Marrëdhënie

September 26, 2016 | 7:55

Dëshmi/ Akil Pano: Si ta shpëtojmë martesën, në kohët kur romanca ka përfunduar?

Ai është një personazh karizmatik, të cilin shpesh e kemi parë në debate tolerante mbi fenë dhe ngacmimet “alla Çani”, ku ia del për së mbari. Është Pastori Akil Pano, i cili pikërisht këtë vit feston 20-vjetorin e një martese të suksesshme. Sekreti mbetet te një fjalë e vetme: dashuria. “Por ajo nuk mbetet e vetme”, – përkufizon ai. “Një martesë e qëndrueshme kalon çdo ditë nga shtegu i faljes, e cila buron nga dashuria”. Thënë këtë, Pano nënvizon se: “të gjithë kur hyjmë në martesë nuk jemi të përgatitur për të. Në fillim mendojmë se dashuria është një romancë, të cilën e shohim në filma, por fatkeqësisht pjesa më e madhe e atyre që kanë për subjekt romancën e dashurisë, përfundojnë menjëherë pasi çifti këmben unazat në altarin e martesës. Çfarë ndodh pas këtij momenti magjik? Sipas konceptit tonë, dashuria mes burrit dhe gruas në martesë është shumë më tepër se emocioni i përkëdheljeve dhe surprizave të para dhe është shumë më tepër se romanca e muajit të mjaltit, megjithëse do të dëshironim ta shihnim martesën si një romancë që zgjat e s’merr fund kurrë”. Njëzet vjet më pas, ai thotë se me Lindën ndihen të lumtur, të realizuar, “ndiejmë bekimin e Zotit. Por me gjithë këtë, nëse do të zotëronim fuqi prapavepruese për veprimet tona, sot do të zgjidhnim të lëndonim sa më pak njëri-tjetrin dhe do e jetonim jetën në nivelin e plotë të bekimeve dhe dhuratave që ajo sjell”.

Kujtoni ditët e para të dashurisë

“Dashuria në martesë është si një depozitë, – thotë Akil Pano, – e cila duhet të furnizohet vazhdimisht, në mënyrë që të marrësh prej saj. Njësoj si flaka e një zjarri që duhet mbajtur ndezur. Në rastin e dashurisë mes çiftit, tendenca është që, pas vitit të parë të martesës, flaka e dashurisë të zvogëlohet e shuhet. Kur çifti përballet me ndryshimet e mëdha të personalitetit, tensionin e marrëdhënieve brenda familjes së re apo kur pritjet nuk prekin realitetin, të gjitha këto janë si një erë, e cila nuk i fryn zjarrit për ta ndezur, por për ta shuar atë. Është gjithmonë kritike të mendojmë që dashuria mungon, kur mes çiftit ka nisur një stinë zënkash dhe grindjesh. Natyrisht që mes dallgëve të konfliktit vështirë të dallohet horizonti i romancës së muajve të parë të lidhjes, por nëse themi se dashuria ka përfunduar, gabojmë. Dashuria është më e thellë se egoizmi i ftohtë, dyshimi errësues dhe frika që të pezmaton, është më e fortë se tërheqja e çastit, pasioni kalimtar dhe çdo ndjenjë pështjelluese. Ajo është forca më e madhe, e cila qëndron në qendër të kozmosit dhe është elementi më i lartë njehsues i jetës. E nëse ka qenë ajo, forca që ka sjellë së bashku në martesë burrin dhe gruan, atëherë dashuria vazhdon të gjendet aty”. KUJTONI! “Kur harmonia në çift nuk përjetohet si më parë, është koha të sjellësh ndër mend ditët e para të dashurisë, që ju solli bashkë dhe shndërroi zemrat e trupat tuaj në një. Është koha më e mirë për të shkundur pluhurin e hirit që ka mbuluar prushin e dashurisë, e cila vazhdon të jetë aty, brenda vatrës suaj, për aq kohë sa ju mbani mend ëndrrat që keni ndarë bashkë dhe premtimet që i keni bërë njëri-tjetrit. Dorëzimi mes sfidave në martesë është dështimi më i madh për të cilin asnjë nga partnerët në çift nuk është krijuar. KULTIVONI! Mbani ndezur zjarrin e dashurisë, duke marrë hapin për t’i hedhur dru zjarrit të dashurisë suaj! Së fundmi lexova për një grua, e cila shkoi te psikologu për të marrë prej tij një këshillë si të divorconte burrin e saj, për shkak se kishte filluar ta urrente dhe se nuk jetonte dot më pranë tij. “Dua ta lëndoj në maksimum”, deklaroi e bindur. “Në këtë rast, – ia priti mjeku, – të këshilloj të mos jesh e kursyer me komplimente. Kur ai të mendojë se ti e dashuron vërtet dhe kështu të jesh bërë e pazëvendësueshme për të, atëherë fillo të përgatitësh dokumentet për divorcin. Kështu, sigurisht që ke për ta lënduar”. Pasi kishin kaluar disa muaj, gruaja shkon te mjeku për t’i treguar se gjithçka kish shkuar mirë dhe se me përpikëri kishte ndjekur këshillat e tij. “Mirë, – i thotë mjeku. – Tani është koha për divorc”. “Divorc!?”, ia priti gruaja e çuditur. “Kurrë. Unë e dua pafundësisht burrin tim!”. Shpeshherë, duke kultivuar ato pak gjëra të dukshme që kanë mbetur në një martesë, mund ta shpëtojmë atë. “Vite më parë, Libraria e Pavarësisë Harry S.Truman, bëri publike 1300 letrat të cilat ishin zbuluar së fundmi, letra që presidenti Truman ia dërgonte bashkëshortes së tij Bess-it. Çdo ditë që ai nuk ishte me bashkëshorten, i shkruante asaj një letër. Truman e ndoqi këtë rregull çdo herë që ishte në një udhëtim zyrtar apo dhe kur bashkëshortja largohej për diku. Studiuesit janë duke i ekzaminuar këto letra, në mënyrë që të hedhin më shumë dritë në ngjarjet politike dhe diplomatike të kohës, por sa i përket temës së martesës, të gjithë impresionohemi për faktin që, ditë pas dite, presidenti i SHBA-ve merrte kohë prej çështjeve më të rëndësishme botërore që të ulej dhe t’i shkruante bashkëshortes së tij. Janë gjeste në dukje të vogla, të cilat mbartin vëmendje, vlerësim dhe vlejnë shumë në një martesë. Zakonisht çiftet e reja, fatkeqësisht të rrëmbyer nga ngarkesat e përditshmërisë, i harrojnë këto momente magjie. Martesa është universiteti në të cilin hyjmë e mësojmë lëndë që nuk mund t’i përvetë- sojmë në asnjë fakultet tjetër të jetës. Lëndë të vështira, por mjaft sfiduese dhe jetë-ndryshuese, të cilat në martesë mund t’i lindë vetëm dashuria, e këto janë: besnikëria, përkushtimi, përulja, nderimi, durimi, sakrifica dhe falja. Pa këto elemente është jo vetëm e vështirë, por është e pamundur që martesa të qëndrojë”.

1Në dashuri nuk ka frikë

Aty ku sundon frika është vështirë të jepet falja. Frika kërkon të shmangë lëndimin dhe zhgënjimin e radhës dhe ajo qëndron qartësisht e lidhur me dashurinë për veten dhe duke përfaqësuar denjësisht indikatorët mbrojtës të qenies, i thotë JO faljes. Në krahun tjetër qëndron dashuria për partnerin dhe për atë që bashkërisht çifti ka investuar në martesë. Kjo dashuri i thotë PO faljes, e jep bujarisht mundësinë e një shansi të dytë, por në përballje me frikën qëndrojnë në antitezë me njëra-tjetrën. Në punën tonë, gjatë këshillimit të çifteve të martuara në rast konfliktesh, kemi kuptuar se megjithëse në një pjesë të mirë të rasteve dhënia e faljes ka qenë e vështirë, kur këto çifte kanë përqafuar parime më të larta se dashuria për veten, e kanë pasur të lehtë të çlirohen prej frikës nga lëndimi i radhës dhe mosfalja. Emersoni ka thënë se: “Nuk e ka marrë mësimin e jetës ai që nuk fiton çdo ditë kundër një frike”. Në martesë ne duhet të përballemi me frikërat tona, nëse bëjmë të kundërtën duke u ikur apo i lënë në errësirë, rrezikojmë t’i shumëfishojmë konfliktet e brendshme, të cilat natyrshëm do të jenë pengesë e vazhdueshme për raportin në çift. Rreth njëzet shekuj më parë apostulli, i cili shkroi për dashurinë hyjnore më shumë se kushdo tjetër, thotë: Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin dhe ai që ka frikë, nuk është i përsosur në dashuri. (1Gjoni 4:18). Dashuria e përsosur, e cila buron nga vetë Krijuesi i njeriut, është një dashuri që fal, jep bujarisht dhe i kapërcen limitet e vetes. Një dashuri, e cila nuk ka frikë të dojë, të provojë dhe përpiqet rishtazi të restaurojë dhe rimëkëmbë atë që ka mbetur. Në anën tjetër në kapitullin kushtuar dashurisë, Pali apostull e cilëson dashurinë në veprim, si elementin më të lartë se çdo e mirë njerëzore, pasuria apo pushteti. Në panoramën e jashtëzakonshme të dashurisë, ai veçon elementin e faljes brenda saj. “Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfrit dhe ta jepja trupin tim që të digjej e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë! Dashuria është e durueshme, plot mirësi, dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq, nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, mban çdo gjë. Dashuria nuk ligështohet kurrë…” (1Korintasve 13:3-8).

Falja, të lësh pas lëndimet

Dikush ka thënë: “Një martesë e mirë është bashkimi i dy personave të cilët falin”. Zakonisht ndodh që një nga partnerët është i pari që merr hapin drejt faljes dhe, në rastin më të mirë, të dy duhet të ulen përballë njëri-tjetrit dhe të flasin se si ndihen. Falja nuk është një dhuratë e lehtë, por mbetet një veprim, vullnet, i cili mban martesën në këmbë. Raporti në çift komplikohet në rastin kur falja është dhënë, marrëdhënia është duke u restauruar, por personi, i cili ka dhënë faljen e ka të vështirë të harrojë ndodhinë që lidhet me lëndimin, i cili do vazhdojë ta mbajë të plagosur zemrën për aq kohë sa kujtesa do ta mbajë ngjarjen në arkivat e saj. Falje e vërtetë do të thotë të harrosh dhe të mos sjellësh kurrsesi më mbrapsht lëndimet e së shkuarës, natyrisht që ky është elementi i vështirë i faljes, por nëse kjo ndodh, atëherë rruga e restaurimit individual të qenies dhe raportit në çift është e sigurt.

Të bekuar që jemi një familje

Dashuria përgjatë rrugëtimit ndër vite maturohet dhe bëhet më e përgjegjshme. Kur e takova Lindën për herë të parë, ajo ishte studente dhe menjëherë krijova idenë se ishte një vajzë interesante dhe kaq, por nuk ishte e vështirë të shihja që Linda kishte një dashuri të madhe për njerëzit. Kërkova ta njoh më nga afër dhe, gjatë takimeve të para, zbulova që i kishte të gjitha cilësitë e vajzës me të cilën ëndërroja të martohesha një ditë. Nuk ishte e vështirë të bija në dashuri me të. Fillimi i martesës sonë nuk ka qenë i lehtë. Të dy jemi personalitete të fortë dhe shpesh falja, në momente të ndryshme, nuk ka qenë e lehtë dhe e natyrshme. Besimi te Perëndia ka qenë katalizatori në jetën tonë. Thëniet e Jezusit: “Bëni për të tjerët atë që do donit të tjerët të bënin për ju” dhe “Mos lejoni diellin të perëndojë mbi zemërimin tuaj”, ka qenë busulla jonë në kohët e vështira. Pas njëzet viteve martese, vazhdoj të kem të njëjtin mendim për Lindën. E duam njëri-tjetrin më shumë se në fillim. Deborah dhe Jonathani janë frytet e dashurisë sonë. Jemi të bekuar që Zoti na i ka dhuruar që së bashku të jemi një familje. Jemi përpjekur t’i rrisim të dy me parimet e faljes dhe të dashurisë. Një martesë e vërtetë ka lindur në qiell dhe nuk është bërë të përfundojë me tokën, por të vazhdojë amshimin qiellor, ashtu siç dhe formula martesore thotë: “derisa vdekja t’ju ndajë”. E që të jetë kështu, le ta lëmë dashurinë të maturohet dhe të jetësojë çdo ditë jetë brenda çiftit virtytin e besnikërisë, përkushtimin dhe faljen.

Botuar nërevistën Psikologjia, nr.88

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top