Nuk do t’ju gënjej: s’kam qenë gjithnjë një person pozitiv. E dini ju, nga ata persona të cilët mirëpresin çdo ditë me buzëqeshje, të cilët shikojnë vetëm gjysmën plot të gotës dhe që citojnë në çdo rrethanë një paragraf të pëlqyer nga libri “Sekreti” (libri ose filmi). Jo rrallëherë, më ka ndodhur t’i kaloj fundjavat me grilat ulur vetëm sepse kisha pasur një ditë të keqe, me probleme në punë, të shoqëruar me të qarat nën zë. Vazhdoj të ndjej një nervozizëm të paparë kur njerëzit vonohen në takime, dhe nuk ju rrëfej dot se çdo ditë kur temperaturat të larta shpërthejnë, më transformojnë në një iriq plot nerva. Megjithatë, gjatë viteve kam përpiluar një plan për të përballuar trishtimin dhe melankolinë, plot me shumë gjërat e thjeshta dhe simpatike, të cilat më rikthejnë buzëqeshjen.
Ke kuriozitet ta zbulosh? Përbërës sekretë për një psikikë të fortë?
Një qëndrim pozitiv që të ndihmon të përballësh çdo sfidë. Shpeshherë prekemi më shumë nga mënyra se si i shohim gjërat që ndodhin në jetën tonë, sesa nga vetë gjërat. Por, si mund ta ndryshojmë këtë? Përsërisim disa këshilla, të cilat me kohë mund të na ndihmojnë të ndryshojmë sjelljen ndaj tyre:
• Është më e rëndësishme të tregohesh e sjellshme me të tjerët sesa të kesh gjithmonë të drejtë.
• Mos lër që dështimet ose gabimet të të largojnë nga synimi kryesor.
• Shumica e gjërave nuk duhet marrë personalisht.
• Humori është ilaçi më i mirë për çdo vështirësi. “Nuk do të shohësh asnjëherë një ylber nëse i mban sytë poshtë”, – thoshte Charlie Chaplin. Dhe Dalai Lama na inkurajon: “Zgjidh optimizmin, do të ndihesh më mirë”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.