Psikofakt

September 27, 2016 | 8:11

Dashuritë fëminore

Një ndër temat tabu në shoqërinë shqiptare vazhdon të mbetet deri diku edhe ajo e dashurive fëminore. Historikisht, kjo temë është prekur, në mos trajtuar, nga psikologë e edukatorë, por edhe nga artistë e shkrimtarë të tillë si, në Francë, Baudelaire-i, Proust-i e Radiguet-ja : kështu, njihet vargu i famshëm i të parit “Et le vert paradis des amours enfantines” (Dhe parajsa e blertë e dashurive fëminore), kurse i dyti, në krye të veprës së tij madhore “A la recherche du temps perdu” (Në kërkim të kohës së humbur) rrëfen dashurinë fëminore të personazhit kryesor, ende fëmijë, për Zhilbertën moshatare me atë ; i treti, në romanin “Le diable au corps” (Me shejtanin në bark) tregon për një djalë dymbëdhjetëvjeçar që i dërgon një letër dashurie Karmenit, shoqe shkolle (Ky roman, kur u botua në vitin 1921, shkaktoi një skandal të vërtetë sidomos në mjediset provinciale)

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Pavarësisht se deri para disa vitesh nuk para gjeje gjurmë të shkruara në literaturën mjekësore apo në letërsinë artistike shqipe lidhur me këtë temë (me sa dimë, vetëm shkrimtari Fatos Kongoli e çik kalimthi atë në njërin prej romaneve të tij), kjo dukuri, me shumë gjasë, do të ketë ekzistuar edhe në Shqipërinë e dikurshme, por duhej të vinin vitet e fundit të diktaturës komuniste, që sidomos në Tiranë, disa prindër të guxonin të flisnin, në rrethe të ngushta, sigurisht, për djalin ose vajzën e tyre që kishte simpati për aksh vajzë apo djalë në kopshtin e fëmijëve apo në shkollën fillore. Këto dashuri, sigurisht të dëlira, ku erotizmi gjenital mungon për arsye fiziologjike, e kanë gjithsesi zanafillën te libidoja e njeriut, mashkull apo femër qoftë ai. Ato janë të pashmangshme, madje të nevojshme, të dobishme, sepse, siç e theksojnë veçanërisht pedopsikiatrit me prirje frojdiane, e ndihmojnë fëmijën ta kapërcejë më lehtë kompleksin e Edipit (për djemtë) dhe atë të Elektrës (për vajzat). Rrjedhimisht, është diçka e gabuar kur njëri prej prindërve – por aq më keq të dy – e frenon apo madje e qorton fëmijën e pafajshëm, po e nënvizojmë këtë mbiemër cilësor, kur ai, krejt natyrshëm e pa të keq, u hapet atyre duke u folur për dashuritë e tij fëminore; ka prindër që, në raste të tilla, pandehin se e zbusin gjendjen duke këmbëngulur te fëmija që vajzën apo djalin me të cilën/in parapëlqen të rrijë gjatë për të luajtur apo për të mësuar ose thjesht se ndihet shumë mirë, e ka si motrën/vëllanë apo si kushërirën/in e vet, çka mund të bëhet shkak që, me kalimin e kohës, te fëmija të shfaqen pavetëdijshëm impulse incestuoze me motrën/vëllanë apo kushërirën/rin e mirëfilltë. Nga ana tjetër, prindërit nuk duhet të kalojnë në skajin e kundërt, d.m.th. ta nxisin haptas fëmijën duke i thënë, për shembull: “Si? Ende s’ke një shoqe/shok që të të pëlqejë më shumë se të tjerat/ët” ose, më troç, “Si, akoma s’ke të dashur?”. Ata duhet ta dinë se dashuritë fëminore nuk imponohen, këto dashuri nuk pranojnë “mblesëri”, sepse burojnë natyrshëm e dëlirësisht nga gurra fillimisht e kulluar e libidos te fëmijët që nuk janë pjekur seksualisht dhe që, njëkohësisht, ndodhen në fillim të procesit të shoqërizimit të tyre.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top