Këshilla & Arsye

April 15, 2020 | 8:03

Silvana Gjoni: Si të nxisim gjuhën te fëmija?

Shpesh, përgjatë punës time, përballem me prindër, fëmija i të cilëve nuk flet apo ka një fjalor shumë të kufizuar, jo në përputhje me moshën e tij kronologjike, pa ndonjë çrregullim zhvillimi. 

Silvana Gjoni, Logopediste dhe Terapiste ABA

Silvana Gjoni, Logopediste dhe Terapiste ABA

Kjo vjen për arsye të ndryshme, fëmija dëshiron të komunikojë me gjeste, modeli prindëror është i tillë që nuk nxit mjaftueshëm ekspozimin ndaj stimujve që ta “detyrojnë” fëmijën të flasë, prindi plotëson çdo kërkesë të fëmijës, pa qenë nevoja që ai/ajo të shprehet vetë. 

Prandaj, gjithnjë e më tepër, sidomos edhe me zhvillimin e teknologjisë, fëmijët nuk nxiten për të folur. Nëse dikur sfida e prindërve ishte që t’ju përgjigjeshin gjithë pyetjeve të fëmijëve, sot sfida është që ata të të bëjnë pyetje. 

Më poshtë, gjeni disa këshilla se si të nxisni të folurën e fëmijës tuaj:

▪︎E FOLURA PARALELE. Tregoni me zë të lartë se çfarë veprimi po bën fëmija. P.sh: Ti more arushin në dorë dhe do të luash.

▪︎E FOLURA ME VETE. Tregoni me zë të lartë se çfarë po bëni ju vetë. P.sh: Unë po përgatis mëngjesin.

▪︎STIMULIMI I TË FOLURËS. Përsërisni të njëjtën fjalë disa herë, që të nxisni prodhimin e saj. Nëse ju po luani me top, thoni shpesh, “ Gjuaje topin”, “E gjuajte topin”, “Hidhe topin”, “Topi”.

▪︎VENDOS PARA ZGJEDHJEVE TË DETYRUARA. P.sh: “Do mollën jeshile apo të verdhë?”. Kështu, fëmija është koshient që duhet të zgjedhë mes këtyre të dyjave dhe njëkohesisht do bëhet më i pavarur në zgjedhjet e tij.

▪︎KËNDONI. Këndimi i këngëve, sidomos atyre me rimë, i mëson fëmijëve fjalë të reja dhe të nevojshme për të komunikuar. Gjithashtu, shijon edhe momentin dhe melodinë e të kënduarit.

▪︎RIORGANIZO. Përsërit atë që thotë fëmija, por pa gabime. Kështu, do ekspozohet ndaj modelit të saktë të të folurit dhe do bëjë më pak gabime. Patjetër, shmangni përdorimin e frazave si: Jo, ishte gabim, Mos thuaj ashtu, pasi këto fraza ulin vetëbesimin dhe nuk e lejojnë të eksplorojë gjuhën. 

▪︎MODELO. Thuaji fjalët ashtu siç ti ke dëshirë që ai t’i thojë. P.sh: “Unë…dua…mollë”. Përsëritjani shpesh.

▪︎PËRDOR EDHE SHENJAT. Për të lehtësuar komunikimin, mund të përdorësh edhe shenjat, si ato më të zakonshmet, Bravo, Të lumtë, Ok me gisht, Përplasja e duarve, Supet lart kur nuk dimë përgjigjen etj. 

▪︎AKSES I LIMITUAR. Jepi fëmijës vetëm një lodër apo diçka të preferuar dhe jo të gjitha njëherësh, në mënyrë që të detyrohet të kërkojë më shumë. 

▪︎SABOTO. Hyni në lojën e tyre dhe merri një nga lodrat e preferuara, në mënyrë që ta detyrosh të të kërkojë mbrapsht lodrën e tij. Kështu, ke përfituar mundësinë për të komunikuar dhe modeluar gjuhën e fëmijës. 

▪︎TË LEXUARIT. Lexojini çdo mbrëmje një histori të një libri të preferuar për fëmijë. Me kalimin e kohës dhe përsëritjen e historisë, mund të shtoni elemente dhe ta nxisni fëmijën të shtojë të tjerë. 

▪︎ZGJATJA. Përsërit atë që thotë fëmija dhe shto informacionin. P.sh: fëmija thotë, “Dua ujë”, ju shtoni, “Unë dua ujë, të lutem”.

 ▪︎KOHA. Kalo kohë cilësore me fëmijën, duke luajtur me të dhe duke Ii treguar me vepra për prezencën tënde. Kjo vlen më shumë se çdo lodër. 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top