Në fokus

November 10, 2015 | 9:39

Dashuria në 2013-ën!

fleuraNga: Fleura Shkëmbi

Majat e lashtë parashikuan se gjatë dhjetorit të 2012 vlerat e fokusuara te lekët (pasuria), pushteti dhe kontrolli do të zëvendësohen. Një botë e re bazuar në dashuri, vëllazëri, unitet dhe integritet është profetizuar për të marrë vendin. Në qoftë se ato që ata thonë janë të vërteta, atëherë turbullirat në mbarë botën do të eliminojnë vlerat e vjetra dhe do të na drejtojnë ne drejt një mënyre të re. Duket e bukur për ta besuar, por nuk ka akoma prova për ta hedhur poshtë.

Sipas tyre ka ardhur momenti që ne të vlerësojmë dhe të bazohemi te ndjenjat, intuita, për të na treguar rrugën drejt të të kuptuarit të vetes dhe më pas të të tjerëve, të zhvillojmë pjesën femërore që ka çdokush brenda vetes, e cila është mohuar prej kohësh. Kjo pjesë e jona (ka mbetur e fshehur në të pavetëdijshmen prej mijëra vjetësh) është gati të rizërë vendin e vet në ndërgjegjen e gjithsecilit; kjo pjesë e harruar është e mirëseardhur te të gjithë ne.

Të lëmë të vjetrën të largohet për t’i hapur rrugën të resë! Ky është motivi i ndërrimit të viteve. Prandaj nëse kemi lënë mbrapa marrëdhëniet e “sëmura”, zënkat, mosmarrëveshjet, tani kemi mundësi për eksperienca të reja, të bukura dhe mbi të gjitha të sinqerta.

 Zhvilloni tolerancën dhe mirëkuptimin

Meshkujt duhet të jenë më të hapur dhe femrat më të drejtpërdrejta! Ndoshta duket e vështirë por kjo çon në mirëkuptimin mes njëri–tjetrit, intimitet dhe përmbushje. Nëse presim që partneri të na lexojë mendjen (“ai duhet ta kuptojë se unë jam e mërzitur prandaj nuk po i flas me gojë” “ajo duhet ta marri me mend se unë po i mbaj qëndrim me sjelljen time” ) është njësoj sikur të kthehemi mbrapsht në kohë, kur ishim fëmijë që qanim dhe ishte detyra e nënës që të na kuptonte, të na qetësonte. Ajo kohë ka kaluar dhe asnjë prej partnerëve nuk dëshiron të jetë nëna e tjetrit. Le ta nisim 2013 duke shprehur se çfarë ndjejmë dhe të kërkojmë hapur atë që duam/dëshirojmë.

Ne e dimë se çfarë nuk duam

Shumë shpesh gjatë terapisë, njerëzit shprehen hapur, pa droje dhe pa u menduar gjatë se çfarë nuk duan në jetë, marrëdhënie apo edhe te vetja e tyre. E njëjta gjë ndodh edhe me çiftet, kështu që e dimë mirë se çfarë do ta mërziste partnerin apo do ta zbehte marrëdhënien. Në rastet e marrëdhënieve të reja, komunikimi i hapur do t’i lehtësonte situatat dhe marrëdhënia do të rridhte më e qetë.

Ndalo ankesat

Kur dikush ankohet, ka gjasa të jetë diçka tjetër fshehur nën të. Nëse jeni gati për të shprehur pakënaqësinë për diçka, mendohuni një moment dhe reflektoni nëse ka ndonjë arsye tjetër që fshihet pas saj. Në vend që të ankohemi se nuk na ka përqafuar apo puthur partneri, më mirë afrojmë një përqafim dhe shtrëngim sesa të fillojmë përsëri nga agresioni me fjalë. Mund të marrim edhe refuzime për momentin por përsëri efekti do të ndjehet ndoshta pak më vonë. Nëse keni ankesa më të mëdha, si për shembull, humbja e intimitetit dhe jetës seksuale atëherë ju duhen teknika më të sofistikuara, ndoshta edhe ndihmë profesionale. Mos e lini pas dore këtë pjesë pasionante të marrëdhënies suaj trupore, mendore, shpirtërore, emocionale.

Dhuroni çdo ditë diçka të bukur

Kur biem nw dashuri ose kur duam të fitojmë zemrën e dikujt, ne e bombardojmë partnerin/partneren me fjalë të bukura, pozitive, i vëmë në dukje gjithçka të bukur apo të mirë që ai/ajo ka. Me kalimin e kohës kjo gjë vjen dhe zbehet. Le ta bëjmë motiv ose prioritet të 2013 që të dhurojmë, ndoshta jo përditë, një përqafim të ngrohtë, një prekje pasionante apo një surprizë të këndshme. Dashuria rrjedh si një lumë që ka pjesët e veta të furishme, të ngadalta e të qeta apo edhe vorbullat në vende të caktuara.

Shumë sugjerime jepen për ata që janë në çift, por përse jo edhe për ata që janë akoma vetëm???

Bëhuni gati për të rënë në dashuri

Përgatiteni veten emocionalisht për të qenë të hapur ndaj dashurisë. Nëse keni mbartur me vete inat, zemërim, tradhti apo zhgënjim, gjëja më e mirë është t’i lësh të ikin ose t’i zgjidhësh në mendjen tënde në mënyrë që mos t’i marrësh me vetë në lidhjen e re. Imagjinoni një re të zezë, apo një kuti, apo diçka tjetër që ju vjen ndërmend ku mund t’i fusni dhe më pas t’i largoni prej vetes. Ato thjeshtë kanë ekzistuar në një moment të caktuar të jetës suaj, por misioni i tyre ka mbaruar dhe janë gati të ikin me dinjitet.

Çdo gjë është energji, prandaj pastrojeni mendjen nga negativiteti për ta zëvendësuar atë pjesë me gjëra dhe njerëz të rinj ashtu si do t’i dëshironit. Ne tërheqim të ngjashmit tanë! Qëndroni në një gjendje ku e doni dhe vlerësoni veten, e falni nga ato që kanë ndodhur dhe të hapur ndaj atyre që dëshironi.

Duhet të dini se çfarë kërkoni

Dëshironi një lloj tjetër marrëdhënieje? Po si është, kërkoni diçka serioze apo momentale? Dëshironi të martoheni apo vetëm të keni dikë me të cilin të ndiheni mirë? Nëse e pyesim veten, thellë-thellë brenda nesh e dimë përgjigjen e vërtetë. Kështu vazhdoj të them edhe unë se meshkujt nuk kanë frikë prej meje…J por mos ndoshta është e kundërta??? Do përpiqem ta gjej zgjidhjen gjatë 2013!!!

Perfeksioni nuk ekziston

Shumë prej nesh i vënë standardet aq lartë saqë asnjëherë nuk gjejnë dikë që t’i përmbushi. Mos e trembni veten duke e vënë stekën shumë lartë se e humbim garën që pa e nisur, e më pas themi përse jemi vetëm, por ju lutem mos bëni të kundërtën duke sakrifikuar veten për hir të marrëdhënies sepse e keni ulur stekën shumë poshtë dhe kjo nuk ju motivon aspak.

Ndiqni instinktin dhe besojini intuitës

Nëse diçka ju shkakton ankth, ju jep jo rehati, do të thotë se nuk po funksionon ndoshta edhe prej jush. Një moment i vetëm i së kaluarës ju stopon dhe pengon, ose e pavetëdijshmja juaj po ju jep sinjale që duhet t’i dëgjoni dhe kuptoni. Koha nuk duhet të jetë frika juaj për të nxituar në një marrëdhënie që ndieni se nuk është e përshtatshme për ju.

Mos u dorëzoni

Çdo gjë që ndodh, ndodh për të mirë!

“Ne takohemi për një qëllim, t’i mund të jesh një dhuratë për mua ose një mësim”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top