuk po zgjohet. Ty nuk ta kishin thënë kur ishe shtatzënë si duhet ta mbash fëmijën, si duhet ta vësh në gjumë, si dhe ushqesh. Nuk t’i thoshin se janë supersticiozë dhe këto biseda bëhen më vonë. Këto mësime ti i merr kur foshnja ka marrë veset e tij, kur do të rrijë vetëm në krah dhe ta tundësh derisa të flejë. Tani është pak si vonë për leksione. Nuk të kishin thënë më parë që tani është radha jote t’i përballosh të gjitha. Nuk të pyesin më si je, nëse ke pushuar, nëse ke nevojë për ndihmë, nëse e përballon dot, nëse ke ngrënë. Tani pyetjet janë ai/ajo si është, a ka dhimbje barku, a ka pirë, a ka defektuar? Mirë që nuk të pyesin, por do të të ngarkojnë me informacione. Do të fillojnë të të japin mend nga eksperienca e tyre se si i kanë rritur fëmijët dhe i kanë bërë kaq sa janë sot. Nëse fillon të ankohesh, do të gjesh si kundrapërgjigje vështirësitë që nënave të atëhershme iu është dashur të përballojnë. “Po ne që kemi punuar me turne, që kemi larë duke ngrohur vajgurin, që nuk kemi pasur bebelina, që nuk kemi pasur ushqim të gatshëm, që nuk kemi pasur ngrohje…”. Dhe me të tilla shprehi krahasuese ditët e para do të duken edhe më të gjata, mëmësia edhe më e vështirë, vetja do të të duket e paaftë. Kur ishe shtatzënë nuk të kishin thënë që kur të bëhesh nënë, ndihmën e vërtetë e ke ti në dorë. Ti e imagjinoje disi, por jo kaq të vështirë. Madje të kishin gënjyer kur të thoshin bëje se do ta mbaj unë. Përkundrazi, në ditët e para njerëzit ose do të zhduken me idenë se do pak qetësi, ose do të vijnë e do të rrotullohen në shtëpi ashtu kot, sepse foshnja pret nga ty.

2SHQETËSIMET E PARA MENDORE…

Kanë nisur çrregullimet e para në mendjen tënde dhe pyetje pa fund. A do të jem e aftë ta rris? A do të jem nënë e mirë? Po sikur të mbytet në gjumë? Po sikur të mos marrë frymë? Po sikur të mos ngopet me qumësht? Kishe lexuar diku për depresionin pas lindjes, po ishe thuajse e sigurt që ty nuk të prekte. Ty nuk të kishin folur shumë për depresionin se do të fiksoheshe dhe do dukej sikur do të të kapte dhe më mirë të mos e dije. Por padija nuk është zgjidhje. Duhet të dish dhe të marrësh masa. Disa nëna fiksohen pas pastërtisë, disa të tjera nuk duan që fëmijën e tyre ta prekë kush. Por ka dhe nëna që e vuajnë më tepër këtë situatë dhe nuk duan ta shohin fëmijën e tyre. Ndaj kur je shtatzënë, ke dhe kohën të informohesh më tepër. Vetëm kohët e fundit po flitet në media disi për shqetësim psikologjik. Një nënë e tillë do një përkujdesje të veçantë.

GJIDHËNIA…

Ky është një proces kaq i shenjtë dhe kaq horror. Që pas lindjes do kapësh gjirin tënd duke kërkuar ndonjë pikë qumësht. Frika e të mos pasurit gji mund të çojë në rëndesë të situatës. Kur ishe shtatzënë, nuk ta kishin thënë një fjalë të keqe, por tani mund të dëgjosh shprehje si: “Epo, nuk paske qumësht. U nxi fëmija, se ti s’e ngop. S’ka si të flejë fëmija, se ti s’e ushqen tamam. Sikur e ke të hollë qumështin. Në kohën tonë nuk vuanim për këto gjëra”. Më pas të japin dhe një menu me ushqime të çuditshme ku mjekja mund t’i ketë ndaluar. Por jo, njerëzit që ke rreth e rrotull pretendojnë se i dinë më mirë se kushdo. Mund të kesh shtuar gjatë shtatzënisë nga 6 deri në 40 kilogramë. Pritshmëritë e tua janë që tani pas lindjes të kenë ikur rreth 10 kg të mira, por jo. Ti peshohesh ditën e dytë pasi ke lindur dhe maksimumi që ke rënë janë 5 kile. Barku është ende i fryrë, sikur je ende shtatzënë. Këmbët janë akoma të ënjtura dhe ndien dhimbje trupi nga lodhja dhe pagjumësia.

Ti sheh veten në pasqyrë dhe nuk po njihesh. Do trupin tënd mbrapsht. Sheh madje dhe disa vija të holla të kuqe diku nëpër lëkurë. Flokët po të bien me shumicë, lëkurën e ndien të thatë dhe thonjtë që lehtësisht thyhen. Kjo është e tepërt. Inati, frika, zemërimi që vetëm ty të ndodhën këto, janë të shumta. Por po të t’i kishin thënë këto kur ishe shtatzënë, nuk do të trembeshe. Do ta dije që këto janë normale dhe kalimtare.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top