Demokracia nuk kërcënohet vetëm nga faktorë të jashtëm apo nga ata që e kundërshtojnë hapur. Ndonjëherë, rreziku më i madh vjen nga brenda vetë institucioneve, aty ku duhet të garantohet zbatimi i ligjit, barazia para tij dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve.

Sot, për fat të keq, përballemi me një fenomen shqetësues: kapjen dhe dobësimin e institucioneve përmes militantizmit politik, mediokritetit drejtues, klientelizmit, nepotizmit dhe praktikave të njohura si «qoka». Në këto kushte, meritokracia zëvendësohet nga besnikëria, profesionalizmi nga bindja politike dhe përgjegjësia institucionale nga interesat personale apo grupore. Kjo situatë vë në pikëpyetje jo vetëm funksionimin e shtetit të së drejtës, por edhe vetë besimin e qytetarëve te demokracia, te barazia para ligjit dhe te garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ne miratojmë dhe përshtatim legjislacionin për shërbimin civil, përmirësojmë ligjin për administratën shtetërore dhe ndërtojmë mekanizma të rinj për rritjen e profesionalizmit në administratë. Por lindin pyetje thelbësore:
•Çfarë vlere kanë ligjet dhe garancitë që ato ofrojnë, nëse zbatimi i tyre pengohet pikërisht nga drejtuesit që kanë detyrimin t’i respektojnë?
•A mund të flasim për meritokraci kur karriera profesionale kushtëzohet nga përkatësia politike, njohjet personale apo interesat e drejtuesve?
•A mund të flasim për shtet të së drejtës kur mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies dobësohen nga brenda institucioneve?
•Dhe a mund të pretendojmë se kemi administratë profesionale kur vlerësimi i performancës, promovimi dhe trajtimi i nëpunësve nuk mbështeten gjithmonë te objektiviteti, profesionalizmi dhe merita?

Problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e ligjeve, por te mungesa e kulturës së zbatimit të tyre, te mungesa e përgjegjësisë së drejtuesve dhe te tolerimi i praktikave që dëmtojnë integritetin institucional.
Demokracia nuk është vetëm ndarja e pushteteve në nivel kushtetues. Ajo duhet të funksionojë edhe brenda çdo institucioni, përmes ndarjes së përgjegjësive, kontrollit, transparencës, paanshmërisë dhe llogaridhënies.
Për ta luftuar këtë fenomen, nuk mjafton të ndryshojmë ligjet. Duhet të garantojmë zbatimin e tyre, të forcojmë institucionet e pavarura të mbikëqyrjes, të mbrojmë nëpunësit që veprojnë profesionalisht dhe të mos lejojmë që administrata publike të kthehet në pronë të interesave politike apo personale. Sepse një institucion nuk është pronë e drejtuesit të radhës. Ai është shërbim publik dhe duhet t’i shërbejë ligjit dhe qytetarit.
Demokracia nuk rrezikohet vetëm nga ata që e kundërshtojnë hapur, por edhe nga ata që e dobësojnë nga brenda institucioneve, përmes militantizmit, mediokritetit, klientelizmit dhe përdorimit të pushtetit në funksion të interesave personale apo partiake.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

