Në fokus

November 23, 2020 | 10:11

Dashuria është një mrekulli e fatit!

Të biesh në dashuri shpesh konsiderohet si një mrekulli e fatit. Por a është vërtetë kështu? Në të vërtetë, çdo takim dashurie është i ndikuar nga historia jonë personale. Dhe çdo gjë që na tërheq apo na tremb tek të tjerët ka të bëjë me të kaluarën tonë, duke filluar që nga fëmijëria. Fillimi i çdo lidhjeje është frut i njohjes së dy shpirtrave, dy trupave që kanë gjetur njëri-tjetrin. Dhe prej aty fillon shkruajtja e një historie të re, historisë së çiftit.

Për dashurinë shkruhet shumë, në faqet e librave, në këngë e filma. Mund të mbushen bibilioteka të tëra me libra mbi dashurinë, me poezi dhe soneta, të cilat në faqet e tyre shprehin gjithë zjarrin dhe pasionin, që të gjithë ne e ëndërrojmë ta provojmë. Me dashuri që na lëndon zemrën dhe që na bën të qeshim. Me dashuri që na ngre mbi çdo gjë, ose me dashuri që na bën të vuajmë, na shkatërron dhe na bën të çmendemi. Ndoshta vetëm artistët e mëdhenj, poetët dhe shkrimtarët dinë me të vërtetë se si t’i gjejnë fjalët dhe të shprehin këtë ndjenjë, e cila është pjesë thelbësore e jetës sonë. Por, sot duam të mundohemi edhe ne t’ju tregojmë se çfarë do të thotë të dashurohemi dhe çfarë ndodh me zemrën tonë kur e godet shigjeta e dashurisë…

Dashuria është një përvojë unike

Dashuria është një përvojë unike dhe është e ndryshme për secilin prej nesh. Fatmirësisht, përsëritet dhe ndryshon shpesh, sipas personit me të cilin po bini në dashuri. Nga këndvështrimi shkencor ekzistojnë shumë teori se çfarë është dashuria, por në fund përmblidhen vetëm në teori dhe asgjë më shumë. Sigurisht, kur shihni njeriun që dashurojmë, në trurin tonë zhvillohen substanca si oksitoksina, dopamina, adrenalina dhe vasopresina. Një kokteil i vërtetë i dashurisë! Por kjo ndjenjë nuk mund të shprehet vetëmnë një kuptim të thjeshtë.

Kur jemi të dashuruar truri ynë sillet si të ishte i dehur, duke mjegulluar kthjelltësinë tonë. Sa herë ka ndodhur që kemi ngecur me fjalët ose kemi bërë lëvizje pa kuptim përpara personit që dashurojmë? Kjo është ngathtësia tipike që dallon një person të dashuruar!

Dashuria bën mirë për shëndetin

Duket pa kuptim ta themi, por dashuria përveç se na lumturon, na bën edhe më të bukur. E bën lëkurën tonë më të bukur dhe me shkëlqim, duke stimuluar prodhimin e oksitoksinës, e cila nga ana e saj çliron një tjetër hormon, DHEA, i cili ndihmon për të frenuar plakjen, duke favorizuar rigjallërimin e qelizave. Në fund, dashuria na jep energji, duke na shtyrë të bëjmë çmenduri dhe rrit besimin në vetvete. Falë dopaminës ndihemi më të lumtur.

Dashuria me shikim të parë dhe fluturat në stomak

Mund të biesh papritmas në dashuri, ndonjëherë mjafton vetëm një shikim për të rënë “viktimë” e dashurisë. Bëhet fjalë për dashuri me shikim të parë, ose siç thonë anglezët “fall in love”, të biesh në dashuri, të shembesh në përqafimin e saj të ngrohtë. Ndonjëherë dashurohemi me personin e gabuar, ndonjëherë me mikun tonë më të mirë, dhe ndonjëherë me atë që në të vërtetë as nuk e presim dhe imagjinojmë. Ndoshta sepse mendonim se ai person nuk mund të na pëlqente… por në fakt e shohim me “sytë e zemrës” dhe përgjërohemi për çdo fjalë të tij.

Ka nga ata që këmbëngulin se mund të kesh vetëm një dashuri të madhe në jetë, të tjerë dashurohen çdo muaj me një njeri të ndryshëm, ndërsa të tjerë besojnë se nuk bien në dashuri me një burrë ose një grua për bukurinë apo karakterin e tij, por për njeriun dhe misterin e tij. Ndodh që lidhemi me një njeri apo më shumë njëkohësisht, por kemi ndjenja të ndryshme për secilin prej tyre. Ndaj nuk ka asgjë unike dhe universale në dashuri, ajo ndryshon gjithmonë dhe është e ndryshme për të gjithë. Nuk ka rëndësi se kush na pëlqen, dashuria është dashuri.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 152

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top