Pika referimi

December 28, 2020 | 8:27

Dashuria të jep kuptim, ajo ka nevojë për ne sikundër ne për atë!

 

Nuk kam dashur ndonjëherë asgjë në jetën time. Kam adhuruar, admiruar, pëlqyer, por jo dashur. Kam urryer mbase, në të rrallë, kur i jam afruar dashurisë. Nuk e kam ditur se qe punë e vështirë; dashuria qe një pus i pashtershëm, një mal i pakapërcyeshëm, një lum, një fushë me lule, një pyll i dendur, por jo një xhevahir që me gjasa nuk do ta gjenim kurrë nga qe fshehur.

Rea Shundi, Vëzhguese dhe mendimtare kritike, analizuese, punuese në grup dhe e udhëhequr nga aftësive e veta; Certifikata: Diplomacia Globale – Universiteti i Londrës, Nëntor 2017

Rea Shundi, vëzhguese dhe mendimtare kritike, analizuese, punuese në grup dhe e udhëhequr nga aftësitë e veta; Certifikata: Diplomacia Globale – Universiteti i Londrës, Nëntor 2017

Më kujtohet historia e vjetër folklorike, ku babai i jep kazmën në dorë të birit e i thotë, “Ja, këtu biri im ka një thesar të fshehur nën dhè. Me këtë sëpatë, kërkoje e do të jesh i pasur”. Babai vdiq e djali me vëllain e tij nuk pushuan së punuari tokën, e cila u bë pjellore dhe e shëndetshme për të mbjellë. Pas të korrave, djalit më në fund i ra ideja e çuditshme në kokë se, “Ja për çfarë pasurie e kishte fjalën babai im.”

Mbase puna e dashurisë është po njëlloj. Mbase, sepse do kaq shumë punë e mund, kaq shumë kohë e mungesë përkrahjeje, e kemi idealizuar dhe vendosur në një piedestal që nuk e meriton.

2

Ka disa ekstremistë që e shohin dashurinë si një eklips, jo si një diell apo hënë. Kur çohen në mëngjes dhe mendojnë se çfarë do bëjnë me jetën e tyre për një ditë të re, nuk zgjedhin dashurinë, zgjedhin çdo gjë tjetër; nuk ulin sytë ku vënë këmbët, por i ngrenë lart për të ndjekur rrezet në dritare, duke imagjinuar kalimin e kohës. Dashuria është ves, siç është edhe humbja e kohës së shtrenjtë. Ajo na kërkon të qëndrojmë në trupin tonë, sepse ka nevojë për ne që të jetë.

Si mund të qanim ne pa dashurinë? Kush do e ndjente ngazëllimin, trishtimin, pikëllimin, harenë, pa patur mundësi të jetë i dashuruar? “Të dua.” “Jo, nuk të besoj.” Pse nuk themi, “Unë dua të të dua, por e di se do jetë e vështirë.” Ose, “Unë dua lirinë, dua jetën, dua magjinë që të qenit me ty më sjell. Nuk dua të vuaj, as të të bëj keq. Dua të rri me ty gjatë gjithë jetës time, nëse do e kem këtë shans.” Tjetri do të përgjigjej, “E dua dashurinë tënde përsa kohë të jetë edhe e imja.”

3

“Të dua.” Sepse të njoh e më pëlqen. Sepse të kam përballë dhe ndjehem mirë. Sepse je një njeri që më frymëzon, por nuk më lë as kohë të marr frymë, ndaj të dua, se po të mos të të doja, do qeshë një i marrë, një idiot pa asgjë më të mirë për të bërë me jetën e tij.

Është dashuri apo marrëzi, jetë apo vdekje, gjithçka ose asgjë. Nuk ka pak ose aspak. Nuk ka lojë me fatin e tjetrit, nuk ka dashuri për të harruar inatin, nuk ka as lojë dashurore. Janë të gjitha ngjyra të së njëjtës ndjenjë. Po të kishim durimin, aftësinë dhe nevojën për të folur, nuk do pikturonim dashuri, do e bënim atë; por meqë fjalët e folura kaq shpesh më kanë lënë në baltë, por zgjedh të shkruaj.

Dashurinë time e ka marrë debati. Ajo s’ka mundur të qëndrojë në asnjë fletë gazete, në asnjë llullë, në asnjë këpucë, kapelë, në asnjë kek, në asnjë dru oxhaku. Ajo ka ikur, është harruar, e unë jam gjendur e zbrazët, më keq se më parë. “Çfarë po bëj unë, nëse nuk po bëj gjënë e duhur? Nëse nuk po jap dashuri?” “Po e mbaj për vete? Po pse nuk e ndjej?” “Mos ka qenë gjë tjetër atëherë?”

Dashuria është si uji. Ajo rrjedh, nuk ka shije, as erë, nuk do mundim të qarkullojë, por mundimi më i vogël i krijon pauzë, e cila krijon turbullira, e cila krijojnë më shumë turbullira, të gjitha të rregullueshme, sepse lumi i dashurisë është i madh e nuk ndalon prej disa pengesave. S’duhet harruar se njeriu është më i fortë se lumi. Ai mund ta shkatërrojë atë me dëshirën e tij, siç mundet të shkatërrojë gjithçka. Unë po i bëj bisht bisedës kështu duke sjellë një shembull.

Po përse do zgjidhte ndokush dashurinë, kur mund të zgjidhte kënaqësinë, paqen e rrethit vicioz të ndërtuar me duart e tij; kur mund të zgjidhte trishtimin, mungesën e motivimit, ëndërrimet pa fre; kur mund të zgjidhte vetëshkatërrimin, ose sadizmin, luftën e pafundme për ideale?! Përse?

Jeta mund të ndërtohet në bazën e çdo gjejë.

Zgjidh dashurinë, e nuk do të vuash kurrë i vetëm!

Zgjidh dashurinë, e nuk do jesh kurrë një barrë për shoqërinë.

Zgjidhe dashurinë, e do kesh në dorë çdo gjë që ke dashur, përveç vetes tënde. Zgjidhe pra, dashurinë!

Zgjidh jetën nën hijet e pemës, zhurmën e fjalëve të zhduken e të kthehen në fllad. Zgjidh melankolinë e dashurisë, ose trishtimin e mos-dashurisë, e do kesh dy botë të ndryshme. Dashuria të jep një kuptim, ndërsa mungesa e saj të hap vrimë në kraharor, për t’i bërë vend asaj që ke nevojë – dashurisë. E sa më shumë ta mohosh, aq më shumë do të të gërryhet kraharori, zemra, mushkëritë do të bëhen prush për frymën e dikujt tjetër. Do vuash se do duash të duash, por s’do mundesh ta kuptosh. Prit sa të vijë një i marrë me ty, të të thotë se nuk merr dot frymë, se nuk jeton dot më, se e ka harruar shijen e verës. Ti do e dish se ai njeri ka humbur shpresën, jo shijen për jetën, se prandaj erdhi tek ti, që s’e ke humbur.

Ki durim, për çdo shpirt që është duke vuajtur.

Ki durim për dashurinë tënde.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top