Marrëdhënie

October 19, 2016 | 9:04

Dëshmi/ Agim Doçi: Të jemi të zellshëm për të kërkuar ndjesë!

 Në dhomëzat e fshehta të memories ruan me fanatizëm skedarë të veçantë. Secili prej tyre mbart kujtime të së kaluarës. Diku ngarkesat profesionale, diku më ngjeshur pasionin për letërsinë dhe krijimet artistike, e mandej çastet e gëzuara dhe të brishta që karakterizojnë jetën familjare të çdo njeriu. Në këtë bërthamë të rëndësishme që komandon çdo qelizë të tij, ai ecën e ecën duke fituar në vijimësi një formësim edhe më të plotë të karakterit e individualitetit, duke qenë gjithnjë i ‘zbuluar’ para të resë. E mirëpret zhvillimin duke ngjeshur informacionin e duke fituar, pse jo, një Agim të ri. Para këtij investimi, nëpër të cilin ka kaluar jeta e tij deri më sot, poeti i njohur pranon të ‘trazojë’ e të sjellë në kujtesë pikëtakime apo udhëkryqe që kanë karakterizuar jetën e tij familjare, jetën në çift. Një jetë në çift që, për poetin, është e ndarë në dy pjesë, 39 vite të paharrueshme me të ndjerën Tatjana, gruan e tij të parë dhe sot në lidhjen e re e tepër të fortë që ka ndërtuar me inxhinieren Yllka Çausholli. Nga përvoja e tij, poeti pohon se telashet në çift gjithnjë gjenden me tepri. Me ose pa dashje, ato assesi nuk mund të kenë të sosur. Nga dëshira e mirë për të udhëhequr apo për të qenë i pari në marrjen e vendimeve, nga një kapriço a ndoshta kokëfortësi me inat, gjithçka mund të vihet në  rrezik dhe të tronditë ekuilibrat e lidhjes. Agim Doçit eksperienca i ka mësuar se roli i gruas është fisnik, sakrifikues, aq sa përgjegjësia e tyre shkon deri aty sa të bëjnë një punë aq të madhe saqë i zoti i shtëpisë, bashkëshorti, të mos jetë gjenerator sherri.

Mençuria e një vajze ose e një djali për të krijuar çiftin, është që të mos jenë i njëjti tip. Dikush duhet të lëshojë rrugë. Meshkujt shqiptarë Janë njerëz që edhe gruan e fusin në hipotekë. Do të doja që për sherret e vogla në gjirin e familjes të mos jetë ftesa për tolerancë vetëm për zonjën e shtëpisë, por edhe për të zotin. Një zot i mirë shtëpie shquhet për amortizim sherri, gjë për të cilën unë nuk mund të jap modele, sepse edhe qeveria, administrata, politika, mazhoranca e opozita janë një familje. Ç’është e vërteta unë hyj tek ata tipa që nuk mbaj mend dhe nuk mbaj mëri. Në 24 orë kam 50 sekonda që humb qetësinë, dhe për ato sekonda kush ma di sekretin, nuk ma var. Pas kësaj, personit që kam pasur përballë dhe i jam vërsulur, me ose pa të drejtë, për ato 50 sekonda, unë i kam kërkuar ndjesë”.

Sa kanë ndikuar në forcimin e lidhjes pikërisht ato zënkat për punët e shtëpisë, pazaret apo detyrimet në rritjen e fëmijës?

Një teoremë, që në praktikë për poetin Doçi ka funksionuar për mirë. Edhe pse i gjendur përpara ‘furtunave’ të tilla, mirënjohja dhe respekti që ka ai për qenien femërore, e kanë bërë të vlerësojë lidhjen dhe të japë mandej për të. “Ka ndikuar pozitivisht, sepse kam kaluar 39 vite lidhje martesore dhe nuk mbaj mend që të kem deklaruar ndryshe. Ka qenë merita e zonjës, jo e imja, që sot mund të them se ka qenë një njeri tolerant, që ma ka njohur tipin dhe më ka pranuar kështu si jam. Ndërsa lidhja e re që bëhet mbi bazën e një përvoje të vjetër, bën edhe korrigjimet e atyre defekteve ose autogolave të Agim Doçit. Marrëdhënia e re ka brenda personalitetin, dinjitetin dhe sojin e familjes prej nga vjen origjina e bashkëshortes. Me Yllkën bëjmë biseda të këndshme, gjithnjë pas orës 01:00 deri në 02:15. Pastaj kuptohet, ditën e nesërme për ato çfarë mbaj mend, që nuk jemi unison, apo s’kemi të njëjtën ide, ia fillojmë nga e para. Është fat i madh që merrem vesh me të, të dyve na udhëheq lufta pa kompromis ndaj vesit, dashuria pa limit ndaj virtytit, nuk i shikojmë njerëzit nga pozicionimet e tyre majtas ose djathtas, por nga vlerat dhe nga çka i kanë dhënë familjes, shoqërisë”. Për poetin e njohur, fituesin e dhjetëra vargjeve nëpër festivale, kushtuar pikërisht dashurisë dhe ‘lojës’ brenda saj, pesë janë pikat që e bëjnë një çift të kalojë në krizë. Bazuar në përvojën personale dhe asaj që ai e analizon sot si shqetësuese për marrëdhëniet e reja:

1.Stresi, si pasojë e konkurrencës për të jetuar.

2.Nxitimi i karakterizuar nga vrulli i teknologjisë. Ngutja kur bie në dashuri, është rënia më e bukur, më fisnike, më engjëllore. Duke u nxituar se e do, ajo përgjigjet se do të martohet, por në fakt nuk ka arritur të marrë shpirtin binjak.

3.Financa, i vetmi problem që shkakton kontradikta. Lidhje që krijohen nga pamundësitë për të jetuar. Brez që diplomohet e nuk gjen punë.

4.Media, e cila merret me brezin e ri, nuk e ka aspak mendjen te edukimi. Hidhet poshtë kodi moral dhe nuk bëhet asgjë.

5.Morali, që e kërcënon lidhjen martesore. Modele të reja botërore që kanë transformuar lidhjen në çift, që sjellin lodhjen e tij dhe që nuk njohin pajtimin. Një motiv që bën pjesë në kodin moral: Duaje bashkëshorten më shumë se dje dhe më pak se nesër!

“Grindja ka vlerë për rëndësinë e pajtimit”…

Shqiptarët kanë pasur gjatë, nja 500 vjet, një kod moral që quhej Kanuni i Kurveleshit, i Mokrës, i Maleve të Dibrës, i Dukagjinit, i Mirditës… i cili ka pasur një kapitull fantastik: Pajtimin, menjëherë pas kapitullit të zhdëmtimit. Dhe në atë kod moral thuhet: “Gjuha është prej mishi, po kocka bren”, “Fjala është më e rëndë se plumbi, por fjala s’bën dëm”. Nuk di që të ketë kënaqësi më të madhe, fuqi më të madhe apo gjest fisnik sesa kur bën sherr në familje dhe ke kurajën qytetare t’i thuash bashkëshortes: Më fal, e kisha unë gabimin!

Botuar në revistën Psikologjia, nr.50

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top