Dashuria e saj ishte një nga ato dashuritë që çdo vajzë ëndërron. U ndodhën rastësisht në vendin dhe kohën e duhur, kështu nisi historia e dashurisë mes Andrrës dhe Sinan Hoxhës.
Ata janë njohur në një qendër tregtare në Dortmund, pikërisht në një kafene. Më pas në vitin 2015 në një ndërtesë luksoze në Hamburg çifti shpalli fejesën. Këngëtari dhe modelja nga Kumanova janë takuar rregullisht thuajse çdo javë në kryeqytetin francez, por historia e tyre ishte mbajtur larg vëmendjes së publikut.
Në mbrëmjen e 27 gushtit ata i thanë po njëri-tjetrit dhe dasma e tyre pushtoi mediat jo vetëm për shkak të bukurisë së nuses, por edhe mënyrës tradicionale se si u bë dasma.
Dje pasdite, çifti Hoxha ishte në studion “Rudina” në Tv Klan nga ku rrëfyen edhe një herë historinë e tyre të dashurisë dhe emocionet që kanë përjetuar, si dhe për biznesin e hapur së fundmi, një sallon me fustane nusërie dhe mbrëmjesh.
“Ne na ka marrë malli për ato kohë, ne kemi patur një lokal ku shkonim çdo ditë në të njëjtën orë saqë edhe ato gjermanët e dinin dhe na ruanin tavolinën. Andrra me shoqen e saj po vinin të dyja drejt meje dhe unë sapo e kam parë Andrrën për herë të parë në jetën time kam thënë: O Zot sikur të ishte gruaja ime kjo…
Po atë ditë ne u ulëm dhe pimë një kafe pas “shumë lutjesh”, ndërkohë Andrra pickonte shoqen e saj se përse pranoi. Por kjo më ka lodhur mua, pothuajse një vit ka zgjatur periudha e flirtimit dhe pas një viti erdhi puthja e parë. Andrra është nga Kumanova dhe është me shumë tradita. Kushti i saj i parë që Andrra të vinte tek familja ime në Tiranë ka qenë që ne të martoheshim më parë në xhami dhe më pas të vinte tek shtëpia ime. Kur ma tha këtë unë u befasova thash: Çfarë po thotë kjo? Por unë për çdo gjë kam qenë ‘si urdhëron’. Njeri më të turpshëm në dynja nuk kisha parë. Andrra gjithnjë i shmangej puthjes, por pasi dolëm një natë dhe po shkonim në shtëpi kur takova Andrrën devijova dhe e putha në buzë, ai ishte momenti”, rrëfeu Sinani.
Ndërkohë Andrra shtoi se Sinani sapo e kishte parë kishte filluar ta ngacmonte.
“Ne jemi takuar në një qendër tregtare ku unë kisha shkuar me një shoqe për të bërë pazar, shoqja ime donte të bënte foto me të por ky filloi direkt të më ngacmojë mua. Më tha anglisht: Je shqiptare apo braziliane? Dhe unë i thash që jam puro shqiptare. Dhe aty filloi lidhja jonë” shtoi Andrra.
Burimi / http://tvklan.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.