FB

December 6, 2021 | 11:28

Depresioni, në luftë me qetësinë e shpirtit, nuk mjaftohet thjeshtë me fitore!

Vrasja prej njeriut zakonisht ka si palë një kriminel që e shkakton, por depresioni si vetëvrasje është krim i shumëfishtë që, me dorën tënde mundet që të të vrasë edhe shpirtin edhe trupin! Sa e sa persona janë mbërthyer prej tij në thellësitë më të errëta të dëshpërimit!

 

besmiriNga Besmir Guri, psikolog

Shpirti jeton duke marrë frymë përmes shpresës, besimit, dashurisë, kënaqësisë, humorit, gëzimit, lumturisë… të cilat në një gjendje depresive luftojnë dhëmbë për dhëmbë me njëra-tjetrën se kush ta rrëmbejë ekzistencën.

Depresioni në luftën me qetësinë e shpirtit, nuk mjaftohet thjeshtë me fitore, por edhe nëse e arrin fitoren, vazhdon të shtyhet pa mbarimisht prej oreksit kriminal për ta torturuar atë.

Depresioni ka natyrë kriminale shumë të ashpër, në raste të patrajtuara mundet që të mos ngopet as me torturimin e shpirtit pa marrjen e jetës.

Kur shpirti është i shëndetshëm mund të habitet me arsyetimin e depresionit se, si ka mundësi që të arrijë të marrë jetë, por në rastin kur shpirti është i mbyllur në kthetrat e depresionit të thellë dhe të pa trajtuar, vetëvrasjen e shikon si të vetmen rrugëdalje prej vuajtjes së padurueshme.

01Depresioni përgjatë krimit që ushtron, i ngjan ligësisë së një vrasësi serial gjakftohtë, që kënaqet me vuajtjen e viktimës së tij deri në dorëzimin përfundimtar.

Mbyllje në vetvete, humbje interesi për gjërat, mungesë totale shprese, dëshpërim i tejskajshëm, humor i rënë, izolim i plotë, janë vetëm disa nga klithmat e shpirtit që thërrasin gjatë kohës që ky vrasës përgatitet për jetë marrje.

Në disa raste depresioni e vret njeriun për së gjalli duke i falur vetëm frymëmarrjen, në raste të tjera vendos t’ia marrë edhe frymën e fundit duke i manipuluar bindjen se kjo është zgjidhja.

Metoda që zakonisht përdor për të kryer aktin e fundit, është duke e mashtruar personin nëpërmjet mendimeve të tij.

02

Mendimet mashtruese që prodhon në kokë pasi e ka sfilitur shpirtin, janë mendimet për vetëvrasje apo siç quhen në psikologji mendime suicidale. Këto lloj mendimesh, krimineli depresion nuk i servir si mendime problematike, por si një zgjidhje për situatën… madje si zgjidhjen e vetme!

Për ata që nuk vijnë prej fushës së psikikës, mësoni nga praktika e kësaj fushe se kur personi shpreh disa herë se do të vrasë veten, kjo duhet të merret shumë seriozisht në funksion të ndihmës, si edhe në rastet kur tashmë personi e ka tentuar një gjë të tillë dhe nuk është trajtuar, ka shumë rrezik që veprimin ta ribëjë sërish.

Formula e këtij lloj depresioni zakonisht është e njëjtë në çdo rast: pas një dhimbjeje mban të gjallë vuajtjen, duke ushqyer vuajtjen, shuan shpresën, pasi e vdes shpresën, prodhon dëshpërim, kur dëshpërimi e pushton shpirtin arrin me lehtësi të dobësoje mendjen se zgjidhja e vetme është…!

O njerëz të mirë që depresioni po ju torturon shpirtin, mos i besoni kurrë fjalëve të tij pasi historikisht depresioni është njohur si vrasës i jetës, por duhet që të mos i bindeni atyre që thotë, pasi zgjidhjet në çdo rast janë pranë teje vetëm se duhet t’i kërkosh.

Nëse nuk ke aspak besim për këtë gjë, dije se nuk je ti që po flet por depresioni yt, ndaj lejoje që së bashku ta ndëshkojmë me trajtim kriminelin që po të vret.

 

P.S: Ndryshimi i titullit nga origjinali, përzgjedhur nga redaksia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top