Mirëqenie

April 15, 2020 | 8:03

Delina Malaj: Koronavirusi, unë po ia dal! Nuk është një fillim fundi, por një mundësi për të shfrytëzuar!

 

Çdo të thotë “t’ia dalësh” në këto ditë? A po regreson apo progreson? Apo të duket sikur koha ka ndaluar dhe ti bashkë me të…

Sa herë ke menduar se ky ishte ndëshkim, dhe sa herë e ke gjetur veten në kahun e kundërt, se kjo ishte ajo që prisje prej kohësh dhe nuk e kishe kuptuar akoma…

delina

Delina Malaj, Psikologe Klinike

Mendon se ky është një fillim fundi apo është një mundësi që po të jepet për ta nisur dhe njëherë, por këtë herë ndryshe…

A mundemi ne të zgjedhim mënyrën si do e shohim gotën, gjysmë bosh apo gjysmë plot? Apo gota po zgjedh mënyrën se si do që të shihet?!

Unë vetë po ia dal! Po funksionoj normalisht, po ndjek një rutinë që e krijova vetë, ndryshe nga çdokush që njoh apo shoh. Çdo ditë me duket vizualisht si dje, por emocionalisht ndryshe. Kam gjëra peng që nuk i bëra, kam dhe skenarin se si mund t’i bëja ndryshe. Po mendoj çfarë do ndodhë nesër, por kësaj here jo me siguri siç bëja. Po punoj, por më shumë me veten dhe për veten, sesa për pozicionin e punës ku isha. Atë pozicion që kurrë s’e kisha kuptuar sa pak rëndësi kishte dhe sa pa vlerë, apo sa vlerë paska pas por prapë nuk ia dija vlerën. 

Gjithsesi, po punoj dhe jam produktive. 

Po njoh veten në dimensione që nuk mendoja se ishin brenda meje, por që qenkan dhe shumë të forta madje. 

Po mësoj të dua ato që kam dhe jo ato që mund të kisha! 

Po mendoj! Kisha kohë pa menduar nën hijen e reflektimit dhe jo të realitetit, i cili më ekspozonte intensivisht para stimujve aq të larmishëm sa më çorganizonte dhe ato pak mendime stoike të krijuara, të cilat vërtiteshin rreth një trajektoreje 360 gradë. 

Jam produktive, e ndjej! Jam e sigurt që po hedh një bazë shumë të rëndësishme në personalitetin tim, e cila mungonte. Për mua është regres në formë, por progres në thelb. 

Për mua koha nuk ka stopuar, përkundrazi, po ecën më shpejt se kurrë!

Po ndëshkohesh? Edhe unë! Por po ndëshkohem duke kuptuar që kjo është ajo që prisja prej kohësh. Lufta brenda meje nuk është e thjeshtë, madje ndoshta ndër më të vështirat që kam kaluar. 

Tani gjendem në zgjedhje akoma më të vështira, të zgjedh çfarë të mendoj. Dhe kohën që më parë përdorja si justifikim për zgjedhjet e mia, tani e kam armik. Po më jep mundësinë të zgjedh çfarë të mendoj dhe po më bën të kuptoj që zgjedhjet e mia nuk vareshin nga koha por nga një prirje e brendshme, e cila kërkonte të hiqte përgjegjësitë nga vetja dhe t’ia atribuonte faktorëve të jashtëm. 

Po vendos në peshore dhe po kuptoj që nuk po ndëshkohem, përkundrazi, po më jepet mundësia të vendos edhe njëherë çfarë të mendoj dhe si ta mendoj. Po kthehem pas dhe po kuptoj që çfarë po bëja deri tani nuk përputhej me “planet” e mia të fëmijërisë. Po mbijetoja në një realitet që më zgjodhi dhe jo një realitet që do kisha zgjedhur për të jetuar. Po më jepet mundësia të modifikoj skenarin e fëmijërisë dhe të imagjinoj të ardhmen time, ashtu siç bëja kur isha fëmijë, por këtë herë në mënyrë konkrete dhe jo abstrakte. Për mua është ndëshkim, ndëshkim pozitiv! 

Për mua nuk është një fillim fundi, por një mundësi për të shfrytëzuar!

“Më jepni mua një dhimbje dhe unë do t’ju jap një kryevepër”, dhe kryevepra e Dostojevskit është pikërisht shprehja që përdor. Cila është kryevepra ime? Nis nga më modestet, një buzëqeshje, një mendim pozitiv, një shprehje dashurie, një libër i lexuar, një film i parë, një pasion i fshehur, një analizë sipërfaqësore detajesh, deri te më e komplikuara, të kuptuarit që asgjë nuk është e përjetshme! Dhe të kuptoj që asgjë nuk është e përjetshme, më rikthen tek ato që në fillim i quajta modeste, t’i shoh si modeste, por këtë herë me një shije tjetër.

Unë po ia dal! Po ti? 

Më kthe përgjigje pasi të zbulosh kryeveprën tënde!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top