Marrëdhënie

September 27, 2016 | 8:04

Dëshmi/Mimoza & Murat Basha: Sekreti është dashuria!

Martesa e tyre e ka prekur përvjetorin e argjendtë. Pavarësisht viteve dhe rrugës nëpër të cilën kanë shkelur, asgjë nuk e ka zbehur pasionin, dashurinë e vërtetë që i ka lidhur në dy. Ndihen me fat. Të sjellësh në vëmendje sa hap e mbyll sytë gjithçka ka ndodhur me jetën e tyre, është një lloj frymëmarrje që iu bën mirë. E me një ngacmim spontan, gjithçka rrjedh lirshëm e me emocion. “Vërtet, sa shpejt ka kaluar?!”, – më thotë Murati. “Një jetë sa një ditë, sa një çast, sa një puthje. Njohje, dashuri, martesë, pse jo edhe një pjesë, edhe pse druaj ta them, sepse lumturia rrezikon të sjellë dhimbjen. Mbi gjithçka dashuria. Ajo është emocion, miqësi. Kam besuar gjithmonë se jeta duhet jetuar me emocion. Mund të ndodhë në jetë që disa momente, ditë, javë, të bëjnë të jetosh gjithë jetën. Kjo na ka mundësuar të mbajmë në këmbë familjen përballë çdo ndryshimi, vështirësie apo pengese, por do ritheksoj se dashuria nuk njeh pengesë. Pasioni të mban gjallë, pasioni i vërtetë, ndjenja, ajo e pakuptueshmja, që të shtyn të bësh çmendurira. Pasionet shuhen ngadalë dhe vdesin bashkë me ne”.

Toleranca e bën të fortë dashurinë

Dashuria e vërtetë është ndjenjë, pasion dhe mirëkuptim. Edhe toleranca në këndvështrimin e tij, vjen vetiu, si pasojë e besimit dhe respektit reciprok. “Kjo e bën më të fortë një dashuri, i jep jetë dhe ndoshta përjetësi, – shprehet Murati. – Fjalët e dashurisë janë të njëjta, por marrin shije të ndryshme nga buzët prej të cilave dalin. Të kundërtat ekzistojnë gjithmonë, por është magjia e dashurisë që bën të ngjizen dy trupa në një shpirt. Kur rrahjet e zemrës kalojnë çdo pengesë, atëherë dashuria triumfon. Sepse qëndresa ndaj tundimit është matësi më i mirë për karakterin e njeriut. Ndoshta jeta vetëm një herë mund të dhurojë shumë, më shumë se një ëndërr të madhe, të parealizueshme në dukje, që mund të jetë ai ose ajo, sot me ty. Një, të pandarë. Fëmijëve u kemi thënë gjithmonë: dashuroni, po, po, dashuroni vërtet, fort me pasion, ndershmërisht. Një dashuri edhe mund ‘të vdesë’, por është budallallëk, madje mëkat të mos e lësh të lindë nga frika se do ‘vdesë’. Do të ishim të lumtur sikur edhe fëmijët tanë të gjenin dikë që të duheshin me pasion. Më emocionon ky fakt se ata do ishin të lumtur. Dashtë Zoti për gjithë jetën! Por edhe disa çaste lumturie të vërtetë ia vlejnë”.

Puthja, dhurata më e bukur

Të ndjesh çdo rrahje zemre të partnerit/s është me padurim të presësh rikthimin edhe kur sapo jeni larguar. Një puthje për çdo rast do të ishte dhurata më e bukur. Një puthje në mëngjes është sa mijëra fjalë, një gjest, një shikim dhe fjalët që hapin qiellin. Ky ose kjo është partneri/ja e vërtetë. Jeta është e vështirë. Ka çaste të zymta ndoshta në të shumtën e saj, por forca e dashurisë, lufta në dy të ndihmon të kalosh edhe momentet më të vështira. Edhe kur je i varfër mund të bësh dhuratat më të bukura, jo materiale, por shpirtërore. Ne e kemi provuar dhe funksionon. Kemi kaluar momente që nuk besonim se mund t’i përjetonim, kemi jetuar dhimbje që mendonim se do të na vrisnin, sidomos unë, kemi pyetur me kokën lart…Por jemi këtu falë forcës së dashurisë dhe ndihmës së Zotit. Nëse e ndan zemrën në pjesë dhe pjesën më të madhe ia dhuron partnerit/s, kjo është fantastike. E jona ka qenë dhimbje që mbijetoi falë forcës së dashurisë, magjisë së saj. Sa e vështirë, por njëkohësisht, sa e bukur ka qenë dhe vazhdon deri sot. Është i bekuar nga Zoti ai që gjen shpirtin binjak dhe di të dashurojë dhe ta mbajë fort, por fort ama, deri në përjetësi.

“Gruaja ime, “të dua më shumë se dje, më pak se nesër”, që do të thotë se do të të dua përditë edhe më shumë.”  Murat Basha

Sekrete që e ruajnë marrëdhënien

Ka vetëm një sekret dashuria. Ajo është ëndërr, nga ku lind shpresa dhe ia vlen të rrezikosh gjithçka për një ëndërr si dashuria. Jeta nuk matet nga çastet që marrim frymë, por nga ato që na kanë lënë pa frymë. Kush ka fatin të ketë mbetur disa çaste pa frymë, ka jetuar vërtet, të tjerët fatkeqësisht kanë vegjetuar, gjatë. Jemi mbi tokë për pak kohë, atëherë le të dashurojmë jo të urrehemi. Shpeshherë një ndjenjë, një pasion, një dashuri e vret e kaluara e dikujt. Mos t’i lëmë hijet e të kaluarës të vrasin dashurinë. Nëse do të isha unë, do thosha që: mos gjyko më të kaluarën time, se nuk jetoj më atje! Kush jeton me të shkuarën, vdes me të. Do e mbyll me thënien e famshme të filmit monumental “Love Story” me Rayan O’Nill dhe Ali McGraw: “Dashuri do të thotë të mos kërkosh kurrë të falur”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.86

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top