Marrëdhënie

September 8, 2016 | 8:48

Dashuria… nevojë apo dëshirë?

Janë të shumta këngët që fillojnë me: “të dua, kam nevojë për ty”, ku “dashuria” nënkupton “të dua me çdo kusht” dhe që personi të cilit i drejtohen fjalët është aty vetëm për të kënaqur nevojat tona.

 Të dëshirosh apo të kesh nevojë për dashurinë janë dy kushtëzime psikologjike shumë të ndryshme, të cilat na bëjnë t’i përjetojmë ndjenjat në mënyrë pak a shumë të qetë. Përveç fatit, lumturia në dashuri qëndron edhe të dish se dëshira për të përjetuar ndjenja të forta është një nevojë e menjëhershme që na lë pa frymë dhe, nga ana tjetër, kur është një dëshirë më e matur nuk na pengon të jetojmë në harmoni të plotë. Sipas psikologëve, këtu qëndron thelbi i çështjes. Nëse dikush ndien një nevojë të pashmangshme për ndjenja, me shumë gjasa, rrezikon të idealizojë këdo, duke u përballur me takime zhgënjyese. Mirëpo, gjërat ndryshojnë kur më në fund ai fillon të kuptojë se dëshiron dikë apo edhe vetë dashurinë pa vuajtur me tepri nëse nuk i mungon.

Nevojë apo dëshirë… ky është problemi

Ajo e dashurisë (me D të madhe) është një nevojë e lashtë po aq sa dhe njerëzimi. Apo më mirë duhet të themi “dëshirë”?… Dhe këtu lindin dilemat e para, që në përvojën praktike përkthehen në një mënyrë krejtësisht të ndryshme në përjetimin e marrëdhënies së dashurisë.

Idealizimi i dashurisë mund të zhgënjejë

Të mos kesh të qartë në mendje nëse dëshirojmë apo kemi nevojë për dashurinë mund të na bëjë ta përjetojmë marrëdhënien në mënyrë aspak të hareshme. Kur dëshira për dashuri është shumë e fortë, rrezikojmë për shembull të idealizojmë dashurinë, a thua se kjo gjë duhet të na zgjidhë të gjitha problemet që kemi. Në moshë të re është normale që të ndodhë idealizimi i dashurisë. Edhe në moshë më të madhe idealizimi i dashurisë ndërton një miks ndjenjash dhe tërheqjeje fizike që bëjnë të mundur një jetë në çift të shëndetshme dhe të lumtur.

Idealizimi si instrument mbrojtjeje

Shpesh, në një lidhje, ka gjëra që nuk duam që të tjerët t’i shohin. Ka raste që nuk ndihemi mirë me partnerin, por nga nevoja e domosdoshme për të pasur dikë pranë, arrijmë ta vëmë atë në një piedestal ku nuk e meriton të jetë. Në këtë mënyrë partneri idealizohet, e shohim në mënyrën që na pëlqen më shumë dhe na vjen më tepër për shtat. Kështu vendosim një tis të bardhë, me qëllimin e vetëm që të fshehim gjërat që mund të na prishin ëndrrën. Ky lloj idealizimi nënkupton një mbrojtje, e cila për ne mund të jetë e rrezikshme dhe nuk duam ta pranojmë. Por është e pashmangshme që ta ruajmë këtë tis? Herët a vonë ai do të venitet dhe ne mund të ndihemi seriozisht të zhgënjyer. Kjo gjë është e rrezikshme për shëndetin tonë psikik, pasi mund të vuajmë shumë. Për këtë arsye duhet ta shohim dhe konsiderojmë partnerin për atë që është dhe të mos e shndërrojmë atë në të vetmen arsye për të jetuar. Është shumë e rëndësishme të kultivojmë interesat personale, duke shmangur mohimin e vetvetes. Për këtë duhet të kemi një jetë shoqërore shumë aktive dhe të kemi si qëllim kryesor mirëqenien personale.

Të mësojmë nga përvoja

Nëse lumturia në dashuri kërkon dallimin mes nevojës dhe dëshirës për t’u dashuruar, si t’ia bëjmë të kuptojmë se më në fund jemi jashtë rrezikut? Si të bëjmë të mos shkojmë në krahët e kujtdo që karakterizohet në një mënyrë të caktuar, që më pas të mos mbetemi të zhgënjyer? Mënyra e duhur është të dimë të dëgjojmë sa më shumë të jetë e mundur, të presim pak para se t’i nënshtrohemi impulsit të parë duke u lidhur me cilindo. Veç kësaj, përvoja ndihmon shumë për të kuptuar gabimet e së kaluarës dhe për të vepruar në të ardhmen me mençuri.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top