Çrregullimi bipolar, i quajtur ndryshe depresioni maniak është një gjendje e shëndetit mendor që shkakton ndryshime ekstreme të humorit që përfshijnë ngritje (mani ose hipomani) dhe ulje emocionale (depresion). Episodet e ndryshimeve të humorit mund të ndodhin rrallë ose shumë herë në vit. Ndërsa shumica e njerëzve do të përjetojnë disa simptoma emocionale midis episodeve, disa mund të mos përjetojnë asnjë.
Edhe pse çrregullimi bipolar është një gjendje e përjetshme, ju mund të menaxhoni ndryshimet e humorit dhe simptomat e tjera duke ndjekur një plan trajtimi. Në shumicën e rasteve, çrregullimi bipolar trajtohet me medikamente dhe këshillim psikologjik (psikoterapi).
Simptomat e bipolaritetit:
Ekzistojnë disa lloje të çrregullimeve bipolare. Ato mund të përfshijnë mani ose hipomani dhe depresion. Simptomat mund të shkaktojnë ndryshime të paparashikueshme në gjendjen shpirtërore dhe sjellje, duke rezultuar në shqetësime dhe vështirësi të konsiderueshme në jetë.
Çrregullimi bipolar I: pasohet nga episode hipomanie ose depresive të mëdha. Në disa raste, mania mund të shkaktojë një shkëputje nga realiteti (psikozë).
Çrregullimi bipolar II: ndodh në rastet kur ju keni pasur të paktën një episod të madh depresiv dhe të paktën një episod hipomanik, por kurrë nuk keni pasur një episod maniak.
Çrregullimi ciklotimik: e keni pasur të paktën 1 ose 2 vite në adoleshencë ose fëmijëri. Përfshin periudha të hipomanisë dhe simptoma depresive.
Llojet e tjera: përfshijnë çrregullimet bipolare që vijnë si pasojë e përdorimit të disa medikamenteve, alkoolit etj. P,sh sëmundja Cushingm, skleroza e shumëfishtë ose goditja në tru.
Megjithëse çrregullimi bipolar mund të ndodhë në çdo moshë, zakonisht diagnostikohet në vitet e adoleshencës ose në fillim të të 20-ave. Simptomat mund të ndryshojnë nga personi në person, dhe simptomat mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.
Mania dhe hipomania
Mania dhe hipomania janë dy lloje të dallueshme çrregullimesh, por ato kanë të njëjtat simptoma. Mania është më e rëndë se hipomania dhe shkakton probleme më të dukshme në punë, shkollë dhe aktivitete sociale, si dhe vështirësi në marrëdhëniet sociale. Mania gjithashtu mund të shkaktojë një shkëputje nga realiteti (psikozë) dhe të kërkojë shtrimin në spital.
Të dyja llojet e çrregullimeve maniake dhe hipomanike përfshijnë tre ose më shumë nga këto simptoma:
Anormalisht optimist
Rritja e aktivitetit, energjisë ose agjitacionit
Ndjenja e ekzagjeruar e mirëqenies dhe vetëbesimit (eufori)
Nevoja e zvogëluar për gjumë
Fjalë të pazakonta
Mendime garuese
Shpërqendrim
Marrja e vendimeve të kota (që s’ju hyjnë në punë)
Episod i madh depresiv
Gjendja e depresionuar, e tillë si ndjenja e trishtimit, bosh, i/e pashpresë, i/e përlotur (tek fëmijët dhe adoleshentët) mund të duket si nervozizëm. Ja disa simptoma të tjera:
Humbje e theksuar e interesit ose kënaqësisë
Pagjumësi ose gjumë i tepërt
Ndjenjë shqetësimi dhe ankthi
Lodhje dhe humbje e energjisë
Ndjenja e pavlefshmërisë ose fajit të tepërt
Zvogëlimi i aftësisë për të menduar ose për t’u përqendruar
Të menduarit ose përpjekja për t’i bërë keq vetes etj.
Karakteristikat e çrregullimit bipolar:
Shenjat dhe simptomat e çrregullimeve bipolare I dhe bipolare II mund të përfshijnë edhe elemente të tjera, të tilla si ankth, melankoli, psikozë ose të tjera. Koha e simptomave bipolare mund të ndryshojë në periudha të caktuara të vitit.
Simptomat tek fëmijët dhe adoleshentët
Simptomat e çrregullimit bipolar mund të jenë të vështira për t’u identifikuar tek fëmijët dhe adoleshentët. Shpesh është e vështirë të thuash nëse këto janë ulje dhe ngritje normale të humorit, rezultate të stresit ose traumës, apo shenja të një problemi të shëndetit mendor përveç çrregullimit bipolar. Fëmijët dhe adoleshentët mund të kenë episode të mëdha depresive ose maniake ose hipomanike, por modeli mund të ndryshojë nga ai i të rriturve me çrregullime bipolare, dhe gjendjet shpirtërore mund të zhvendosen me shpejtësi gjatë episodeve. Disa fëmijë mund të kenë periudha pa simptoma humori midis episodeve.
Kur të vizitoni një mjek?
Nëse keni ndonjë simptomë depresioni ose manie, vizitoni mjekun tuaj ose profesionistin e shëndetit mendor. Çrregullimi bipolar nuk bëhet më mirë vetë. Marrja e trajtimit nga një profesionist i shëndetit mendor me përvojë në çrregullimin bipolar mund t’ju ndihmojë të merrni nën kontroll simptomat tuaja.
Burimi: shëndeti.com.al / Majo Clinic
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.